Katër kompanitë “anonime” që nuk kultivojnë asgjë, por që kontrollojnë ushqimet e botës!

Frank Mulder e Mitchell van de Klundert

Tregu global i lëndëve të para për industrinë ushqimore dominohet nga katër shumëkombëshe – praktikisht të panjohura – që manovrojnë çmimet në pjesën më të madhe të botës dhe influencojnë mbi rregullat e sektorit

“Ne jemi mielli i bukës tuaj, gruri i makaronave tuaja, kripa mbi patatinat tuaja. Jemi misri në tortijat tuaja, çokollata në ëmbëlsirat tuaja, sheqeri në pijet tuaja freskuese. Jemi vaji në sallatën tuaj dhe mishi në pjatën tuaj. Jemi pambuku i veshjeve tuaja, ngjitësi i moketit tuaj dhe plehu në arat tuaja”. Kompania prapa kësaj broshure është pjesë e një grupi shumëkombëshesh që dominon tregun global e lëndëve të para për industrinë ushqimore. Kanë një numër biznesesh të pafundme, por çuditërisht pothuajse asnjeri nuk i di emrat e tyre. E, megjithatë falë tyre që produktet ushqimore mbërrijnë çdo ditë në tavolinat tona. Këto katër kompani kontrollojnë 70 për qind të tregtisë botërore të grurit.

Faturimi vjetor i tyre është i krahasueshëm me PBB-në e një vendi të caktuar: vërtitet komplesivisht rreth 250 miliardë eurove, pothuajse gjysma e PBB-së së Vendeve të Ulëta. Quhen Adm, Bunge, Cargill e Louis Dreyfus, dhe në përgjithësi janë të grupuara nën akronimin Abcd. Le të provojmë t’i konsiderojmë katër kompanitë sikur të ishin praktikisht katër shtete. Janë komunitete njerëzish që së bashku posedojnë terrene të kultivuara dhe mallra, që kanë fituar vlerë nëpërmjet punës dhe dijes. Kanë një histori të tyren, një politikë të tyren, një gjuhë të tyren, problemet e tyre. Kanë deri diçka që mund të përkufizohet si kulturë apo besim fetar.

Janë vende që pothuajse nuk disponojnë territor, me përjashtim të porteve, zyrave dhe fabrikave. Në këtë kuptim janë di Singapori apo Dubai: të vegjël, me shumë punëtorë të huaj dhe një të ardhur për frymë të madhe. Në vendet Abcd nuk ka liri shtypi: lajmet janë të kontrolluara rreptësisht nga ministritë e Informacionit dhe gazetarët i nënshtrohen censurës. Në pjesën tjetër të botës pjesa më e madhe e njerëzve nuk e di as që ekzistojnë këto vende. Nganjëherë banorët janë të gatshëm të flasin, por pothuajse gjithmonë në formë anonime.

“Nëse citon emrin tim, humbas punën”, na ka thënë në marsin e 2016 një punonjës i Cargillit gjatë një eventi kushtuar sektorit të drithërave në Wageningen, Vendet e Ulëta, djepi i këtyre gjigantëve ushqimorë.

Në Spuistraat, në qendër të Amsterdamit, ndodhet një pallat monumental që ka të gdhendur përsipër derës hyrëse “Bungehuis”. Godina u ndërtua në 1925 për të mirëpritur selinë evropiane të Bunges, që sot është një shumëkombëshe me një të ardhur prej 40 miliardë eurosh. E themeluar në 1818 në Amsterdam nga Peter Gotlieb Bunge, në fillim blinte dhe shiste sidomos drithëra, por shumë shpejt e zgjeroi rrezen e saj të veprimit dhe hapi seli në Argjentinë e Brazil, ku kishte fusha të pambarimta gruri. Bunge e ka transferuar prej kohësh selinë e saj evropiane në Gjenevë, ndërsa atë ndërkombëtare në White Plains të Shteteve të Bashkuara.

Gjithsesi, në Amsterdam ndodhet ende një konkurrente e Bunges. Louis Dreyfus Company, e themeluar në 1851 në Francë nga Louis Dreyfus, e ka selinë qendrore të saj në Zuidas, një lagje e re në zonën jugore të qytetit. Më 2015 ka regjistruar një xhiro prej 51 miliardë eurosh. Pas themelimit të tyre, Bunge dhe Dreyfus u desh që të përballeshin me konkurrencën e amerikanëve.

Në vitin 1865 William W. Cargill themeloi Cargillin e sotëm, një perandori e menaxhuar nga Minnesota që më 2015 ka pasur një xhiro prej 111 miliardë eurosh. Kurse Archer Daniel Midland Company (Adm) ka lindur në 1902. Selia qendrore e saj është në Chicago dhe xhiroja e saj e 2015 ka qenë 62 miliardë euro. Territori i vendeve Abcd është çuditërisht i kufizuar. Drejtpërsëdrejti nuk kultivojnë pothuajse asgjë, por blejnë e shesin sasi të mëdha produktesh bujqësore bazë. Në fillim, në tetëqindën, ngritën impiante transportuese përgjatë hekurudhave të sapo ndërtuara. Sot menaxhojnë rrjete të mëdha logjistike të formuara nga mijëra zyra në të gjithë botën, trena mallrash, impiante, sillosë, anije dhe maune.

Këto rrjete janë baza e tyre, pasi është thelbësore që një kompani të jetë e besueshme në dorëzimin e vëllimeve të mëdha të mallrave. Por, rreth kësaj bërthame kompanitë kanë zhvilluar shumë aktivitete të tjera. Janë në zinxhirin e plotë e lëndëve të para ushqimore: nga blerja tek logjistika dhe nga transformimi tek shitja, plus të gjitha shërbimet e lidhura me fazat e ndryshme.

Ato sigurojnë farëra, pleh dhe konsulencë bujqësorë dhe shpesh transformojnë lëndët e para. Veç kësaj, ofrojnë polica sigurimi me të cilat fermerët mund të mbrohen ndaj të korrave të këqija apo nga rreziqet e lidhura me shkëmbimet monetare.

Edhe pse këto katër kompani të mëdha punojnë në të njëjtën mënyrë, ato kanë struktura organizimi shumë të ndryshme. Adm dhe Bunge janë të kuotuara në bursë, ndryshe nga Cargill dhe nga Louis Dreyfus që janë të kontrolluara nga dy dinasti familjare dhe nuk janë të detyruara që të japin informacione të detajuara lidhur me llogaritë e tyre. Fakti që kanë një territor të kufizuar, nuk do të thotë se për ta gjeografia nuk është e rëndësishme. Përkundrazi, një kompani si Cargill konsideron vetëm gjeografinë, siç shkruan Brewster Kneen në librin e tij të 2001 “Invisible Giant: Cargill and its Transnational Strategies”.

Sipas Kneenit, harta botërore e Cargillit nuk tregon kufij kombëtarë dhe entitete politike, por zona klimaterike, tipologji terreni, dete, lumenj, porte dhe autostrada. Entitetet politike janë dytësore: Cargill bën biznes me ta, por preferon t’i shmangë. Në ekspansionin drejt gjeografive të reja, Cargill mendon në termat e “bastionit”. Për shembull, blen me një çmim të mirë një pulari në Indonezi. Fitimi eventual nuk u shpërndahet aksionerëve, por riinvestohet në një zonë të re për t’u pushtuar.

Por, le të kërkojmë që ta kuptojmë më mirë strukturën e Abcd-ve.

Çfarë bëjnë gjithë ditën punonjësit” ja kërkojmë Michiel Hendriksz, një-ish përgjegjësi të Adm-së për blerjet e kakaos në Afrikën Perëndimore. Sot jeton në Lozanë, qendra ekonomike e tregtisë ushqimore, ku drejton një fondacion që ka për qëllim përmirësimin e kushteve të fermerëve në Afrikë. Në mes të një lëvizjeje kaotike në zyrën e tij të vogël, Hendriksz na tregon ndodhitë e Adm-së. “Kompania drejtohet nga Chicago dhe ka një president për çdo degë. Çdo sezon prodhon produkte specifike, si vajrat nga farërat (luledielli, soja), vajrat tropikalë (palme, kokosi), misra për ushqim bagëtishë, etanol, oriz. Ka edhe një nëndarje sipas zonës gjeografike, me në një krye një zëvendëspresident. Secili ka ‘librin’, domethënë regjistrin se çfarë blihet e çfarë shitet. Tregtohet ne autonomi, por brenda linjave drejtuese të vendosura nga Chicago”.

Tregëtia e kakaoa zhvillohet me ritme shumë të larta. “Gjithçka kryhet nëpërmjet telefonit dhe internetit. Për shembull, të vjen një telefonatë nga Nestlé: ‘Në majin 2017 duam 1000 ton gjalpë kakaoje me kushte të caktuara pagese}. Dikur pagesat bëheshin shpesh në kesh, tani me kredi… një sasi e madhe duhet të vihesh menjëherë në lëvizje. Përndryshe, të thonë se do shkojnë tek Cargilli dhe duhet t’i bindësh se do të bënin gabim. Në këtë kontekst, raportet personale janë shumë të rëndësishëm”!

Në Afrikën Perëndimore Adm-ja kishte një seri furnitorësh dhe klientësh fiksë. “Bëj një vlerësim dhe bli nga eksportuesit. Një pjesë edhe nga tregtarët vendorë e nga kooperativat. Pastaj transformo gjithçka në stabilimentin tënd, përpara se t’ua dorëzosh fabrikave të çokollatës”. “Për më tepër, kakaoja është një rast pak allasoj”, thotë Hendriksz: “Në pjesën më të madhe të sektorëve në të cilat është aktive Adm-ja, si ato të misrit apo të grurit, nuk ekziston fidelizimi, çdo gjë është e ndërkëmbyeshme”.

Amerikani Samuel Bonilla ka qenë për një kohë të gjatë tregtar gruri. E kemi takuar këtë plakush të përzemërt tek International Grains Conference e Londrës, një event që mbledh çdo vit protagonistët e sektorit të drithërave në nivel botëror. Bonilla ka një jetë që punon në këtë sektor, fillimisht 31 vite tek Continental Grain, më pas 11 tek Cargill që kishte blerë kompaninë ku ai punonte. “Detyra jonë ishte logjistikë e pastër. Unë duhej të ndiqja kontratat, domethënë të veproja në mënyrë të tillë që dorëzimet të kryheshin me shpejtësi. Një prodhues drithi ka fitim nga një transportim i shpejtë, kështu që mund të furnizojë shumë klientë dhe nuk dëshiron probleme apo ngecje në pikat shpërndarëse. Për këtë arsye duhej të marrëveshje të posaçme: për shembull, arkëtonim 25,000 dollarë për çdo ngarkesë që mbërrinte brenda afatit të parashikuar, por na duhej të rimbursonim 30,000 nëse nuk ishim në gjendje të siguronim sasinë e kontraktuar”.

Pika e forcës e këtyre kompanive është sasia. Falë rrjetit gjigantesk global të tyre janë në pozicion unik që mund të dorëzojnë gjithçka gjithmonë dhe kudo. Vishvendra Chakravarthy, një menaxher i Bunges që e takojmë në të njëjtën konferencë në Londër, na shpjegon se tregtia në brendësi të një vendi kryhet nëpërmjet kompanisë. “Le të marrim Tysonin, prodhuesin më të madh të mishit amerikan. Ata duan një furnizim të sigurt e të garantuar. Le të themi 10 maune të mëdha me misër në ditë. Në sezonin e të korrave mund ta blejnë nga bujqit vendorë, por pjesën tjetër të vitit e blejnë nga ne. Ne jemi në gjendje të japim garanci”.

Në dekadat e fundit Abcd-të e kanë diversifikuar gjithnjë e më shumë aktivitetin e tyre, duke u marrë edhe me transformimin. Është më shumë fitimprurëse të shesësh kallinj misri të përpunuar në formën e ushqimit për bagëtitë sesa t’ia shesësh të papërpunuara Tysonit. Është më mirë edhe të transformohen kallinjtë në sheqerna, acide dhe bioetanol.

Aktualisht, Cargill është një prej prodhuesve kryesorë të fosforit, plehrave, kripës antifrizë, lëngut të përqendruar të portokallit, shurupit të glukozës, ëmbëlsuesve, acidit citrik, orizit, kakaos dhe shumë përbërës të tjerë, nga elbi për birrën tek ngjitësi i moketeve. Mendohet vazhdimisht se në cilët sektorë është e nevojshme të zgjerohet apo se cilat degë duhen hequr qafe. Nganjëherë kompanitë aventurohen në tregje të reja, si çeliku, kantieristika detare apo dhënia e kredive subprime, por ndodh edhe që sektorë të tërë shiten. Konkurrenca midis katër shumëkombësheve është e egër.

“Nëse Cargill nxjerr fitime të mëdha nga kafeja dhe nga kakao, Adm-ja provon të bëjë të njëjtën gjë”, thotë Hendriksz. “Por nëse vihet me vonesë, punonjësit vizitohen nga një drejtues i lartë që u thotë: kompania fiton shumë pak dhe kështu që dega do të shkrihet. Paratë e kursyera do të investohen në një treg tjetër ku ka më shumë mundësi. Më 1997 Adm-ja ka blerë dy kompani kakaoje dhe pas 10 vjetësh ja ka shitur Cargillit”.

Në realitet ekonomia e Abcd-ve është e përqendruar më shumë mbi njohuritë, thonë dy agronomet kanadeze Jennifer Clapp e Sophia Murphy. Në 2012 kanë shkruar për Oxfamin hollandez raportin “Sekretet e drithërave: Tregtarët më të mëdhenj e grurit në botë dhe bujqësia globale”. E takojmë në Hagë, në përfundim të një konference ndërkombëtare. “Abcd-të ja detyrojnë avantazhin e tyre njohjes kapilare të çmimeve dhe të parashikimeve në nivel botëror. Mbledhja e të dhënave ndodh në mënyrë shumë të sofistikuar. Janë në pararojë në zhvillimin e teknikave që i avantazhojnë ndaj konkurrentëve. Kanë të dhëna lidhur me terrenet, të mbjellat, klimën, kërkesën, ofertën. Kanë njerëz në të gjitha vendet, por i analizojnë të dhënat edhe me drone e satelitë”.

“Abcd mund të mbështeten mbi qindra qendra në të gjithë botën”, shkruan Brewster Kneen, “janë si një rrjet global shërbimesh sekrete”. Kneen shton që kompanitë kërkojnë të mos jenë pronare të strukturave logjistike, veprojnë gjithmonë në mënyrë që risqet të prekin të tjerët. Cargill ua lë ndërtimin e porteve qeverive, por kërkon që të plotësohen kushtet e tij. Pastaj e merr një pjesë nëpërmjet një kontratë qiraje afatgjatë.

Në të kaluarën Cargill ka ndërtuar anije për transportet ushqimore, por më pas i ka shitur sepse e ka kuptuar se ishte më pak e rrezikshme t’i merrte me qira. Edhe kur bëhet fjalë për kultivime, vendet e Abcd-së nuk duan as që shumë gjëra të bëhen sipas udhëzimeve të tyre. Preferojnë të lidhin marrëveshje me fermerë, në mënyrë që të jenë këta të fundit që marrin përsipër risqet më të mëdha. Në libër të Kneenit flet një drejtues i Louis Dreyfusit: “Në të kaluarën qemë mbi të gjitha një kompani drithërash. Sot jemi një kompani menaxhimi risku. Jemi diversifikuar duke u marrë me kafe, sheqer, oriz, pambuk, mish, agrume dhe energji. Aktualisht, kompanitë e mëdha industriale duhet të përballojnë risqet e lidhura me çmimet, me politikën, me klientët, me cilësinë e me logjistikën, është ky aspekti në të cilën Dreyfus është më aktive”.

Kjo do të thotë se Abcd-të operojnë gjithnjë e më shumë në tregjet financiare. Ish-tregtari i kakaos Hendriksz shpjegon: “Ne tregtonim produkte duke u impenjuar për një afat të saktës. Nëse Nestle kërkon një sasi të caktuar kakaoje për një datë të caktuar, duhen gjetur gjithmonë mbulimet për risqet e lidhura me këtë lloj operacionesh. Mund të bëhet edhe në tregjet financiare, sidomos në New York e Londër”.

Mbulimi është një mënyrë për të reduktuar riskun e luhatjeve së çmimeve. “Për shembull, nëse vendos: Vitin e ardhshëm dua të blej X ton kakao, duhet të rishesësh menjëherë në letër ngarkesën me një çmim të caktuar. Kështu, nëse çmimi i blerjes bie, fitimi është më i madh. Në këtë rast veprohet në letër në periudhë afatshkurtër dhe materialisht në afatgjatë”.

Shembulli i përshkruar nga Hendriksz është një kontratë me afat me një palë të caktuar. Kontrata të kësaj natyre mund të negociohen edhe në bursë. Quhen futures dhe pala tjetër jo e specifikuar. Ka futures që paguhen në natyrë, por të tjetër në të cilat nuk është e nevojshme ta kesh mallin e disponueshëm, pasi mund të mbulohet me kesh. Një tjetër produkt financiar është i ashtuquajturi opsion. Në këtë rast fitohet vetëm e drejta për ta blerë apo shitur një produkt me një çmim të caktuar. Nga futures dhe opsione kanë dalë nga ana tyre produkte financiare të tilla si fonde të indeksuara, që ndjekin çmimin e një pakete kontratash të tjera.

I gjithë procesi është pjesë e një fenomeni më të gjerë të njohur si “financiarizim” i tregut ushqimor. Në 15 vitet e fundit protagonistët e mëdhenj e financës. Nga bankat tek fondet e investimeve kanë hyrë në tregun ushqimor në këtë mënyrë. Kur instrumentet financiare përdoren për t’i siguruar ndaj rreziqeve, flitet për një strategji të quajtur hedging. Tregtarët e mëdhenj e kanë adoptuar menjëherë. Në perspektivë qëllimi ka qenë sidomos për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga të korrat e këqija dhe risqet e larta, por në vitet nëntëdhjetë është bërë gjithnjë e më shumë një aktivitet në vete. Me derregullimin në sektorin financiar linjat ndarëse midis subjekteve të ndryshme dhe produkteve financiare të tyre janë fshirë. Për shembull, dikur bankat nuk mund të merreshin me hedging e grurit, por në vitet Nëntëdhjetë ky ndalim ka rënë.

Abcd-të ja ofrojnë tashmë shërbimet financiare botës jashtë tyre. Nëpërmjet fondesh spekulative të caktuara menaxhojnë qindra-mijëra investime. Falë njohjes së tregut nga ana e tyre – për shembull lidhur me parashikimet e të korrave – këto kompani mund të vlerësojnë me saktësi nëse çmimet janë destinuar të rriten apo të bien. Kufiri midis sigurimeve dhe spekulimit të pastër është tashmë mjaft i brishtë. Sipas Clapp e Murphy, Abcd-të kanë ndërtuar një sistem financiar të përqendruar mbi lëndët e para. “Posedimi i mallrave nuk është edhe aq i rëndësishëm, aspekti i vetëm themelor është diferenca midis çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes”. Kjo degë financiare praktikisht nuk është e rregulluar, pasi Abcd-të nuk duan të ndjekin rregullat e parashikuara për bankat. Cargill konsiderohet si investitor vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe në tregje të caktuara, kështu që vetëm në këto raste ka limite ndaj aktivitetit spekulativ.

Në Bashkimin Evropian nuk ka akoma një rregullim specifik. “Spekulimi nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe”, thotë Rory Deverell, një analist që ndihmon kompanitë tregtare me të vogla që të mbulohen nga rreziqet e bursës. E takojmë në konferencën e Londrës për drithërat. “Spekulatorët veprojnë në mënyrë të tillë që në treg të ketë oferta dhe kërkesa mallrash të mjaftueshme dhe kjo është gjë e mirë, siguron likuiditet”. Bëhet fjalë në përgjithësi për futures specifike, për shembull mbi një sasi të caktuar drithërash për t’u dorëzuar në fund të shkurtit në portin e Rouen. “Por është problem që kompanitë tregtare janë bërë kaq të mëdha. Është gjithmonë e më e lehtë që një apo dy operatorë të kontrollojnë totalisht një treg të caktuar”.

Një fakt negativ për konsumatorin, pasi nuk krijon çmime optimale. Përkundrazi, rrit rrezikun që një subjekt me një avantazh të madh njohurish të jetë i shtyrë të abuzojë me pozicionin e tij dominues. Tashmë në disa raste një prej Abcd-ve është dënuar për insider trading (shitblerjen e titujve të një kompanie të caktuar të kuotuar në bursë nga ana e subjekteve, që për nga pozicioni në brendësi të kompanisë apo prej aktivitetit të tyre profesional posedojnë informacione të rezervuara jo në zotërim publik, në gjendje të influencojnë mbi ecurinë e titujve).

Një pasojë tjetër e financiarizimit është influenca e madhe reciproke midis tregjeve ushqimore dhe atyre financiare. Për shembull, më 2007 çmimet e mallrave ushqimore dhe të lëndëve të para janë rritur shumë kudo. Në Evropë e kemi ndjerë më pak, por në shumë vende në rrugën e zhvillimit njerëzit kanë pësuar rëndë pasoja e kësaj rritjeje të çmimeve. Sipas ekspertëve të ndryshëm, midis të cilëve Clapp e Murphy, spekulimi lidhur me lëndët e para kishte dhe ka efektin e rritjes së çmimit të mallrave ushqimore, sidomos e bën të luhatet më shumë. Për pasojë, kompanitë më të vogla duhet të shpenzojnë më shumë për produktet financiare që mbulojnë një risk të ngjashëm.

Ashtu si kombet kanë një kulturë të caktuar, edhe Abcd-të kanë një vizion të caktuar për botën. “Sidomos tek kompanitë e mëdha amerikane”, rrëfen Hendriksz, “ekziston akoma një ide e saktë e punonjësit. Tek Bunge e Cargill, por edhe tek Adm-ja, janë meshkuj të Midwest amerikan. Tek Cargill e tek Dreyfus gjenden edhe persona që kanë një lidhje të ngushtë me familjen që kontrollon kompaninë. Nganjëherë bëja gallatë lidhur me këtë: natyrisht, si hollndez nepotizmi më bezdiste shumë. “Shkojnë të gjithë në të njëjtin dyqan veshjesh”, thosha përherë. Duken sikur i ke bërë me stampë: paksa trashaluqë, me një qethje flokësh të çuditshme të fryrë, të njëjtën këmishë me komça, frekuentojnë të njëjtën kishë. Në fund të fundit, jemi në Bible Belt, zemrën e Amerikës protestante”. Janë rrjete globale që natyrisht në shumë raste përfshijnë edhe punëtorë me idetë e tyre. Por tek drejtuesit haset një vizion i caktuar i botës, një ideologji e caktuar. E kuptojmë në konferencën e Londrës, ku kapet një frustrim i ndarë nga operatorët e sektorit: pse këta politikanë budallenj na nxisin që të rregullojmë tregtinë e ushqimeve? Pse Kina dëshiron ta kufizojë importimin e sojës?

Ideologjia e Abcd-ve është neoliberiste. Janë vende transkombëtare që operojnë jashtë qeverive dhe do të donin një botë me më pak rregulla. E gjitha kjo është paradoksale, shkruan Breëster Kneen në librin e tij: Në fakt, këto kompani nuk do të qenë bërë kurrë kaq të mëdha pa subvencionet e qeverive. Mjafton të mendohet për ndihmat ndaj vendeve në rrugën e zhvillimit në formën e grurit amerikan në 1954, për subvencionet e 1985 ndaj bujqësisë amerikane apo për paratë publike në ndërtimin e një porti. Veç kësaj, Abcd-të paguajnë shumë pak taksa. Falë skemave të kompanive të realizuara në Vendet e Ulëta, në Zvicër, në Qipro dhe në Singapor, fitimet e tyre janë taksuar në rreth pesë apo 10 për qind. Abcd-të e promovojnë ideologjinë neoliberaliste me atë që mund të quhet shërbim diplomatik: aktivitetin e lobimit. Ushtrojnë presione për të siguruar rregulla të favorshme në vendet ku operojnë, shpesh nëpërmjet tryezash të rrumbullakëta dhe grupe të tjera të interesit të sektorit. Por, nganjëherë bashkëpunojnë edhe me politikanë.

Ish-drejtues të lartë shfaqen rregullisht në skenë si negociatorë për Organizatën Botërore të Tregëtisë apo si konsulentë të qeverisë amerikane. Përveç punës së zhvilluar nga lobet, Abcd-të ushtrojnë një presion të madh ndaj zinxhirit ushqimor. Në Brazil kontrollojnë 60 për qind të prodhimit të sojës dhe në Shtetet e Bashkuara 70 për qind. Vlerësohet se rreth 70 për qind e të gjithë drithërave të eksportuara në botë realizohet prej tyre. Provoni të imagjinoni një lloj klesidre që në anën e sipërme përmban miliona kultivues të lëndëve të para. Produktet zbresin ngadalë nëpërmjet transportit dhe ndërmjetësve drejt anës më të poshtme të klesidrës: kompanitë e mëdha tregtare.

Dikur kishte shumë më tepër, por janë bashkuar midis tyre dhe kështu ka mbetur vetëm një grusht. Më përpara në zinxhir vijnë prodhuesit e mallrave ushqimore dhe të supermarketeve. Në bazë janë miliardat e konsumatorëve. Një kuartet kompanishë “kontrollon” në pjesën qendrore të klesidrës dhe kështu që ka një influencë të madhe mbi çmimet. “Vetëm mbi atë që hamë”, thotë Jennifer Clapp. “Shumë pak është shkruar akoma mbi atë sesa influencojnë mbi dietën tonë”.

Një shembull i qartë është mishi. Pa strukturën kapilare e prodhimit të sojës në Amerikë nuk do të kishte pasur kurrë kaq shumë ushqim bagëtish në dispozicion me çmim të ulët për rritjen e bagëtive në Vendet e Ulëta. Domethënë, pa Abcd-të nuk do të kishin qenë monokulturat e mëdha të sojës në Amerikën e Jugut dhe nuk do të ekzistonte industria bio në Vendet e Ulëta. Pa Abcd-të nuk do të ishin pulat e fryra me kosto të ulët në supermarkete. Nuk është rastësi që Abcd-të duan ta mbajnë fort kontrollin mbi zinxhirin e prodhimit të mishit. Cargill është pronare e një kompanie që krijon një softuer në gjendje të përpunojë receta për ushqimin e bagëtive. Por është edhe pronare e fabrikave që furnizojnë McDonald’s me McNuggets. Historia përsëritet për shumë përbërës të tjerë që pa Abcd-të nuk do të qenë bërë kurrë kaq popullorë, nga vaji i palmës tek ëmbëlsuesit.

Me një sistem ushqimor totalisht të orientuar nga prodhimi dhe me konsumatorët që shpesh shikojnë vetëm çmimin është logjike që në treg të imponohen subjekte në gjendje të sigurojnë efikasitet. Kjo nuk e përjashton që shpesh Abcd-të tentojnë të paraqiten si furniues të pafajshëm shërbimesh: “Doni mish me çmim të ulët, hë? Nuk kufizohemi t’ua plotësojmë dëshirën, me efikasitet të madh, edhe pse në këtë mënyrë zhduket një pyll i pandotur nuk është faji jonë”.

Në realitet, Abcd-të kanë një përgjegjësi të madhe në të gjithë procesin. Sot paraqiten si partnerë të domosdoshëm në luftën ndaj urisë në botë dhe në mbrojtje të mjedisit. Kështu lexohet për shembull në faqen e parë e përmbledhjes vjetore të Cargill për 2016: “Punojmë bashkë me fermerët, punonjës dhe partnerë në të gjithë botën për të krijuar të ardhmen që gjithë ne duam të shikojmë, një të ardhme në të cilën përparojmë sëbashku”. Michiel Hendriksz e gjen qesharak këtë pohim: “Nuk e shoh sesi kompani të ngjashme mund të kenë një rol strategjik në luftimin e varfërisë. Edhe pse përgjithësisht problemi i urisë nuk është sasia e ushqimit e disponueshme”.

Kur flitet për varfëri vlen sidomos çmimi i mallrave ushqimore. Shpesh në një vend ka ushqim mjaftueshëm, por shitet tjetërkund. Ka edhe probleme të tjera të lidhura me shpërndarjen, magazinimin apo me faktin që dieta është pak e diversifikuar dhe, për pasojë, njerëzit nuk kanë uri, por megjithatë janë të paushqyer. Interesat e Abcd-ve nuk ecin gjithmonë me të njëjtin hap me ato të popullsisë botërore. Një shembull: në tre vitet e fundit çmimi i grurit është ulur në të gjithë botën. Abcd-të kanë regjistruar një rënie të fitimeve, pasi prodhuesit kanë mbajtur rezerva, duke kufizuar kështu influencën e 4 kompanive mbi çmimet. Por në pranverën e 2016 ka pasur risi: të korra të këqija në shkallë të gjerë në Argjentinë, një goditje e rëndë ndaj prodhimit të misrit dhe sojës. “Lëviz sërish diçka dhe janë lajme të mira për kompani si e jona”, ka thënë kreu i Bunge. Edhe ai i Adm-së ka parë sërish hapësirë për një “optimizëm të matur”.

Diskutimi mund edhe të zgjerohet. Abcd-ve u vjen për mbarë nëse ushqimet transportohen sa më shumë të jetë e mundur nëpër botë. U vjen për mbarë nëse fermerët adoptojnë masivisht një formë të industrializura të bujqësisë, që kërkon një mbështetje të fortë në kapital. Por a është kjo gjithmonë një e mirë për planetin? Brewster Kneen konsideron oportuniste që një kompani si Cargill tenton të paraqitet si aleate në luftën kundër varfërisë dhe problemeve mjedisore. “Kurse në raste të tjera paraqitet si një kompani që i jep konsumatorit të kamur mundësinë e një zgjedhjeje më të gjerë. Në bazë të gjithçkaje është gjithsesi një qëllim tjetër: rritja. Deri pak kohë më parë, objektivi i kompanisë ishte ai i dyfishimit të kapitalit çdo 5-7 vjet”.

E njëjta vlen edhe për punonjësit: “Njoh shumë njerëz që punojnë”, thotë Hendriksz. “Thjesht kanë ego të madhe dhe dëshirojnë vetëm një rrogë më të lartë”. Përqendrimi i pushtetit sjell rreziqe. Në 2014 Këshilli Shkencor për Politikën Qeveritare (ËRR) i Vendeve të Ulëta ka paraqitur një raport lidhur me sektorin ushqimor. Hulumtuesit shkruajnë: “Një përqendrim i fortë i kompanive në segmente të caktuara të tregut ushqimor bën të dyshosh se këto kompani po bëhen to big to fail”. “Protagonistët e mëdhenj marrin një rëndësi gjithnjë e në rritje në tregtimin e lëndëve të para në shkallë botërore”, thoshte në 2012 Timothy Lane, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kanadasë. “Ama nëse njëra prej tyre bie, kjo mund ta trondisë të gjithë tregun e lëndëve të para? Humbje të mëdha të një kompanie tregtare mund ta trazojnë të gjithë sistemin financiar”. Lane shtonte se ndaj këtyre problemeve nuk ka akoma përgjigje.

Ekonomia e Abcd-ve është në lëvizje të vazhdueshme. Janë bërë të mëdha duke gllabëruar kompani konkurrente, por vazhdimisht dalin rivalë të rinj. Dhomat tregtare aziatike presin koka për të bërë hapësirë në treg. Olami i Singaporit dhe kinezja Cofco u drejtohen në thelb popullsisë në rritje aziatike dhe, lidhur me arkëtimet, po krijojnë hapësirë midis Abcd-ve. Edhe kufiri midis lëndëve të para ushqimore dhe atyre të industrisë minerare është bërë gjithnjë e më pak i dallueshëm. Për shembull Glencore, një kompani zvicerane e specializuar në produktet minerare, është edhe një prej protagonisteve të mëdha të sektorit bujqësor.

Abcd-të janë të vështira për t’u deshifruar. Flasin me pak gazetarë dhe dokumentet e tyre financiare janë përmbledhje. Ky aspekt është sidomos i dukshëm tek Cargill dhe tek Dreyfus. Skruan Kneen lidhur me Cargill: “Qartësia e pakët rreth kompanisë duket një strategji e qëllimshme. Uebsajti i saj nuk jep të dhëna, lajmet e vjetra nuk fshihen, kështu që asnjeriu nuk mund të kërkojë asgjë. Nëpër zyra nuk ka broshura lidhur me atë që bën kompania”. Këto shumëkombëshe e kuptojnë se sot patjetër duhet komunikuar diçka, por gjithçka mbetet në sipërfaqe.

Raporti vjetor i Cargillit duket si një broshurë publicitare. Nëse marrim të gjitha tweet-et e Cargillit në 2015, shohim se 450 nga 1270 mesazhet i referoheshin reklamës së një punonjësi mysliman të cilit nuk i ishte lejuar të falej gjatë orarit të punës. Në vijim të reklamës, Cargill kishte siguruar se punonjësit e saj mund të merrnin pauza për faljen. As edhe një fjalë për rolin e kompanisë në shpyllëzimin e Amazonës, ku në 2015 janë vrarë 50 ambientalistë.

Hija e misterit i forcon dyshimet lidhur me Abcd-të. Por, është një mister që as nuk i është drejtuar publikut, thekson Jennifer Clapp. “Në fund të fundit, konsumatorët nuk i njohin këto kompani”, thotë ajo. “Sekreti u referohet më shumë se të tjerat të dhënave me rëndësi strategjike. Gjithmonë ka qenë kështu. Në të kaluarën një kompani nuk u bënte me dije konkurrentëve as sa anije gruri kishte, pasi dhënia e këtij informacioni mund të kishte pasoja ndaj çmimit”. Ndoshta problemi më i madh është pikërisht ky. Ka një grup të ngushtë kompanishë, me përmasa gjiganteske, që tregton ushqimin tonë në të gjithë botën dhe nuk është mirë që dimë kaq pak rreth tyre. Sepse janë pothuajse vende, vende më të mëdha nga ato për të cilat flitet në gazeta, dhe kanë një rëndësi përcaktuese mbi ekonominë tonë, mbi bujqësinë tonë dhe mbi dietën tonë. /De Groene Amsterdammer/Përgatiti: Armin Tirana/bota.al/