Kërkoni një vend pune, ja ku mund të konkurroni

Qeveria shqiptare ka miratuar numrin e punonjësve dhe praktikantëve që do të punojnë me kontratë të përkohshme në institucionet publike përgjatë vitit 2017.

Sipas vendimit të qeverisë që është botuar në Fletoren Zyrtare, këtë vit numri do të jetë 2.225 punonjës. 2.025 punonjës do të jenë me kontratë të përkohshme, ndërsa 200 do të jenë praktikantë. Efektet financiare për punonjësit e kontraktuar bëhet nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2017, të njësive të qeverisjes qendrore. Sipas listës, rezulton se numrin më të lartë të punonjësve me kontratë e kanë Drejtoria e Tatimeve dhe Agjencia e Legalizimeve.

Për t’u bërë pjesë e administratës publike, aplikimet për vendet e lira në shërbimin civil, për pozicionet e lira në institucionet e administratës shtetërore, pra në Kryeministri, ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë, bëhen online nëpërmjet faqes zyrtare të Departamentit të Administratës Publike. Janë shtatë dokumente bazë që duhet të dorëzohen për t’u bërë pjesë e administratës publike. Ndërkohë, 200 vende pune janë për praktikantë, të cilët do të punësohen pranë institucioneve shtetërore.

PAGESAT
Numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme për vitin 2017, në njësitë e qeverisjes qendrore, është 2.225 punonjës, sipas lidhjeve nr.1 e nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

Punësime të reja do të ketë edhe në spitale. Sipas vendimit përjashtimisht, pagesa për mjekët e kontraktuar të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i referohet vendimit përkatës të pagave për sistemin shëndetësor dhe pagesave për punonjësit e kontraktuar për Qendrën e Transferimit të Teknologjisë, Agjencinë Kombëtare të Duhan-Cigareve dhe Entin Shtetëror të Farave dhe Fidanëve, në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, ku për shkak të veçorisë së punës, përllogaritet sipas volumit të punës së kryer dhe paguhet sipas preventivit përkatës. Punonjësit, të cilët merren me anketime të ndryshme të Institutit të Statistikave dhe Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, punonjësit që përfshihen në procesin zgjedhor, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, instruktorët e qendrave të Formimit Profesional si dhe mësuesit në dispozicion, në arsimin parauniversitar dhe arsimin profesional, nuk përfshihen në këtë vendim.

Miratimi i numrit të këtyre punonjësve, afatet kohore dhe të tjera specifikime për kontraktimin me kohë të pjesshme të tyre, bëhen sipas udhëzimit të përbashkët të institucionit qendror përgjegjës dhe Ministrisë së Financave. KOSTOT Mbulimi i efekteve financiare për punonjësit e kontraktuar bëhet nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2017, të njësive të qeverisjes qendrore. Për punonjësit e kontraktuar të Shtëpisë së Pushimit Durrës (të MPB), Shtëpisë së Pushimit të SHISH- it dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, efektet financiare përballohen vetëm nga të ardhurat e vetë institucionit.

Për punonjësit e kontraktuar për ALUIZNI-n dhe qendrat e Formimit Profesional, përballohen pjesërisht nga të ardhurat dhe pjesërisht nga fondet buxhetore, të miratuara për vitin 2017. Për punonjësit që përfshihen në procesin zgjedhor të qeverisjes qendrore, efektet financiare përballohen nga fondi i miratuar për zgjedhje, për vitin 2017, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi fillojnë pas hyrjes në fuqi të tij. Përjashtimisht, për pozicionet e kontraktuara për një periudhë njëvjeçare apo që janë në vijimësi nga viti i kaluar, efektet financiare fillojnë në datën 1 janar 2017 dhe pagesa e muajit dhjetor kryhet në fund të këtij muaji, me fondet e miratuara për vitin 2017.

ÇFARË DOKUMENTACIONI MË DUHET PËR TË APLIKUAR
Nëse nuk ke statusin e nëpunësit civil dhe po aplikon për t’u bërë pjesë e shërbimit civil, të duhen dokumentet e mëposhtme:

1. Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me dokumentin-tip që e gjeni në linkun: http:// www.dap.gov.al/legjislacioni/ udhezimemanuale.

2. Fotokopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën Bachelor). Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njehsimi nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit;

3. Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);

4. Fotokopje të letërnjoftimit (ID);

5. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;

6. Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;

7. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj./Gazeta shqiptare./express


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu