Çavushogllu solli “selamin” e Erdoganit në Shkup

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka zhvilluar takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushogllu.

Në takim është theksuar përcaktimi i përbashkët për thellimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy vendeve.

Ministri i Çavushogllu ka thënë se Turqia mbështet qeverinë e re dhe përpjekjet e vendit për anëtarësim në NATO por edhe në BE.

Kryeministri Zaev nga ana tjetër ka theksuar se “qeveria e re mbetet e përkushtuar për të zbatuar reformat e nevojshme për integrimet euro-atlantike, të cilat njëkohësisht do të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë dhe shtetit juridik, si dhe jetë kualitative për të gjithë qytetarët”.

Maqedonia është mjaft e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit, por edhe më gjërë. Kështu deklaroi për mediat ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushogllu, pas takimit që pati me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov. Ministri i jashtëm Turk Çavushogllu, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e shtetit turk, se do të vazhdojë të mbështes Maqedoninë në çdo fushë, dhe veçanërisht në rrugën e anëtarësimin në BE dhe NATO.

“Turqia e mbështet Maqedoninë në çdo fushë dhe do të vazhdojë ta mbështes edhe në të ardhmen. Maqedonia më së shumti meriton integrimin në Bashkimin Evropian. Me çështje artificiale të tilla si çështja e emrit, i bëhet padrejtësi e madhe Maqedonisë. Në mënyrën më të fortë të mundshme do të përkrahim anëtarësimin në NATO dhe do të nxisim vendet të bashkëpunojnë. Siguria në Ballkan varet nga Turqia dhe Ballkani Perëndimor”, deklaroi Mevlut, Çavushoglu, ministër i Punëve të jashtme të Turqisë.

Shefi i diplomacisë turke tha se është kënaqësi e madhe që pas formimit të qeverisë së re, ai është ministri i parë i jashtëm që viziton Maqedoninë. Ndërsa nikoqiri i tij, Nikolla Dimitrov e vlerësoi si tepër të rëndësishme vizitën e homologut turk, pikërisht në 25 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të dy vendeve. Sipas Dimitrov, Maqedoninë dhe Turqinë nuk i ndajnë kufijtë, por raportet mes shteteve janë sikur mes veti kanë kufij të ndritshëm. Ai theksoi se homologun e tij e ka njoftuar për prioritetet e qeverisë së re.

“Për ne rruga që na pret është ndërtimi i një imazhi pozitiv për Maqedoninë të kthyer nga e ardhmja. Të ndërtojmë marrëdhënie që do të kontribuojnë për stabilizim të qëndrueshëm dhe prosperitet të rajonit, duke promovuar politika të mira fqinjësore. Me Turqinë ne nuk ndajmë kufij, por jemi sikurse ndajmë, është një kufi i hapur dhe i ndritshëm. Shpreha falënderime për mbështetjen e vazhdueshme dhe të nevojshme për Maqedoninë në Aleancën e NATO-s. Kjo mbështetje është e rëndësishme për ne, mbështetja e tyre pa mëdyshje është konfirmuar”, u shpreh Nikolla Dimitrov, ministër i punëve të jashtme të Maqedonisë.

Ndër të tjera, shefi i diplomacisë turke theksoi se komuniteti turk në Maqedoni është një urë e rëndësishme për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve.

Ministri i jashtëm turk Mevlut Çavushoglu, tha se me Maqedoninë kanë 460 milionë dollarë shkëmbim tregtar, ndërsa investimet turke në këtë shtet arrijnë dy miliard dollarë. Gjatë vizitës së sotme në Shkup, Shefi i diplomacisë së Turqisë u takua edhe me presidentin Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev, por edhe me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski. /TV SHENJA


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu