Flet Berisha: Si u ndjeva kur votova ‘pro’ qeverisë ‘Rama’

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në studion e gazetares Eni Vasili në “News 24” për votimin e qeverisë teknike të drejtuar nga Edi Rama.

“Nuk e kisha menduar të votoja një qeveri “Rama”. Megjithatë u ndjeva i kënaqur sepse ishte kurorëzim i marrëveshjes. Një protestë e gjatë, por e rrallë, paqësore dhe civile solli këtë marrëveshje.

Mos harroni se duke vlerësuar marrëveshjen unë mund të them se Rama më ngjiste me kapitenin që i ishin mbytur gjemitë. Ai kishte marrë një varkë për të dalë në breg. E humbi edhe atë varkë dhe shpëtoi vetëm për vete në breg.

Marrëveshja ishte një arritje personale e Ramës. “Shpëto atë që mundesh” thonë francezët. Ai nuk hyri në histori si njeriu që do të bënte zgjedhje moniste.

Është e vërtetë që Rama mbeti kryeministër. Është e vërtetë që zgjedhjet nuk u shtynë, por paketa McAllister u dyfishua. Unë nuk e quaja të favorshën zgjedhjet në korrik”, – tha Berisha.

Ish-kryeministri Berisha ka rrëfyer hapur se ishte qeveria amerikane ajo që detyroi kryeministrin Rama dhe kreun e opozitës Basha për të gjetur një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike.

Berisha tha hapur se, ishte zv.sekretari amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee që bindi Ramën dhe Bashën.

“Ndikim për marrëveshjen pati përfaqësuesi i qeverisë amerikane, Hoyt Yee. Tek të dyja palët. Zotëria thelbin e tha te mediat. Pasi ua tha juve na e tha dhe neve. Ai tha: “Ne i njohim opozitës denoncimin drogës dhe korrupsionit, por ne nuk jemi të bindur te motivet e opozitës për bojkotin e zgjedhjeve”.

Ky shtroi këtë platformë. Bazuar në këtë platformë u takua me Ramën. Bazuar në këtë platformë i tha Ramës se opozita ka arsye të saj për zgjedhjet dhe ti duhet të gjesh marrëveshje. U takua me Lulzim Bashën dhe i tha “Ti’ njohim çfarë ke bërë, por jo këtë të zgjedhjeve” ,– tha Berisha.

“Yee ndenji 90 minuta me Ramën. Pastaj u takua me Bashën. Foli dhe me mua në telefon. Kur opozita deklaroi se do ta pranonte këtë marrëveshje. Kjo e kapi Ramën në befasi.

Çfarë ndodhi nga takimi i Elbasanit deri në takimin e partive të vogla nuk keni për ta marrë vesh. Për t’i bërë presion një qeverie “që nuk t’i njoh zgjedhjet” është e lehtë. Edi Rama kur kaloi tunelin e Elbasanit sikur kaloi ylberin. Sepse në fillim ai i çonte SMS Metës dhe Idrizit të mos shkonin dhe në fund shkoi vetë të gjente marrëveshjen”– tha Berisha.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu