Historia e përplasjes mes Haradinajve e Thaçit dhe takimi i së enjtes

Duke parë kundërshtimin e LDK-së me partnerët e saj, dhe Vetëvendosjes, Ramushi me vëllanë Dautin, ia “falën”, të gjitha Hashim Thaçit, dhe duke e ditur që mandatimi për kryeministër është në dorën e tij, ata të Enjten iu ‘dorëzuan’ presidentit, duke harruar akuzat dhe dyshimet që kishin drejtuar ndaj tij, pasi për Ramushin vetëm një gjë është me rëndësi tani, ta realizojë përsëri ëndrrën e tij, të jetë edhe njëherë kryeministër, pa marr parasysh çmimin!

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë ditës së Enjte është takuar me presidentin aktual të vendit, Hashim Thaçin. I gjithë ky takim, u bë me synimin që të dakordohen për mandatimin sa më të shpejtë të Ramush Haradinajt për kryeministër nga Thaçi, president i vendit.

Por, Thaçi pas takimit nuk ka dhënë asnjë deklaratë për media, duke lënë enigmë detajet e këtij takimi.

Por, për dallim nga Thaçi, Ramush Haradinaj, si duket i ekzaltuar për takimin me Thaçin, ka zbuluar detajet e këtij takimi.

“Po besoj shumë shpejt, pra menjëherë në javën që vjen, sepse nuk kemi nevojë me hup shumë kohë. Janë ato procedurat e sekretariatit të Kuvendit që duhet t’i kryej, me i regjistru deputetët, por jam i interesuar mos me humbë kohë. Ju e dini interesimin tonë që edhe qeveria të votohet menjëherë, pra të mos vonohet. Nuk arritëm te një vendim i qartë, por ishte në atë interesim që me u pa me bisedu se kur dhe si do të mund të thirret seanca”, është shprehur Haradinaj.

Së bashku në këtë takim, Haradinaj me vete kishte marrë edhe vëllanë e tij, Dautin. Në kushte normale ky takim nuk do të zgjonte aspak kureshtjen. Por duke pas parasysh që bëhet fjalë për Thaçin e dy vëllezërit Haradinaj, atëherë patjetër që na zgjon kureshtjen se çfarë mund të ketë qenë arsyeja e këtij takimi, mes njerëzve që dikur ishin miq, por që u shndërruan në armiq të mëdhenj.

Haradinajt: SHIK-u organizatë kriminale

Nëse kthejmë pak kohën mbrapa, para nesh do të na shfaqen përplasjet dhe akuzat që të dy palët që sot u takuan si “miq”, dikur kishin bërë ndaj njëri tjetrit. Përveç ndaj Thaçit, dy vëllezërit Haradinaj, Ramushi dhe Dauti, akuza kishin edhe për pasardhësin e Thaçit në PDK, tash partnerin e Haradinajt, Kadri Veselin dhe organizatën “kriminale” të tij, siç e quanin Haradinajt SHIK-un. Po ashtu, akuza kishte edhe ndaj “ish shefit të shefave”, siç e quante veten, Adem Grabovci, e të cilin tash, Ramushi si duket e ka bërë një mik, gjë që u dëshmua edhe me prezencën e tij në dasmën e djalit të këtij të fundit, Ngadhnjimit, apo gangsterit që alivanosi për vdekje një pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Por si qëndron historia mes Haradinajve, Thaçit, Veselit e SHIK-ut e si erdhi deri te takimi i djeshëm?

Edhe pse kishin qenë së bashku në luftë, vazhdimisht kishte pasur përplasje mes dy vëllezërve Haradinaj dhe Hashim Thaçit, por kulmi i prishjes mes tyre kishte arritur më 29 nëntor të vitit 2012, kur Thaçi ia kishte shtruar të ‘famshmin’ tepihun e kuq, Ramush Haradinajt, kur ky po kthehej si i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, ku ishte akuzuar nga kjo Gjykatë për krime lufte.

Ramush Haradinaj, si duket nuk u mjaftua me tepihun e kuq. Dëshironte më shumë, postin e kryeministrit, post të cilin në atë kohë e mbante Thaçi, e të cilin nuk e lëshonte me asnjë kusht. Dhe, në njërën nga debatet në vitet e mëvonshme në Kuvendin e Kosovës, Thaçi zbuloi se arsyeja e prishjes me Haradinajn, ishte posti i presidentit.

“Do të doja ta qartësoja z. Haradinaj sa i përket tepihut të kuq. Realisht unë e çmoj gatishmërinë që e ka tregu z. Haradinaj m’u ballafaqu me drejtësinë – i ka dalë mirë edhe atij, edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, edhe Kosovës. Mirëpo, pastaj në momentin që mendove se duhet me ardh edhe në Zyrën e Kryeministrit (të bëhesh kryeministër)…, qaty ti e din…”, kishte thënë Thaçi, duke konfirmuar dëshirën e madhe të Ramushit.

“Lufta mes Adem Grabovcit e Ramush Haradinajt”

Historia e përplasjes mes Haradinajve, Thaçit, Veselit, e SHIK-ut kishte filluar edhe para historisë së tepihut të kuq.

Kujtojmë vitin 2009, kur Ramush Haradinaj, akuzonte rëndë “shefin e shefave”, atëherë Zëvendësministër i Transportit në qeverinë Thaçi, Adem Grabovcin.

Akuzat e Haradinajt, ishin se nga Ministria e Transportit financohet SHIK-u, njerëzit e PDK-së që shkojnë për të krijuar shantazhe ose të ndërmarrin veprime nga këto para, ku Adem Grabovcin e konsideronte si arkëtar të SHIK-ut.

“Adem Grabovci është i ngarkuar nga qeveria për t’i paguar këto grupe për t’i krijuar epërsi PDK-së dhe për t’i shkaktuar dëme partive tjera politike në vend”, ishte shprehur në atë kohë Ramush Haradinaj.

E kundërpërgjigjja e Adem Grabovcit, ishte një goditje për Ramushin. Përmes një letre, “shefi i shefave”, Haradinajn e akuzonte për njollosje të luftës së UÇK-së, uzurpues, kontrabandim mallrash nga Serbia, bos i lojërave të fatit dhe kazinove.

“Ramushi tenton të më njëllos edhe në këtë fushë, unë, Adem Grabovci, për hir të së vërtetës dhe interesit publik i bëj thirrje Ramushit të bëhet burrë dhe të ballafaqohet në debat publik drejtpërsëdrejti për të qartësuar të gjitha çështjet e ngritura dhe ato që do t’i ngris: 1. Kush e ka dëmtuar imazhin e UÇK-së pas luftës duke bërë kërkesa, kërcënime dhe nxjerrë fitime për interesa personale? 2. Ramush, prej nga e arrite pasurinë marramendëse personale? – shtëpinë disamilionëshe në Prishtinë, – banesën dykatëshe në Prishtinë, – banesën në Prizren, – banesën në Tiranë, – banesën në Durrës, – villat në Durrës, në Brezovicë, – pronat disamilionëshe në Dukagjin, – tokat në Miradi, – kullat disamilionëshe në Glloxhan, – dy villa jashtë shtetit, në Monte Karlo dhe në Dubai. Duhet t’i dëshmosh pronësitë e tyre në detale. 3. Ramush, ke uzurpuar dhe ke përvetësuar në emër të luftës: – shtëpinë në Pejë – banesën në Prizren – truallin e çerdhes së fëmijëve në Dragodan – pompat e benzinës dhe shumë të tjera. 4. Ramush, ti personalisht kontrollon lojërat e fatit dhe bizneset e Casino-s! 5. Reketi dhe zhvatja e bizneseve lidhet me emrin tuaj. Keni përmendur ndihmën e bizneseve vendore. Dokumento qoftë edhe një donacion të evidencuar në këto firma pranë Administratës Tatimore të Kosovës për 10 vitet e pasluftës në Kosovë (hiq fondin tuaj për Hagë). 6. Me fondin tuaj për mbrojtje keni blerë toka e troje për qëllime personale. A është e drejtë kjo? 7. Jeni involvuar në kontrabandim mallrash që vijnë nga Serbia në veri të Kosovës dhe në shumë shtete të tjera. Ka edhe shumë çështje të tjera që dëshiroj t’i diskutojmë në debat drejpërsëdrejti me ju dhe që janë me interes publik. Keni ngritur akuza ndaj meje. Unë ju ftoj në debat qytetar”, thuhej ndër tjera në letrën e Grabovcit. Por ky debat i ftuar nga Grabovci nuk gjeti përgjigjie nga Haradinaj.

SHIK-u në shërbim të PDK-së

Dy vëllezërit Haradinaj, nuk i ndalën asnjëherë akuzat ndaj SHIK-ut, që udhëhiqej nga Kadri Veseli, e ku kjo organizatë në shumë raporte ndërkombëtare është raportuar që është nën shërbim të PDK-së, parti kjo që dikur udhëhiqej nga Hashi Thaçi.

Ramushi, SHIK-un e Kadri Veselit, e bënte përgjegjës për akuzat e drejtuara ndaj tij, për haraç, fajde dhe krim, duke thënë se SHIK-u ishte vazhdimisht aktiv kundër AAK-së. Madje, pjesëtarët e SHIK-ut, Ramushi i quante edhe spiunë të UÇK-së.

“Ish-SHIK-u i PDK-së ka qenë aktiv. Edhe SHIK-at e partive tjera kanë qenë aktive. Kam qenë pjesëtar i UÇK-së kemi pas një organizatë G2. Ata kanë qenë si me thënë spiunët e UÇK-së por nuk ka pas punë sepse nuk kemi pasë cka të shpiunojmë armikun sepse e kemi parë. E kemi parë sa tenka i ka. Krejt populli ish aty. Pas luftës, ekzistenca e këtyre mekanizmave disi është e çuditshme. Unë po ju them e kam një aspekt personal, unë i kam vuajtë dëmet e kësaj organizate pas lufte. Në mënyra të ndryshme na kanë diskredituar dhe në mënyra të ndryshme kemi rënë në kurthet e tyre”, ishte shprehur Haradinaj në njërën nga intervistat e tij televizive.

Ramushi, e akuzonte këtë organizatë, që e udhëhiqte Kadri Veseli se kishte punuar vazhdimisht për dëmtimin e imazhit të tij. “Ka pasur një fushate hershme e denigrimit të integritetit tim. Një kohë këtë e ka ba SHIK-u me mënyrën më të organizuar, ndoshta edhe oponent të tjerë”, kishte deklaruar Haradinaj.

Haradinaj, mllefin ndaj SHIK-ut dhe ish udhëheqësit të saj, Kadri Veselit e kishte shprehur edhe kur e mori edhe postin e deputetit.

“Kapi këta horra kryetar e qu nga këtu”, kishte thënë Haradinaj në njërën nga seancat e gazit në Kuvendin e Kosovës.

Akuzat ndaj SHIK-ut i kishte vazhduar edhe vëllai i Ramushit, Dauti, i cili këtë organizate e kishte për përgjegjës për të këqijat që i janë veshur familjes së tij.

Ai thoshe se SHIK-u, si organizatë kriminale, nuk ka lënë shpifje pa bërë për të dëmtuar familjen Haradinaj dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn.

“Duhet me kuptu edhe SHIK-ut që ju kanë ra dhëmbët, se populli e ka kuptu të vërteten dhe ajo organizatë kriminale që ka sundu këtë vend nëntokë që sa vite nuk mundet më me këto spekulime, se populli i ka qel sytë. Na kanë lodh që 17 vjet me të njëjtat pallavra”, thoshte Dauti, vëllai i Ramush Haradinajt.

Akuzat dhe dyshimet e Daut Haradinajt ndaj Hashim Thaçit

Dauti, nuk ishte ndalur këtu. Ai, pas ndalimit të Ramushit në Francë, me urdhërarrest të Serbisë, kishte ngritë dyshime mbi Hashim Thaçin, president i vendit.

“Hashim Thaçi mbërriti në Amerikë edhe me 21 Korrik 2010 kur u thirrë Ramushi në rigjykim në Hagë. A mos po na thotë diçka prap? Hashim mos e harro darkën e 13 Dhjetorit 2010 kur folke Dik Marti në Restorant Puro? Çka të duash bëj, por e vërteta është e vërtetë. Kosova është më e madhe se ti”, kishte shkruar Dauti, duke akuzuar hapur Thaçin se ka gisht në ndalimin e Ramushit në Francë.

E në këtë debat ishte involvuar edhe gruaja e Ramush Haradinajt, Anita, e cila Thaçin e quante si njeri i shantazhuar.

““Çlirimtaret mund te ndalen neper Aeroporte, por nuk mund te ekstradohen ne Serbi!!!” Kështu deklaroi ne debat Presidenti Patjetër që Çlirimtaret ndalen neper aeroporte kur vendi i tyre udhëhiqet nga njerëz të shantazhuar dhe te nënshtruar si Ju!!!”, kishte shkruar Anita, në reagimin e ashpër drejtuar Thaçit.

Por tash, kur Haradinaj u bashku me Veselin, me synimin për të marrë postin e kryeministrit, tashmë këto si duket janë harruar! Tashmë Haradinajt nuk e përmendin SHIK-un më, ata tashmë janë në koalicion me SHIK-un. Madje, Ramushi me ish kreun e SHIK-ut, tashmë kanë filluar të shkojnë edhe në dasma, të atyre për të cilët kishin akuza të rënda, siç është rasti me Adem Grabovcin, e ku të lartpërmendurit u panë në dasmën e djalit të “të shefit të shefave”, personazhit të shumëpërfolur të aferave “Pronto 1 dhe Pronto 2”

Por, bashkimi me SHIK-un, rezultoi i kobshëm për Ramushin. Ai me koalicionin PAN, fitoi vetëm 39 deputetë, duke bërë që Haradinajt, formimin e Qeverisë ta mbështetë tek serbët, për të cilët thoshte se më asnjëherë nuk do të jenë faktorë në Kosovë.

Duke parë kundërshtimin e LDK-së me partnerët e saj, dhe Vetëvendosjes, Ramushi me vëllanë Dautin, ia “falën”, të gjitha Hashim Thaçit, dhe duke e ditur që mandatimi për kryeministër është në dorën e tij, ata të Enjten iu ‘dorëzuan’ presidentit, duke harruar akuzat dhe dyshimet që kishin drejtuar ndaj tij, pasi për Ramushin vetëm një gjë është me rëndësi tani, ta realizojë përsëri ëndrrën e tij, të jetë edhe njëherë kryeministër, pa marr parasysh çmimin!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu