Deklaratat për Shqipërinë e Madhe, kërcënim apo zhgënjim nga izolimi?

Deklaratat e liderëve në Tiranë e Prishtinë për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, në rast se Bashkimi Evropian nuk i hap dyert shtetit të Kosovës, nga analistët politikë në Prishtinë po shihen si reflektim i zhgënjimit me politikat zgjeruese të BE-së dhe izolimin e krijuar si mungesë e liberalizimit të vizave.

Politologu Ramush Tahiri thotë se zhgënjimi me politikat e BE-së në raport me shqiptarët është i shtrirë jo vetëm te liderët, por edhe te popullata.

“Këto deklarata janë si zhgënjim me politikën e ngadalshme të zgjerimit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor dhe sidomos me politikën shumë prapa karshi Kosovës dhe mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Ky zhgënjim është edhe te populli i Kosovës dhe jo vetëm te liderët politikë. Është edhe te Shqipëria, sepse shqiptarët si populli më i deklaruar si pro-evropian, kanë pritur shumë gjatë për integrimet euro-atlantike”, ka thënë Tahiri.

“Për shkak të shtrirjes gjeografike dhe jetesës në pesë shtete të rajonit, integrimi në Bashkimin Evropian do t’u kishte krijuar shqiptarëve kushte të barabarta dheprosperitet”, thotë Tahiri.

Ndërkaq sa i përket bashkimit të shqiptarëve, ai thotë se nuk bëhet më fjalë për idenë e shekullit XIX, kur shqiptarët ishin ndarë dhe detyruar të jetonin në disa shtete.

“Ideja e unifikimit si shtet, tash është ideja e bashkimit në kuadër të Bashkimit Evropian”, thekson Tahiri.

“Edhe Edi Rama edhe Hashim Thaçi thjeshtë kanë trokitur në derën e Evropës, e cila po duket gjysmë e hapur dhe kanë kërkuar që të integrohet populli shqiptar kudo që është. Përndryshe alternativë mbetet jetesa në një shtet, i cili jo që do të bëhet praktikisht, jo që do të bëhet me dhunë dhe jo që do të bëhet si vullnet, por thjeshtë duhet ta ketë një alternativë”, ka thënë Tahiri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se mbyllja e dyerve për Kosovën në Bashkimin Evropian, do t’i detyronte ata që të jetonin në një hapësirë të vetme në rajon.

Reagimi i tij, pasonte deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE, venitet.

“Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani, nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane”, është shprehur Thaçi.

Ndaj këtyre deklaratave, ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Gjatë një konference për media në Beograd, ai ka thënë se ndryshimi i kufijve në Ballkan, nuk do të shpëtonte pa konflikte të reja në gjithë Ballkanin, duke i cilësuar ato si deklarata kërcënuese.

“Është e qartë se janë kërcënime, sepse nuk mund të arrini bashkimin e të gjithë shqiptarëve pa konflikte me disa shtete në rajon. Këtu nuk është në pyetje vetëm Serbia, është në pyetje edhe Maqedonia”, ka thënë Vuçiq.

Deklaratat e liderëve në Tiranë dhe Prishtinë kur flitet për bashkim, në Bruksel shihen edhe si dëmtim i raporteve të mira ndërmjet vendeve fqinje në këtë rajon.

Maja Kociançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka thënë shkurt për Radion Evropa e Lirë se Ballkani Perëndimor ka perspektivë të qartë evropiane dhe se në këtë drejtim punohet me të gjitha vendet partnere në rajon, bazuar në parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal.

Kosova, ka mbetur prapa në proceset integruese evropiane, si dhe shteti më i izoluar, dhe i vetmi në rajon pa liberalizimin e vizave.

Një gjendje e tillë, sipas analistëve, po i shton frustrimet dhe zhgënjimet, të cilat tani besohet se po reflektohen edhe në deklaratat e udhëheqësve të shtetit. /rel/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu