Konfirmohet interesimi i Lazios për Latifin

Pas ndeshjes Itali – Shqipëri, një lajm i bujshëm vjen nga mediat e vendit italian.

Skuadra e Lazios ka shfaqur interesim për Liridon Latifin, i cili në këtë ndeshje bëri edhe debutimin zyrtar me Kombëtaren kuqezi.

Në ndeshjen e luajtur në Palermo ka qenë i pranishëm edhe Igli Tare, i cili mban postin e drejtorit sportiv te skuadra laziale. Sipas asaj që shkruan “Corriere dello Sport”, Tare ka qenë në stadiumin “Renzo Barbera”për të vëzhguar nga afër lojtarët e tij, Strakosha dhe Imobile, por ndërkohë edhe për të monituar ndonjë lojtar të ri.

Edhe pse nga vetë Tare nuk ka pasur ndonjë deklaratë, mediat italiane konfirmojnë interesimin e Igli Tares për mesfushorin nga Kosova që në fund të sezonit mund të largohet me parametra zero, sipas llogarive të ish – sulmuesit kuqezi.

Padyshim një lajm i bujshëm ky, duke parë faktin që Lacio është një ekip me emër në Itali dhe kalimi direkt në Serinë A do të ishte një hap i madh në karrierë për Liridon Latifin, i cili në merkaton e janarit mbeti “peng” i rregullores që nuk e la të largohej nga Skënderbeu për një shifër të majme.

Ndërkohë, interesimin nga Lazio ka konfirmuar edhe vetë presidenti Ardjan Takaj.

Numri një i klubit bardhekuq është shprehur në një prononcim për Panorama Sport, se kjo gjë është e vërtetë por se lojtari nuk do largohej me parametra zero: “Po, mund të konfirmoj se ka pasur interesim nga ana e Lacios për Liridon Latifin. Nuk mund të them nëse ka ofertë zyrtare, por mund të pranoj që interesimi ka qenë i madh”, u shpreh ai fillimisht.

Ndërkohë, për sa i përket çështjes së kontratës së Latifit, Takaj sqaroi: “Nuk rrezikojmë që ta humbasim lojtarin me parametër zero në verë, pasi lojtari ka një kontratë deri në fund të sezonit të ardhshëm me Skënderbeun”, ishin fjalët e presidentit korçar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu