Gruaja e Lulit të UÇK-së: Kjo është jeta ime bashkëshortore

Çdo herë janë parë së bashku. Madje nuk hezitojnë që rrugës të ecin edhe dorë për dore, gjë që nuk e bëjnë të gjithë liderët e partive politike në Kosovë.

Por kryetari i PDK-së Kadri Veseli çdo herë e ka në krah bashkëshorten e tij Violetën.

Përveç se është vlerësuar si tërheqëse dhe që vishet bukur, shumë pak dihet se kush është bashkëshortja e Kadri Veselit.

Çka bën, çfarë profesioni ka, kur është martuar dhe detaje tjera. Të gjitha këto gruaja e të parit të Kuvendit i ka treguar në një intervistë ekskluzive për KosovaPress.

Që nga martesa e deri te dhurata e fundit që ia ka dhuruar i shoqi.

Vajza nga Llapi që u bë nuse Mitrovice tregon edhe për takimin e parë me burrin e saj të ardhshëm që në atë kohë e njihte vetëm me nofkën “Luli”.

Pas lidhjes , Kadri dhe Violeta Veseli janë martuar në vitin 2002 me një dasmë tradicionale me miq të shumtë, të cilët kryesisht ishin shokë të luftës të dhëndrit të ri.

Veseli: Martesa mbetet një ditë e veçantë e imja

“Kemi pasur miq të përbashkët, përmes të cilëve edhe jemi njohur edhe qysh në fillim u kriju një lidhje e fortë. Jemi martuar në vitin 2002 kemi bërë një dasëm tradicionale gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje sigurisht me familjarët kemi pasur të ftuar miq të Kadriut që kryesisht kanë qenë edhe shokë të luftës, familje të dëshmorëve ka pasur shumë. Sigurisht kjo mbetet një ditë e veçantë e imja”, tha Veseli.

Nëna e tre djemve dhe një vajze jep gjermanisht në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. Arsyeja pse ka studiuar gjermanishten Violeta thotë se ia ka përmbushur ëndrrën e babait të saj

Veseli: Ky profesion më përmbush

“Ky është profesioni mund të them i zemrës sime që më përmbush. Punoj qe gjashtë vite, viti i katërt është në gjimnaz ndërsa dy vite tjera kam punuar në një shkollë private”, tha Veseli.

Ndonëse Kadri Veseli ka qenë njëri ndër njerëzit e parë të UÇK-së dhe një kohë të gjatë ka qenë shef i shërbimit Informativ të Kosovës ai nuk është komandant në shtëpi.

Sipas Violetës në shtëpinë e tyre secili e ka rolin e vet ndërsa thotë se ai që është më toleranti është Kadriu.

Veseli: Është më toleranti në familje

“Nëse mund ta quaj mangësi është më toleranti në familje sidomos me fëmijët. Është njeri që e shpreh dashurinë në mënyrën e tij, që mua më pëlqen, nuk dhuron shpesh lule por tregon në vazhdimësi mbështetjen, respektin dhe përkrahjen e tij”, tha Violeta.

Sa i përket kuzhinës Violeta zbulon se burri i saj nuk është aq i zoti në gatim por ato që din t’i bëjë i bën mirë.

“Nuk është që shquhet për gatimin por nuk është prej tipave që nuk e hap frigoriferin edhe s’gatuan, s’përgatit diçka të shpejtë. Për shembull vezët, ndonjë sandëiç, pastat nganjëherë”, thotë ajo ndërsa tregon se nuk e konsumojnë kafenë fare.

“Jo asnjëherë sepse s’jemi konsumues të kafesë, por çajin po, zakonisht çaj mali”, tha Veseli.

Dhurata e fundit që ka marrë nga bashkëshorti është një stilolaps ndërsa thotë se dhurata më e mirë për të janë katër fëmijët.

“Dhurata e tij e fundit është një stilograf që ma ka dhuruar me një dozë shakaje duke më thënë t’i mbyll notat me të. Por dhurata ime më e mirë, sot dhe përgjithmonë është jeta jonë e përbashkët me fëmijët tanë, ky është bekimi im më i madh”, tha Veseli.

Ajo tregon edhe se sa vështirë është që të jesh gruaja e një politikani por edhe është një krenari sidomos kur vlerësohet për punën që bën.

Veseli: Vlerësimi i përkushtimit të tij mburrja ime më e madhe

“Është një ndjenjë e përzier, nuk është e lehtë mungesa për shkak të angazhimeve të tij orareve të gjata në punë, pastaj nuk është e lehtë as ballafaqimi me opinionin publik kur shoqërohet edhe me fyerje. Të humb jeta private. Por që mbase ky është çmimi. Në anën tjetër është lehtësuese kur të tjerët e vlerësojnë përkushtimin e tij për vendin, ajo është mburrja ime më e madhe”, tha Veseli.

Violeta, tregoi që është një përpjekje e vazhdueshme nga ajo dhe Kadriu që të shmangin bisedat rreth politikës në shtëpi, megjithatë ajo tha se e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështes për aq sa mundet edhe pse karrierat i kanë të ndryshme.

Veseli: Politikë në shtëpi, pothuajse asnjëherë

“Jetën e tij politike mundohemi sa më shumë me mbajt larg jetës private, mundohemi që brenda mureve të shtëpisë t’i shmangim bisedat rreth jetës së tij institucionale. Politikë pothuajse asnjëherë. E mbështes, e kam mbështetur në fakt edhe e mbështes për aq sa mundem dhe di, karrierat i kemi zhvilluar në mënyra të ndryshme, por që mundohemi ta ndihmojmë njëri tjetrin në vazhdimësi”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe bashkëshortja e tij Violeta Veseli kanë tre djemtë Klestorin, Lirin dhe Yllorin, dhe vajzën Rritën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu