Intervistë me Nuredin Misinin, Klubi i karatesë Bashkimi nga Kumanova në lojra Olimpike!?

Klubi i karatesë Bashkimi 2002 nga Kumanova është një nga klubet më të suksesshme në Maqedoni ndërsa  tani që edhe karateja do të jetë pjesë e lojërave olimpike, ky klub ka një ëndërr drejtë së cilës po punon pandalë,  ajo është sjellja e një medjalje olimpike nga Tokio.

Për InfoShqip foli themeluesi i këtij klubi të karatesë Nuredin Misini.

Filimisht një histori të shkurtër të klubit, rruga deri këtu dhe arritjet tuaja?

 

Pas zhvillimeve të vitit 2001 dhe kthimit të dinjitetit të shqiptarëve u rilind një frymë e riorganizimit në çdo pore të jetës së shqiptarëve të këtushëm, një valë e tillë për riorganizim kishte përfshirë edhe sportin e karatesë, pjesë e të cilit isha që nga fëmijëria. Pas konsultimesh të shumta edhe unë pranova të merrja përgjegjësinë që të hapja dhe të regjistroja në të gjitha instancat e nevojshme një klub karateje edhe në Kumanovë, me çka do të hapnim edhe një shkollë karateje, përmes së cilës do të krijonim edhe një mundësi për fëmijët shqiptarë, të rinj e të reja, ku do të mund të aftësoheshin dhe shkathtësoheshin në aspektin psiko-fizik dhe ku, gjithashtu, do të mund të socializoheshin e po ashtu përmes sportit të karatesë ta përfaqësonin kombin shqiptarë i cili jeton në Maqedoni edhe në arenën ndërkombëtare. Sigurisht, pas regjistrimit të klubit dhe anëtarësimit në Federatën e Karates filluam me punë në shkollën e lagjes Çerkez të Kumanovës, ku më pas shqyrtuam nevojën e emancipimit të mëtutjeshëm dhe ngritjen profesionale për të qenë edhe të suksesshëm, veç tjerash, në këtë nismë, andaj filluam me ndjekje seminaresh, bashkëpunim me instruktorë, licencime, gradime, duke riaktivizuar kolegë për të krijuar strukturë mbrenda klubit e kështu me rradhë. Në të gjitha këto nisma nuk kemi pasur asnjë mbështetje institucionale dhe  gjithçka, gati, kemi realizuar me vetorganizim dhe vetëfinansim, andaj edhe jemi përballur me vështirësi dhe probleme të ndryshme gjatë kësaj kohe, ose me fjalë të tjera e gjithë kjo ka diktuar një tempo në sukseset tona. Kështu, me pak fjalë, mund të përshkruhet rruga jonë deri këtu, ndërkaq sa i përket sukseseve, siç thash pak më parë, kanë qenë shpesh arsyet financiare që nuk kemi arritur t’i vjelim ato në disa raste, por edhe opstrukcionet politike që i kemi pasur gjatë një periudhe të caktuar të veprimtarisë sonë. Po filloj të prezantoj sukseset e mia si trajner dhe refer dhe sukseset e bashkëpunëtorëve të mi, për të vazhduar më pas edhe me sukseset e garuesve. Në vitin 2002, pas regjistrimit të klubit ndoqa seminarin e referimit të organizuar nga Federata e Karatesë e Maqedonisë ku licencohem për herë të parë, në vitin 2006 në Bukuresht të Rumanisë vazhdoj duke filluar karrierë ndërkombëtare ku për herë të parë licencohem refer ballkanik. Në vitin 2009 në Madrid të Spanjës fitoj licencën e parë evropiane JUDGE B në diciplinën KUMITE ( luftë sportive), për të vazhduar me licencën JUDGE A po në KUMITE në Varshavë të Polonisë në vitin 2010, ndërsa në vitin 2011 në Ankara të Turqisë REFEREE B në diciplinën KUMITE dhe JUDGE B në diciplinën KATA, për t’i përmbyllur të gjitha licencat në nivel kontinental në vitin 2012 në Moskvë të Rusisë. Në Melaka të Malajzisë në vitin 2011 fitoj licencën e parë të nivelit botëror JUDGE B në diciplinën KUMITE, në vitin 2012 pason një suspndim, i cili pastaj përcillet edhe me shumë opstrukcione politike si rrjedhojë e të cilave pason një stagnim, për t’u përmbyllur këto probleme në vitin 2016 kur në Lincë të Austrisë ngris licencën në JUDGE A në diciplinën KUMITE dhe në vitin 2017 në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe fitoj licencën JUDGE B në diciplinën KATA. Kjo është rruga e ngritjes sime në referim, gjatë së cilës kohë kam të regjistruar 96 evente ndërkombëtare në të cilat kam ndarë drejtësi përfshi këtu turne prestigjioz ndërkombëtar, kampionate ballkanike, mesdhetare, evropiane, premier liga dhe kampionate botërore, do të veçoja vetëm evropianin e fundit në Kocaele të Turqisë në të cilin ndava drejtësi në ditën e finaleve ku si refer kryesor referova suksesshëm finallen e seniorëve meshkuj të kategorisë + 84 kg. Përkrah meje kam licencuar në segmentin e referimit edhe bashkëpunëtorët e mi Arben Aliji, icili tani është refer evropian dhe Hajredin Misinin refer shtetëror, po ashtu në këtë segment kemi kyqur edhe kolegë tanë të cillët edhe i kemi ndihmuar për aq kohë sa kanë bashkëpunuar me ne edhe pse mbetemi të hapur për të gjithë që do të zgjonin interesin në këtë segment të këtijë sporti, si trajner jam ndër trajnerët e paktë shqiptarë i licencuar dhe i çertifikuar në Federatën Botërore të Karatesë, ndoshta dhe i vetmi në të dy diciplinat KATA dhe KUMITE, me nxënësit kemi qenë fitues medaljesh shtetërore, ballkanike, po ashtu edhe pjesëmarrës në kampionate evropiane.

 

Na tregoni pak për punën e tanishme, si po shkojnë punët tani në klub?

 

 

Tani, për hirë të së vërtetës, pikërisht kur krijuam një përvojë bukur të mirë dhe të suksesshme si klub dhe kur ngjeshëm radhët me garues të kalitur goxha mirë, pra në kohën kur u krijua një konkurrim shumë cilësor brenda klubit, i cili do të duhej të rezultonte me suksese kulminante, ndodhi ajo që më së paku e prisja, më shumë se gjysma e tyre në kulmin e suksesit me arsye banale ose pa ndonjë arsye nuk vinë në stërvitje dhe kjo sjellje e tyre ka hendikepuar edhe këta garues të zellshëm që po vinë duke u pamundësuar që të kenë sparing partner, megjithëse kemi ndryshuar konceptet stërvitore dhe kemi regjistruar gjenerata të reja që premtojnë, nuk mund të mos e shpreh zhgënjimin me të gjithë ata dhe prindërit e tyre të cilët nuk janë të vetëdijshëm se në çfarë shkalle kanë hequr dorë të jenë të suksesshëm ose më mirë të them të vazhdojnë të jenë të suksesshëm.

 

Deri ku jeni me përgatitjet për lojrat olimpike?

 

Po pas pranimit të karatesë në lojërat olimpike, si te shumë klube edhe te ne lindën ambiciet për të pasur pjesëmarrës në lojërat olimpike 2020 në Tokio të Japonisë edhe pse realisht jemi të vetëdijshëm që jemi të hendikepuar sa i përket përkrahjes financiare, por edhe mbështetjes politike brenda federatës, ku ndaj meje dhe bashkëpunëtorëve të mi në një periudhë të caktuar u realizua një hajkë dhe me gjithë komunikimin me kryetarin e federatës, i cili personalisht ma ka pranuar që krejt kjo ka ndodhur si rrjedhojë e propagandës, preh e së cilës ka qenë edhe ai, prapë se prapë struktura dhe individ të caktuar vazhdojnë me veprimet e tyre të na dëmtojnë në vazhdimësi. Ju siguroj që krejt kjo na ka bërë më të fortë edhe pse realisht kemi pësuar në çdo plan. Sidoqoftë, përballë të gjitha këtyre vështirësive, vazhdoj të besoj në kualitetet e mia, në kualitetet e garuesve pretendent, emrat e të cilëve nuk do t’i lakoj në këtë intervistë, me të cilët kemi filluar të punojmë, sepse shpejtë duhet të fillojmë të sulmojmë seriozisht për të plotësuar normën olimpike.

 

Cilat janë planet dhe pritjet tuaja në të ardhmen dhe nga lojërat olimpike?

 

Pra siç fillova të flisja në këtë drejtim, kemi punuar fillimisht në infrastrukturë duke investuar që të kemi një palestër tonën, shpresoj shpejt ta kemi të pajisur me mjete moderne siç është TATAMI i ri, sepse ai që e kemi është i stërvjetëruar dhe jo i mjaftueshëm dhe të tejkalojmë handikapin e mungesës së disiplinës te garuesit. Gjithashtu u mungon përvoja e garave cilësore shumicës së garuesve, të cilën duhet shpejtë të gjejmë mundësi, qoftë përmes sponsorësh, qoftë përmes formash të ndryshme për t’u kompletuar edhe më shumë përballë synimit tonë. Kemi kalitur garues të shumtë, që kishin kualitete mbresëlënëse, të cilët na ushqenin me shpresë se me ta do të kemi suksese kulminante ose më mirë thënë na motivonin që me përkushtim edhe më të madh të vazhdojmë punën për të arritur suksesin. Unë vetëm do të sistemoj disa nga objektivat që i thash gjatë bisedës së deritanishme, si pajisja me TATAMI e sallës sonë, konsolidimi i radhëve me garuesit tanë, motivimi i tyre për sukses dhe me qasja më të disiplinuar drejt objektivit, gjetja e ndonjë sponsori ose forme për të realizuar këtë objektiv e kështu me radhë./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu