16-vjeçarja kosovare në Gjermani: S’mund të jetoj pa shami

Një refugjate kosovare në Gjermani ka folur rreth zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Në një artikull që mediumi ndërkombëtar Al Jazeera ka publikuar sot rreth mendimeve të refugjatëve rreth zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen atje, ka folur edhe Hava Morina.

Siç prezantohet në mediumin Al Jazeera, Hava Morina është shqiptare nga Kosova, 16-vjeçare, e cila është studente në Gjermani. Ajo është e brengosur me rritjen e së djathtës ekstreme në Gjermani, partisë Alternative fur Deutschland (AfD).

“Pyetja që të gjithë politikanët kanë në këto zgjedhje është: ‘Çfarë do të bëjmë me refugjatët?’. Die Linke (Partia e Majtë), Die Grunen (Partia e Gjelbër) dhe Partia Social Demokrate (SPD) janë më mbështetës për refugjatët sesa CDU-ja e Angela Merkelit”, fillon rrëfimin Hava 16-vjeçare. “Ata bisedojnë më shpesh me ne. Për shembull, Partia e Majtë mbështet dhënien e banesave për refugjatët të cilët kanë jetuar në strehimore deri në dy vjet në Berlin.”

Hava Morina thotë se ajo nuk është pro politikave të kancelares gjermane Angela Merkel dhe partisë së saj CDU. Kosovarja shprehet se edhe pse disa refugjatë e duan Merkelin, ajo sheh diçka që s’i pëlqen tek kancelarja gjermane, raporton Insajderi.

“Disa refugjatë e duan Merkelin. Kur isha në Kosovë, edhe unë e doja. Pasi jetoj këtu dhe po mësoj se si funksionojnë gjërat, po ndihem ndryshe. E gjithë familja ime është deportuar. Kjo më bën veçanërisht të jem e fokusuar në atë që po ndodh në politikën gjermane. Dua që politikat e ribashkimit familjar të ndryshojnë. Nuk dua që vëllezërit e motrat të më harrojnë: dua të rritem me ta”, thotë Hava Morina.

Refugjatja nga Kosova i thotë Al Jazeeras se “zgjedhjet gjermane ndikojnë tek refugjatët, por ne nuk kemi të drejtë vote”.

“Njerëz të tjerë votojnë për çështje që kanë ndikim tek ne – nuk ka kuptim”, deklaron Morina.

Për refugjatën nga Kosova, vetëm fitorja e partisë së ekstremit të djathtë AfD do të thoshte se “gjithçka ka mbaruar” për refugjatët në Gjermani. Ajo thotë se disa herë është paragjykuar në Gjermani për atë që ajo përfaqëson.

“Mendoj se e djathta ekstreme [AfD] do të dalë e suksesshme [nga zgjedhjet parlamentare v.j], e kam këtë parandjenjë. Javën e kaluar, unë isha në një miting për të drejtat e refugjatëve dhe pamë një poster të zgjedhjeve nga AfD, teksa shkruhej ‘Stop Islamizimit’. Shumë njerëz këtu kanë qenë të mirë me ne, por unë gjithashtu takoj njerëz në rrugë që më thërrasin ‘terroriste’ dhe më thonë: ‘Kthehu në vendin tënd’”, tregon Hava.

E nëse partia e ekstremit të djathtë do të fitojë zgjedhjet parlamentare në Gjermani, Hava Morina thotë se një rezultat i atillë do të kishte ndikim edhe në jeten e saj.

“Unë nuk mund të jetoj në një vend që nuk më lejon të vendos shaminë. Çfarë ndryshimi ka për njerëzit e tjerë nëse unë marr vendim të vë shami, apo të vesh bikini? Këto zgjedhje do të ndikojnë në të ardhmen time. Nëse AfD fiton pushtet, madje edhe në koalicion, atëherë gjithçka ka mbaruar”, thekson Hava Morina.

“Gjermania është tani shtëpia ime. Unë e flas gjermanishten më mirë se gjuhën time amtare. Ndonjëherë, pyes veten pse nuk ekziston një vend ku unë mund të jetoj ashtu siç dua”. /Insajderi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu