Gjuha e urrejtës në Maqedoni, kërkohen masa konkrete (Video)

“T’i përshëndes mbrojtësit, kjo natë është nata e thikave, kjo natë është ose nata e arsyes ose e çmendurisë së një personi”, u shpreh Valentina Bozhinovska, drejtore e Komisionit për Marrëdhënie me komunitetet fetare.

“Nata e thikave të gjata” në të cilën u thirr drejtorja e Komisioni për marrëdhënie mes komuniteteve fetare, Valentina Bozhinovska është vetëm njëri nga shumë rastet kur personalitetet publike nxitën urrejtje dhe diskriminim që çon drejt dhunës, ndërsa asnjëherë nuk u përgjigjën para organeve të drejtësisë. Ekspertët kërkojnë nga qeveria e re që urgjentisht të ndërmerr masa për ta neutralizuar gjuhën e urrejtjes, pasi dëmet nga e njëjta janë të mëdha.

”Përdorimi i saj në ngjarje publike, media, rrjete sociale është diçka që mobilizon; që helmon mendjen e lexuesve, të publikut të atyre rrjeteve sociale, që i formon qëndrimet e tyre, që i nxit në dhunë, krijon stereotipe dhe si e tillë është shumë e rrezikshme. Ajo e kufizon indin shoqëror të kohezionit, mirëkuptimit dhe kompromisit, veçanërisht të nevojshme për shoqëri shumë-etnike siç është e jona” – deklaroi Marko Troshanovski, komunikolog.

Troshanovski dhe komunikologu, Sefer Tahiri kërkojnë nga institucionet kompetente të përmbushin obligimet ligjore.

”Vlerësoj se prokurori i ri duhet patjetër një ndër prioritetet e veta ta ketë luftimin e gjuhës së urrejtjes, përkatësisht ushtrimin e kompetencave ligjore të cilat i ka në dispozicion për të reaguar dhe sanksionuar gjuhën e urrejtjes, që manifestohet në mënyra të ndryshme. Nga ana tjetër vlerësoj se shumë i rëndësishëm është roli i Agjencisë së Mediave dhe Shërbimeve audio-vizuale mediatike, që duhet patjetër në mënyrë ditore, javore të reagojnë” – për Alsat-M u shpreh Sefer Tahiri, komunikolog.

Tahiri thotë se Këshillit i Etikës në Media do të krijojë një mekanizëm vetë- rregullues që të reagojë ndaj mediave që promovojnë gjuhën e urrejtjes. Përfaqësuesi i grupit të deputetëve të LSDM-së garantoi se së shpejti do të miratohet ligj i veçantë që do ta rregullojë këtë çështje.

”Kemi strategji. Gjuha e urrejtjes është një nga problemet më serioze, që do të jetë pjesë e projekteve që në bashkëpunim me Fondacionin WestMinster nga Britania e Madhe, do të realizohen në Kuvend. Seriozisht mendojmë që kjo çështje me kalimin e kohës të bëhet pjesë e një ligji të veçantë, pra të ketë dispozita të veçanta ligjore. Dhe një aktivitet në kuadër të kësaj është intenca e Kryetarit të Kuvendit t’i hapë dyert e Kuvendit jo ashtu siç u hapën më 27 prill, por për publikun. Pra përfaqësues të publikut të marrin pjesë në seanca, të shohin se debati në seancë nuk është grindje, nuk është urrejtje.”

Kodi Penal e përcakton gjuhën e urrejtjes si vepër penale, e cila dënohet me burg, por Prokurori Publik Marko Zvërlevski asnjëherë nuk ka ngritur procedurë ndaj ndonjë personaliteti që ka përdorur gjuhën e urrejtjes, madje disa e kanë bërë në mënyrë eksplicite./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu