Hetimi ndërkombëtar për Kumanovën, ja çka pritet të dal në shesh nga skenari i 9 majit

Qeveria e re do të kërkojë hetim ndërkombëtar për rastin e Lagjes së Trimave të Kumanovës të 9 majit të 2015, kur për dy ditë ndodhi përleshja me armë mes njësiteve speciale të MPB-së dhe një grupi të armatosur i përbërë kryesisht nga ish-veteranë të UÇK-së.

Hetimi ndërkombëtar pritet të zbulojë shumë detaje për këtë rast, duke nxjerrë në sipërfaqe implikimin e strukturave të larta të sigurisë të qeverisë së kaluar.

Një zyrtar i lartë i Qeverisë së re thotë për INA se gjithçka do të zbardhet përmes hetimit ndërkombëtar dhe se do të ketë rigjykim të rastit.

“Ka pasur një super-strukturë paralele në shtet që ka kontrolluar gjithçka dhe për të ka qenë në dijeni vetëm një rreth i ngushtë. Më pas aty ka pasur implikime edhe të disa agjentëve, që kanë qenë zbatuesit e skenarit. Por që gjithçka do të dal nga hetimet që do të duhet të bëhen në mënyrë të pavarur, sepse ka dëshmi autentike, xhirime, të dhëna shumë të favorshme që do të zbulojnë të vërtetën”, thotë zyrtari i lartë i Qeverisë.

Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski dhe ai i drejtësisë, Bilent Saliji paralajmëruan hetimin shtesë ndërkombëtar.

“Rasti i Kumanovës tanimë ka marrë rrugë gjyqësore, ndërsa qeveria e re do të marrë detyrë të iniciojë hetim shtesë ndërkombëtare, me qëllim që opinioni ta dijë të vërtetën”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Agjentët e paprekshëm

Agjentët e dyshuar në rastin e “Lagjes së Trimave” të Kumanovës janë të paprekshëm, edhe pse të akuzuarit kanë piketuar emra të caktuar, ndërsa kjo është bërë e ditur edhe përmes bisedave të përgjuara, që u lansuan në rrjetet sociale.

Para se të ndodhte sulmi në Goshincë të Likovës e që javë më pas pasoi me përleshjen e armatosur në Kumanovë, ish gjenerali i policisë në vitin 2001, Stojançe Angellov kishte paralajmëruar një skenar. Angellov pretendonte se për realizimin e tij janë dhënë 2 milion euro, por pa potencuar emra nga kush dhe për kë.

“Dikush në shtetin tonë ka përgatitur një plan monstruoz për të nxitur përleshje ndëretnike në Maqedoni. Të gjithë e dini se para një muaji kishte kumtesë të UÇK-së të cilët përsëri u kërcënuan. Kam informacione se i janë dhënë 2 milion euro disa shqiptarëve të cilët nuk kanë lidhje me UÇK -në, janë kriminel të cilët sot gjenden në rajonin e Likovës – pati deklaruar ish gjenerali Stojançe Angellov në prill të 2015-tës.

Në vazhdën e seancave gjyqësore për rastin Lagja e Trimave, të akuzuarit në dëshmitë e tyre përmendën disa emra të pjesëtarëve të policisë sekrete të Maqedonisë. Sipas tyre, qasja e agjentëve ka qenë jashtë kompetencave dhe se kanë luajtur rol konstruktiv në realizimin e skenarit.

Lidhur me këtë, juristi dhe njohësi i çështjeve të sigurisë Zvonko Davidoviç pohon se për rastin e Kumanovës, shërbimet në vend duhet të japin përgjegjësi apo iniciohen hetime të reja lidhur me rolin e shërbimeve të sigurisë për këtë rast.

“Duhet të vërtetohet edhe përgjegjësia e shërbimeve, pasi që në publik gjatë kohë flitet se edhe shërbimet tona në mënyrë jo aktive kanë marrë pjesë në këtë vepër, nënvizoi juristi Zvonko Davidoviç.

Prokuroria Publike nuk shpjegon nëse posedon informacione për përfshirje të mundshme të policëve në rastin e Kumanovës. Nga ky institucion hetues thonë se nuk do të komentojnë asgjë derisa rasti është në procedurë gjyqësore.

As nga ministria e Brendshme nuk shpjegojnë nëse Kontrolli i brendshëm i këtij dikasteri do të nis procedurë për të hetuar punën e agjentëve sekret të cilët kanë punuar në rastin e Kumanovës, që nga informacionet e para në terren dhe deri tek arrestimi i tashmë të akuzuarve, shkruan Ina.

Në seancat e deritanishme gjyqësore, të akuzuarit në dëshmitë e tyre kanë përmendur disa emra të agjentëve me të cilët kanë pasur me ta kontakt. Por ata nuk janë thirrur si dëshmitarë apo në cilësi të tjera që janë të njohura për të dëshmuar për rastin e 9 majit të 2015 që tmerroi lagjen shqiptare në Kumanovë./Ina-online.net


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu