Katari në “ngërç” financiar

Investitorët e valutës, titujve të borxhit dhe aksioneve të Katarit, janë përballur me humbje të mëdha këtë javë, ndërkohë që vendi u gjend në epiqendrën e një konflikti me fqinjët.

Tregu i titujve të kapitalit u tkurr me 11 miliardë dollarë në vlerë, që është rënia më e madhe që prej vitit 2010, ndërkohë që vendet e Lindjes së Mesme shkëputën lidhjet.

Tregu i bonove të vendit pësoi gjithashtu një goditje, pasi vlerësimi sovran u ul dhe bastet kundër valutës u shtuan. Kontratat për sigurimin ndaj falimentimit (CDS) janë tashmë në nivele më të larta se ato të Perusë dhe Sllovenisë.

Indeksi kryesor i titujve të kapitalit (QE) e mbylli javën me 7.1% rënie, duke u kthyer në performuesin më të dobët në të gjithë botën. Yieldet e titujve të borxhit që maturojnë në vitin 2026, u rritën me 40 pikë bazë gjatë javës së kaluar.

Standard & Poor’s uli vlerësimin e vendit me një gradë në AA-, dhe e vendosi në perspektivë negative, prej shqetësimeve se financat e vendit do të pësojnë goditje.

Edhe agjencia tjetër, Moody’s, deklaroi se krediti sovran i vendit do të ndikohet negativisht nëpërmjet kostove më të mëdha të financimit, ndërkohë që rritje e flukseve dalës të kapitalit do të reduktojë rezervat në valutë të huaj.

Kriza e ka vendosur valutën e vendit, që është fiksuar në 3.64 me dollarin, nën presion, ndërkohë që janë rritur bastet kundra. Kosto e mbrojtjes ndaj dështimit të pagesave të borxhit sovran, thuajse u dyfishuan gjatë javës. /Telegrafi/