Ja kush është kandidati më i “fortë” i LR-PDSH në garën për komunën e Gostivarit

Edhe sekretari i përgjithshëm i LR-PDSH, Arben Taravari pritet të jetë kandidat për kryetar në garën për komunën e Gostivarit. Siç mëson INA, Taravari është kandidati unifikues dhe i pranueshëm për të gjitha strukturat partiake në Gostivar.

Një përfaqësues i lartë i kësaj partie theksoi për INA se Taravari është kandidatura më e pranueshme dhe pse jo nuk duhet të konkurrojë për komunën e Gostivarit, pasi që është dëshmuar dhe ka reflektuar për kapacitetet menaxhuese.

“Është një kandidat ideal që duhet të sprovohet në Gostivar, ashtu sikur Sela ka paralajmëruar garën në Strugë. Taravari është kandidatura fituese përballë kandidatëve të partive tjera dhe pse jo të mos shkohet me të”, theksoi një përfaqësues i LR-PDSH.

Taravari ditë më parë ka sqaruar qëndrimin e partisë rreth kandidaturave për zgjedhjet lokale të tetorit.

“LR-PDSH-ja njofton dhe siguron të gjithë qytetarët, miqtë, dashamirësit dhe simpatizantët e saj se çdo kandidaturë eventuale për zgjedhjet Lokale në Republikën e Maqedonisë, do të kalojë në optikën e organeve fuqiplota të partisë tonë. Çdo emër, çdo individ, do të analizohet për t’ju sjellë alternativat më dinjitoze në mënyrë që të zgjidhni ofertën më të mirë e mos të jeni në pozitën e trishtë që na ka përndjekur si popull duke na detyruar të zgjedhim të keqen më të vogël.”, theksoi Taravari.

Ai tha se LR-PDSH beson në demokraci dhe “jemi të vendosur që të çojmë deri në fund zbatimin e strategjisë tonë. Faleminderit për besimin e jashtëzakonshëm që keni ndaj nesh! Kemi përgjegjësinë e shpresave tuaja, dhe të gjithë bashkë do t’i kthejmë në realitet”, thekson Taravari.

Ndërkohë, deri tani kandidaturat për Gostivarit i kanë shpallur kryetari aktual Nevzat Bejta që do të garojë me siglën e BDI si dhe regjisori Sulejman Rushiti, që është vetëshpallur si kandidat dhe që kërkon mbështetje partiake, sidomos nga Aleanca për Shqiptarët. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu