Haradinaj: Serbinë e kemi armike – kush s’na njeh, s’e njohim

I nominuari i koalicionit PDK-AAK-Nisma për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka folur për qasjen që do ta kishte Kosova ndaj Serbisë, në rast se ai bëhet shef i ekzekutivit pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë në një intervistë në RTK se Serbia s’mund të konsiderohet assesi si partnere e Kosovës, pasi që ajo, siç ka thënë ai, është armike.

Ai ka theksuar se Serbia po e pengon Kosovën në rrugën drejt zhvillimit.

Haradinaj ka porositur Bashkimin Evropian që të reflektojë dhe të ripërcaktojë qëndrimin karshi Serbisë, raporton Gazeta Express.

“Nëse e lejojnë Serbinë të avancojë drejt BE’së me pengime, Brukseli po gabon”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka vlerësuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’ia korrigjojnë Brukselit ato që ai i ka quajtur gabime të BE’së.

“Qasja e BE’së ndaj Serbisë është e gabuar”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se duhet të ketë fillimisht dialog mes shqiptarësh para se të rifillojnë bisedimet e Kosovës me Serbinë.

“Serbinë e kemi armike, ka sjellje armiqësore, politika armiqësore”, ka kujtuar Haradinaj.

“Dialogu është për njohje…. Kush s’na njeh, nuk e njohim”, ka thënë kreu i AAK’së.

Ai ka kritikuar qëndrimin e përfaqësuesve të deritashëm të Kosovës në bisedimet me Serbinë, dhe ka thënë se kryeministri në largim i Serbisë, njëherësh president i zgjedhur i vendit, Aleksandar Vuçiq, “duhet të vijë kokulur në takim me shqiptarët, sepse s’ka kërkuar falje” për krimet në Kosovë.

Haradinaj po ashtu ka folur edhe për Ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Ai ka thënë se Ushtria bëhet brenda 90 ditësh nga fillimi i punës së Qeverisë.

Kreu i AAK’së gjithashtu i është kundërpërgjigjur Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi kjo e fundit e akuzoi atë për shantazh e kërcënime ndaj zyrtarëve të administratës shtetërore.Haradinaj ka thënë se LDK po e shfrytëzon deklaratën e tij për ta frikësuar administratën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu