De Biasi godet lojtarët: Nuk po luani për flamur

Gianni de Biasi, selektori i Kombëtares, u ka mbajtur një fjalim lojtarëve pas humbjes nga Italia. Nisur nga largimi i Amir Abrashit dhe Tulantë Xhakës, italiani u ka thënë lojtarëve se më nuk po luani më për flamur

Një Kombëtare që luan për flamur. Një skuadër ku grupi vjen gjithmonë përpara individit. Ndoshta ky është elementi që Shqipëria ka humbur pas pjesëmarrjes historike në Kampionatin Europian. 

Kjo ka qenë arma më e fort e kuqezinjve: një ekip pa yje të nivelit botëror si Shqipëria, i kompesonte diferencat teknike me rivalët e mëdhenj falë forcës së grupit.

Një element tek i cili trajneri Gianni De Biasi është ndalur gjatë në analizën pas ndeshjes kualifikuese të Botërorit 2018, ku Shqipëria u thye 2-0 nga Italia, shkruan Super Sport.

“Nuk po luani më për flamur!”, ishin fjalët e strategut italian. “Kur kjo ndodh, jemi në gjendje të përballemi si të barabartë me çdo kundërshtar. Vetëm kështu i kemi arritur sukseset”, ka theksuar ai.

Deklaratë e drejtë për drejtë nga De Biasi. Një mesazh i qartë për të gjithë, se Kombëtarja vjen përpara çdo individi. Fjalë që lidhen edhe me largimet nga grumbullimi i Taulant Xhakës dhe Amir Abrashit.

Pikërisht sjellja e lojtarëve që nuk luajtën ndaj Italisë i ka lënë një shije të keqe trajnerit, i cili gjatë analizës u shpreh i kënaqur me paraqitjen e titullarëve, ndërsa e njëjta gjë nuk mund të thuhej për ata që qëndruan në stol.

De Biasi e justifikoi Abrashin me faktin që u paraqit i dëmtuar, ndërsa edhe pse Xhaka vendosi të kthehej në Bazel pa u konsultuar me askënd, trajneri e mbrojti publikisht duke thënë se mesfushori kishte probleme.

Veprimi i Xhakës nuk është pëlqyer brenda grupit, me një pjesë të madhe të lojtarëve që mbetën të befasuar nga vendimi i 25-vjeçarit. Kombëtarja kërkon të ndryshojë kurs në këto eliminatore dhe e kaluara e afërt mund ta ndihmojë. Skuadra duhet të ri gjejë kompaktësinë, shkëlqimin dhe sakrificën e edicionit të kaluar dhe të gjithë lojtarët të kujtojnë se Shqipëria vjen mbi gjithçka.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu