Agjërimi përtej urisë dhe etjes

Feja islame është rrugë e cila i jep gjallëri dhe freski jetës, është rrugë e ndriçimit të trupit dhe zemrës së njeriut.

Njeriu është skenë e përhershme e ndeshjeve të fuqive të kundërta të brendshme, njëlloj siç i është ekspozuar shtypjes së përhershme të faktorëve të jashtëm. Agjërimi luan rol me shumë rëndësi kundër tërë asaj që e shtyp dhe e tjetërson njeriun. Këtu nuk është fjala për një tjetërsim total të pasioneve dhe materies. Agjërimi paraqet armë jashtëzakonisht të fuqishme dhe efikase për të luftuar fuqinë e egër dhe brutale të materies, shtypjen dhe robërimin e saj.

Agjërimi nuk synon të zhvillojë te njeriu asketizëm, të zhvillojë tek ai marrëdhënie pasive ndaj begative materiale, apo t’i shuajë pasionet e tij. Këtu është fjala për të vënë baraspeshë midis shpirtit dhe materies, zemrës dhe arsyes, dëshirës dhe diturisë dhe agjërimi synon ekskluzivisht të mbajë këtë ekuilibër. Të gjitha dispozitat e Islamit kanë për qëllim që pasionet dhe fuqitë e brendshme të njeriut t’i mbajnë brenda kufijve dhe funksioneve të tyre biologjike dhe fiziologjike, pasi në çastet e shfrenimit dhe të dominimit të epsheve, njeriu është i gatshëm të bëjë çdo gjë. Kur njeriu bëhet rob i pasionit dhe materies, për të nuk ekziston asnjë vlerë tjetër; ai transformohet në një krijesë të pangishme, e cila gjithmonë kërkon forma të reja për t’u kënaqur.

Në të vërtetë agjërimi nuk mund të kuptohet thjesht si mohim apo largim nga begatitë materiale, as thjesht si kundërshtim i pasioneve. Një agjërim i tillë nuk do të ishte tjetër veçse etje dhe uri e kotë. Agjërimi nuk është tërheqje pasive para materies dhe largim prej saj, përkundrazi, ai paraqet një qëndrim aktiv, në mënyrë që materies t’i jepet statusi i vërtetë, pra ajo të ketë statusin e mjetit dhe jo statusin e qëllimit. Agjërimi na ndihmon të zotërojmë vetveten, të frenojmë ndjenjat e të largohemi nga veprat e padrejta dhe kjo me të vërtetë është një gjë e madhe. Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Lufta për të shpëtuar vetveten është më e vështirë sesa lufta kundër armikut”.

Parë në këtë prizëm, roli i agjërimit bëhet gjithmonë e më i vlefshëm. Agjërimi ngjall te njeriu ndjenjat njerëzore, forcon tek ai dëshirën për t’u drejtuar nga mirësia, e çliron nga shtypja e materies, në mënyrë që të jetë sa më i përgatitur dhe i aftësuar për të ndjerë e përjetuar sa më fuqishëm bukurinë, gëzimin, lumturinë e botës së lartë. Agjërimi është çelësi i falënderimit për të mirat që Allahu na ka dhuruar. Sa të ndritshme na duken fjalët e Pejgamberit a.s. kur thotë: “Agjërimi është mbrojtje”. Këtu Pejgamberi aludon në faktin se, në të vërtetë agjërimi na mbron në çdo pikëpamje; ai mbron jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tonë.

Agjërimi ka gjithashtu domethënien e tij sociale. Ai nxit dhe zhvillon te njeriu prirje të natyrshme, dëshirën për humanizëm dhe drejtësi sociale. Njeriu me agjërim e refuzon të ngrënën në mënyrë që të ndjejë uri. Kështu ai arrin të kuptojë më mirë ata që janë të detyruar të jenë të uritur. Ai heq dorë nga ushqimi, jo që ta kursejë atë, por që t’ia dhurojë tjetrit. Duke ndjerë personalisht urinë, ai do ta kuptojë më mirë se ç’është uria tek ata që s’kanë mundësi të ushqehen.

Përveç kësaj, agjërimi kalit vullnetin e njeriut dhe e bën atë më të përkryer. Porosia “Agjëroni nëse doni të jeni të shëndoshë”, të cilën e proklamoi Muhamedi a.s., u bë norma e shkencave të mjekësisë bashkëkohore, ku agjërimi zë një vend shumë të rëndësishëm. Në literaturën mjekësore, në të gjitha gjuhët, do të gjeni studime të shumta për agjërimin, të kryera nga autorët më të dalluar të kësaj fushe. Sot, pjesa më e madhe e sëmundjeve të rënda, lindin kryesisht si pasojë e dëfrimeve të tepruara dhe e pakësimit të lëvizjeve.

Njeriu bashkëkohor vuan më tepër nga sëmundjet e gjakut, zemrës, sheqerit etj., në një kohë kur dihet fare mirë se cili është shkaku i lindjes së këtyre sëmundjeve.

Agjërimi, si profilaksion dhe si ilaç, kurrë më parë nuk ka qenë kaq i nevojshëm sa sot. Njeriu më parë është ruajtur të mos i kalojë kufijtë. Sot nuk vihet re një gjë e tillë. Ne sot jetojmë në një boshllëk të madh, ku për sa i përket pikëpamjes së normave morale dhe vlerave shpirtërore sundon një kaos i vërtetë.

Agjërimi është një freski e madhe shpirtërore, është një injeksion, i cili sjell energji dhe fuqi të reja. Ai është një prej të mbjellave të botës tjetër dhe ka një vlerë të pallogaritshme.

Ramazanin e krahasojnë me tokën e lulëzuar në kulmet e lulëzimit. Ai është si shiu që bie në pranverë, i cili gjallëron e begaton tokën dhe e shton prodhimin.

Për këto arsye, njeriu u bë përgjegjës për agjërimin, duke e pasur atë si pasqyrë për të dalluar daljen nga periudha e kafshërisë dhe vendosjes së tij në një pozicion të ngjashëm me engjëjt, ose duke u bërë shpirtërisht person i botës tjetër, duke u larguar nga epshet e kësaj dynjaje të përkohshme.

Ramazani në të vërtetë ka mrekullitë e veta, ka fuqi të posaçme mistike dhe ndikim të fuqishëm psikologjik. Shumë rrethana i japin atij karakteristika të tilla. Në Ramazan është edhe një ndër netët më të lavdëruara, Lejletul Kadr, në të cilën Profetit Muhamed a.s. filloi t’i zbresë shpallja. Atë natë u hap fleta e re e historisë njerëzore dhe epoka e re e zhvillimit mendor. Për këtë, ky muaj është kaq bamirës. Ai ende shkëlqen në mënyrë specifike, me të njëjtën dritë me të cilën ka shkëlqyer natën e Kadrit të 14 shekujve më parë. Ndoshta ai me të vërtetë nuk i bën zemrat e njëjta, por, megjithatë, i gjallëron ato, i përtërin, i ndriçon dhe i drejton nga Allahu.

Atmosfera e Ramazanit është atmosferë devotshmërie, e cila manifestohet në forma të ndryshme. Nuk mund të themi se të gjithë njerëzit perfeksionohen, por shumica e tyre pendohen e, madje, përgjatë Ramazanit, mundohen të mos bëjnë mëkate. Në qoftë se njerëzit në këtë muaj do të shfaqin edukatën e vërtetë islame, atëherë ata do të dalin prej tij jo ashtu siç kanë qenë dje, por më të devotshëm, më të sjellshëm e më të moralshëm.

Në Kur’an, sure Teube, ajeti 7, thuhet: “Allahu i do të devotshmit…” Burimi i devotshmërisë është mbrojtja e zemrës me moralin e pastër. Rrugët që të çojnë drejt devotshmërisë janë të shumta, por si ndër më kryesoret mund të përmendim:

-Agjërimi,

-Falja e pesë namazeve farz dhe shtimi i faljes natën (nafile),

-Përmendja e Allahut xh.sh. në çfarëdolloj gjendjeje që të jemi,

-Lutjet e sinqerta,

-Leximi i shpeshtë i Kur’anit,

-Dhënia e pasurisë në rrugën e Allahut,

-Pendimi dhe kërkimi të falur,

-Durimi,

-Itikafi (qëndrimi në xhami në dhjetët ditët e fundit të Ramazanit).

Ramazani është periudha që ia lehtëson myslimanit rrugën e devotshmërisë dhe ky muaj nuk mbaron veçse duke ia mbushur zemrën me dritë dhe besim, prandaj askush të mos e lërë veten të bëhet lodër në duart e shejtanit, por le t’i bindet urdhrave të Krijuesit e t’i zbatojë ato me përpikëri e sinqeritet nëse dëshiron të fitojë shpërblimin e premtuar nga Allahu xh.sh.

“Ata, të devotshmit, janë në kopshtet e parajsës e në begati” (Tur, 17).

/Revista “Drita Islame” – maj 2017/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu