Hulumtuesit zhvillojnë një metodë të re për shërimin e djegieve

Një ekip ndërkombëtar bioinxhinieringu ka zhvilluar dhe testuar një metodë të shërimit të djegieve për të cilën thonë se do t’i përmirësojë trajtimet konvencionale
Aktualisht, plagët e djegieve trajtohen me grafte (shartime) lëkure me trashësi të plotë. Megjithatë, bioinxhinierët e Michigan Tech thonë se kjo qasje mbështetet së tepërmi në donatorë. Për ta adresuar këtë problem, ekipi i kombinoi graftet e lëkurës me trashësi të ndarë, ose STSG-të (split thickness skin grafts), me qeliza burimore të inxhinieruara posaçërisht. Një punim për rezultatet e testit është publikuar në revistën Theranostics.

“STSG mund të përdoret në kushte të pafavorshme, si rastet kur plagët e pranuesit kanë infeksion të moderuar ose më pak vaskulaturë, ku graftet me trashësi të plotë të lëkurës do të dështonin”, tha autori Feng Zhao në një njoftim për shtyp. “Megjithatë, STSG-të janë më të brishtë se graftet me trashësi të plotë të lëkurës dhe mund të tkurren ndjeshëm gjatë procesit të shërimit”.

Qelizat burimore, të cilat mund të zhvillohen në lloje të tjera të qelizave, u përzgjodhën që të çiftëzohen me grafte të lëkurës për shkak të vetive të tyre adaptive. Gjatë testeve, studiuesit i transplantuan qelizat në një model miu dhe i studiuan efektet e tyre, transmeton koha.net.

Pas trajtimit, hulumtuesit vërejtën kushte dukshëm të përmirësuara në modelet e tyre të kafshëve. Minjtë u vërejtën se kishin lëkurë më pak të tkurrur dhe të rrudhur. Qelizat burimore i ruajtën gjithashtu folikulat e qimeve dhe funksionet e tjera.

Derisa ekipi i vlerëson përpjekjet e veta si sukses, ata e pranojnë se fletët e qelizave burimore janë të brishta dhe të vështira për t’u eksploatuar. Zhao tha se hapat e ardhshëm të ekipit do ta synojnë përmirësimin e vetive të tyre mekanike.

“Ne kemi parë efekte të shkëlqyera terapeutike të fletës së vaskularizuar të qelizave burimore në shërimin e plagëve të plota të lëkurës. Megjithatë, mekanizmi themelor duhet të sqarohet më tej”, shpjegoi ajo. “Ne gjithashtu duhet të kryejmë eksperimente në kafshë të mëdha, si derrat, të cilët janë më afër fiziologjisë së njeriut”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu