4 gjëegjëzat e Maqedonisë: identiteti, kombi, kisha dhe kohezioni i brendshëm ndëretnik

Nëse i referohemi të kaluarës të largët dhe të afërt historike, përfitojmë një pasqyrë të qartë të gjendjes së tanishme, me të cilën përballen qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare dhe fetare.

Dihet që synimi i Titos, duke pasur parasysh diversitetin e madh nacional, por edhe nacionalizmat e theksuara dhe të ngulitura thellë në vetëdijen e njerëzve të hapësirës tonë të përbashkët, në rrafshin vertikal ka qenë që të krijohet një kohezion i qëndrueshëm ndëretnik, por në prapaskenë nuk ka dashur (apo nuk ka mundur), që ta sheshojë epërsinë e kombit serb, i cili pas vdekjes së tij shpërtheu në një egocentrizëm të egër dhe u manifestua në luftëra të përgjakshme.

Maqedonia për serbët paraqiste një kafshatë të lehtë, të cilën ata mendonin se do ta merrnin pa luftë, megjithatë mposhtja e tyre e madhe dhe vullneti ndërkombëtar bënë që Maqedonia të konturohej në një shtet të pavarur dhe sovran, madje për një kohë të gjatë, nga një fuçi baroti, u shndërrua, të paktën në diskursin diplomatik, në një oazë paqeje, me maqedonasit në krye të burimit të ujit, kurse të tjerët shërbenin si ato palmat e dekorit në mesin e shkretëtirës.  Shkathtësia e Shkollës së Kumrovecit doli vërtet fitimtare, shqiptarët i nxori të madh e të vogël në rrugë, organizoi zgjedhjet demokratike parlamentare dhe e bëri Maqedoninë shtet, me një kushtetutë unitare, e cila edhe sot na i mohon neve të drejtat elementare njerëzore: gjuhën, flamurin dhe kombin.

Konflikti i vitit 2001 vërtet e sheshoi diskriminimin, përfaqësimin e shqiptarëve në shtet, hapi shtigje punësimi dhe arsimimi, por nuk arriti ta ndryshojë unitarizmin e shtetit, i cili është burimi kryesor i astigmatizmit dhe nacionalizmit të sotëm. Përgjegjësinë për këtë e kanë fuqitë e mëdha, të cilat e vazhdojnë në mënyrë të heshtur politikën e komunizmit ndaj shqiptarëve, duke na e vazhduar mandatin e popullit të rangut të dytë në trojet tona në Maqedoni dhe gjetiu, gjë që çoi në radikalizmin e skajshëm të situatës, madje, me kthesën e madhe politike të vitit 2008, mbase pas shfaqjes edhe të filmit holivudian Alexander the Great, përnjëherë nga një Maqedoni sllave, lindi një Maqedoni antike, jo vetëm në mendje por edhe në realitet, i cili u kurorëzua me Projektin famëkeq Shkupi 2014, i cili e brejti edhe atë palcë që i kishte mbetur vendit.

Mbase dhe ky qe momenti kur faktori ndërkombëtar e kuptoi se Projekti i tyre për një shoqëri multietnike po u rrëshqiste duarve dhe iu qas më seriozisht punës, duke ushtruar një trysni të vazhdueshme politike, sidomos pas përshkallëzimit të krizës politike dhe daljes në dritë të aferës së përgjimeve, si dhe faktorizimit rritës të Rusisë në vendet e rajonit, por edhe në Maqedoni.

“Oaza e paqes”, që dikur shërbente si dekor në mesin e një shkretëtire gllabëruese, po shndërrohet përsëri në një fuçi e rrezikshme baroti, me pasoja të paparashikueshme për rajonin, por që mund të ndikojë edhe në ndërthurjet e tanishme të politikës globale në përgjithësi.

Po të bëjmë një përmbledhje sekuencash të së shkuarës, rezulton se Maqedonia është një histori e ndërtuar gjëegjëzash, ku fjalët ‘territor’ dhe ‘identitet’ e përbëjnë tërësinë dhe pa të cilat gjëegjëza s’do të kishte asnjë kuptim. Nëse vazhdojmë t’i analizojmë gjëegjëzat, kemi 4 sosh: 1. Emri me Greqinë 2. Gjuha dhe kombi me Bullgarinë 3. Kisha me Serbinë 4. Në sferën e brendshme implementimi në tërësi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit

Mjafton vetëm të kontestohet njëra dhe rrënohet i gjithë tregimi…


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu