Basha: T’i japim fund demokracisë dhe zgjedhjeve fasadë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në ditën e dytë të protestës së opozitës deklaroi se protesta do të vazhdojë derisa t’i jepet fund asaj që e quajti “demokraci fasadë” të Shqipërisë.

“Kemi një demokraci fasadë, ku shkelen përditë të drejtat e qytetarëve; kemi parlament fasadë, që nuk përfaqëson as socialistë e as demokratë; kemi shëndetësi fasadë; bujqësi fasadë; ekonomi fasadë…”, tha Basha.

Kreu i PD-së shtoi se “karvani që ecën përpara e nuk dëgjon qentë që lehin e ka çuar Shqipërinë në greminë”.

“Prandaj jemi sot këtu e prandaj u mblodhëm dje në shesh. Detyra jonë është t’i japim fund demokracisë fasadë dhe zgjedhjeve fasadë, që bëhen për të mbajtur në pushtet një grusht pushtetarësh që duan të mjelin Shqipërinë. Duhet të kthejmë shpresën për një vend më të mirë. Nga ky shesh i kemi dhënë një mesazh të fuqishëm botës mbarë: shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë. Shqipëria është ngritur në këmbë”, u shpreh Basha.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu