Dimri në kampin e improvizuar në Tabanoc, emigrantët këmbëngulin që të largohen drejt Europës

Kjo është vogëlushja 13 vjeçare nga Iraku, Mamura Isavi e cila po qëndron në kampin e improvizuar në Tabanoc. Ajo thotë se me vështirësi po e kalojnë dimrin pasi sipas saj, në kamp po bën shumë ftohtë. Dëshira e saj është që sa më shpejtë të shkojë në Gjermani dhe të fillojë një jetë të re në kushte më të mira.

“Ëndrra ime është që të shkoj në Gjermani dhe jo të qëndroj këtu, të kem shtëpi, mos të kem të ftohtë. Dua të shkoj në shkollë dhe të mësoj, të kem kushte të mira. Ju lutem më ndihmoni që të mos qëndroj më këtu sepse nëse qëndroj këtu nuk do mund t’i realizojë ata që i thash”, u shpreh ajo.

Edhe Ursim El Lasad nga Siria, në këtë kamp tanimë po qëndron gati se 1 vit. Ai thotë se nuk është i kënaqur nga kushtet e kampit.

“Këtu nuk është mirë dhe është shumë ftohtë. Asgjë këtu nuk është mirë dhe nuk e di se pse qëndroj këtu. Ne kërkojmë kërkojmë zgjidhje”, tha ai.

Koordinatori i kampit në Tabanoc, Goran Stojanovski theksoi se po bëjnë përpjekje maksimale që emigrantët ta kalojnë këtë dimër në kushte sa më të mira.

“Maksimalisht po mundohemi që të sigurojmë kushte më të mira për vendqëndrimin e refugjatëve këtu. Të gjitha hapësirat në të cilat janë të vendosur ata janë të ngrohta, ashtu që në objektet në të cilat janë të vendosur , po kujdesemi maksimalisht që ta kenë minimum 22 deri 23 gradë Celsius që të mund të funksionojnë normalisht”, tha Stojanovcski.

Sipas Stojanovskit, nga fillimi i vitit, numri i emigrantëve dhe refugjatëve në këtë kamp është rritur. Në vizitën e fundit të TV21 në këtë kamp, natën e vitit të ri, kishte gjithsej 68 emigrantë të cilët qëndrojnë këtu nga marsi i vitit të kaluar, ndërsa tani ky kamp numëron 102 emigrantë.

Përndryshe, euro deputetët në Parlamentin Evropian i bënë thirrje Bashkimit Evropian, qeverive të shteteve-anëtare të Unionit dhe vendeve ku ka refugjatë që urgjentisht të ndërmarrin masa dhe t’u vijnë në ndihmë emigrantëve dhe refugjatëve në këto temperatura të ulëta, duke i theksuar veçanërisht Greqinë, Maqedoninë dhe Serbinë./Zhurnal


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu