“Euronews”: Socialistët drejt fitores në Shqipëri. Mandati i tyre, jetik për drejtësinë dhe integrimin!

Në një artikull të publikuar përpara disa minutash, edhe gjigantja europiane e informacionit, “Euronews”, i bashkohet mediave që parashikojnë një fitore të pastër të Partisë Socialiste.

Sipas korrespondentit, që raportoi pasi qëndroi gjatë votimeve si vëzhgues në një pikë votimi në Kamëz, një mandat i fortë i PS do të jetë vendimtar për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, raporton lexo.al.

Ky është artikulli i plotë i “Euronews”:

Partia Socialiste në pushtet duket se është drejt fitimit të një mandati të dytë në Shqipëri, pasi pritet që ata të marrin midis 45-49% të votës popullore.

Nëse sondazhet paraprake do të konfirmohen, Kryeministri Edi Rama do të vazhdojë të drejtojë vendin, por këtë herë ai nuk do të ketë nevojë për të bërë koalicion, pasi do të ketë më shumë se 71 mandate në Parlamentin prej 140 vendesh.

Sipas të njëjtave sondazhe, Partia Demokratike në opozitë pritet të grumbullojë rreth 34% të votave.

Pjesëmarrja këtë herë ka qenë e ulët, rreth 10% më e ulët se katër vjet më parë, e kjo i detyrohet në një masë të madhe festës së Ramazanit, që festohet gjerësisht në këtë vend me shumicë muslimane.

Të dy partitë kryesore në vend nënshkruan së fundmi një marrëveshje midis tyre, me qëllim garantimin e një anëtarësimi sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Europian.

Një mandat i fortë për socialistët do të lejojë zbatimin e reformës jetike në drejtësi, e cila konsiderohet nga Brukseli si vendimtare për hapjen e procesit të bisedimeve.

Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është gjithashtu një kusht thelbësor për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë, një vend me 2,9 milionë banorë, që është prej disa vitesh anëtare e NATO-s.

Artikulli origjinal i “Euronews” – http://www.euronews.com/2017/06/25/albanias-socialists-set-for-election-win?utm_term=Autofeed&utm_campaign=Echobox&utm_medium=Social&utm_source=Twitter#link_time=1498426856


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu