Gacov: Të ndalet rritja joreale e pensioneve (VIDEO)

Më shumë se gjysma e parave që nevojiten për pagesën e pensioneve gjatë vitit varen nga buxheti shtetëror. Fondi për Sigurim Pensional sivjet duhet të pranojë nga shteti injeksion financiar prej 452 milion euro që të mund t’ua paguaj pensionet mbi 300 mijë pensionistëve. Problemi kryesor qëndron në atë se kjo varshmëri për çdo vit është gjithnjë e më e madhe ndonëse të ardhurat shënojnë rritje. Analisti ekonomik, Pavle Gacov, doli me qëndrim se njëra nga arsyet për këtë problem është rritja joreale e pensioneve gjatë periudhës së kaluar.

Të pushohet me rritje populiste, nuk ka nevojë për diçka të tillë, mendoj se kjo mori fund. Çdo gjë tjetër do të ishte vetëm politikë e keqe që do të rezultojë me shkatërrim të sistemit- tha analist ekonomik Pavle Gacov.

Zgjidhjet më shpesh të përmendura për shpëtimin e Fondit për SPIM nga shkatërrimi financiar janë rritja e kontributeve dhe shtyrja e kufirit të moshës për pensionim. Sipas Gacovit, është e mundshme edhe një zgjidhje tjetër e cila megjithatë do të ishte në barrë të biznesit.

“Një pjesë e barrës mund të bartet në biznesin, në mënyrë të matur, të pakonsiderueshme, të mos jetë barrë e rëndësishme, mirëpo mund të tentojë me njëfarë norme minimale të jepet mbështetje nga biznesi ndaj këtij Fondi pensional. Mund të vendoset edhe përmes produkteve të akcizës një farë forme e taksës publike që do të shkojë në fondin pensional, etj- sugjeroi Pavle Gacov.

Në programin qeveritar të LSDM-së shkruan se do të stabilizohet Fondi Pensional, por nuk janë përmendur masa dhe reforma konkrete për realizimin e këtij qëllimi. Sivjet për pensione do të shpenzohen mbi 800 milion euro, ndërsa pensioni mesatar në shtet arrin thuajse 14 mijë denarë.