Bilanci i të vdekurve në plazhet e Shqipërisë, 15 pushues nga Kosova dhe një nga Maqedonia

Plazhet e Shqipërisë kanë qenë fatale për rreth 15 kosovarë dhe një të ri nga Maqedonia, që nga fillimi i kësaj vere.
Shumica e tyre kanë humbur jetën derisa po laheshin në ujërat e Detit Adriatik.

Megjithatë, pushuesit nga Kosova nuk ndihen të pasigurt, edhe pse disave prej tyre nuk u pëlqen mungesa e rojeve të shpëtimit, raporton KTV.

Plazhet private e ato publike, sipas ligjeve të Shqipërisë, janë të obliguar që të kenë kullën e vrojtimit dhe rojet e shpëtimit.

Eksperti i zhytjes në Kosovë, Ismajl Kasumi, thotë se për 50 vjet, sa ai merret me zhytje, nuk ka parë kaq shumë vdekje në ujërat e bregdetit shqiptar.

Krahas thirrjeve për kujdes nga pushuesit, ai kërkon nga pronarët e plazheve që të marrin masat e nevojshme, pasi aktualisht niveli i sigurisë në shumicën e plazheve në Shqipëri është i ulët.

E, sipas të parit të Unionit Turistik të Shqipërisë, Rrahman Kasa, Agjencia Kombëtare e Bregdetit duhet të mos mjaftohet me gjoba ndaj shkelësve të ligjit.

Pavarësisht kërkesës, Kohavisioni nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit lidhur me sigurinë në plazhe dhe masat ndëshkuese ndaj plazheve private që nuk kanë kulla vrojtimi edhe roje të shpëtimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu