Japoni, përplaset luftanija amerikane me një anije mallrash

Së paku shtatë anëtarë të ekuipazhit të luftanijes amerikane USS Fitzgerald janë zhdukur dhe tre të tjerë janë plagosur, pas përplasjes të luftanijes me një anije mallrash në ujërat rreth 90 kilometra larg nga qyteti japonez Yokosuka, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo raporton se luftanija amerikane Fitzgerald është përplasur me një anije mallrash që mbante shenjën e Filipineve. Aksidenti ka ndodhur rreth orë 02:30 pas mesnate, ndërsa 7 anëtarë të ekuipazhit të anijes amerikane janë zhdukur dhe tre të tjerë janë plagosur.

Komandanti i anijes Fitzgerald, Bryce Benson dhe dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit janë transferuar në spital.

Roja bregdetare japoneze tashmë ka nisur operacionin e kërkimit për anëtarët e zhdukur të ekuipazhit, ndërsa në kërkime janë përfshirë aeroplanë dhe helikopterë.

Të dyja anijet janë dëmtuar rëndë si pasojë e aksidentit dhe aktualisht ndodhen në portin e Tokios. Shkaku i aksidentit ende nuk është i njohur.

Kompania Nippon Yusen, pronë e së cilës është anija e mallrave që u përplas me USS Fitzgerald, njoftoi se asnjë nga 20 anëtarët e ekuipazhit të anijes nuk është dëmtuar.

USS Fitzgerald ka vepruar në kuadër të marinës amerikane, e cila së bashku me marinën japoneze janë të ngarkuar për sigurinë e rajonit Azi-Paqësor.