KSHZ, nisin përgatitjet për zgjedhjet lokale

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbajti seancën në funksion të përgatitjeve të zgjedhjeve lokale të cilat pritet të mbahen më 15 tetor të këtij viti.

Në seancë u miratuan udhëzimet për mënyrën dhe procedurën për paraqitje, pranimin dhe verifikimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale, për fletëvotimet e vlefshme dhe të pavlefshme, si dhe krijimin e identitetit të zgjedhësit. Në udhëzimin për paraqitje të listave të kandidatëve këtë vit ka sqarim shtesë për përfaqësimin gjinor.

Siç u tha, fletëvotimi i vlefshëm do të llogaritet nëse rrethohet numri rendor para kandidatit për të cilin është përcaktuar votuesi. I vlefshëm do të llogaritet edhe fletëvotimi nga i cili në mënyrë të sigurt dhe pamëdyshje do të mund të vërtetohet se për cilën listë të kandidatëve voton.

Ndërsa në aspektin e votave të pavlefshme, kryetari i KShZ-së Aleksandar Çiçakovski, theksoi se është konsultuar analiza ndërkombëtare e cila tregon se numri i fletëvotimeve të pavlefshme në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore lëviz prej 5 deri 7% nga fletëvotimet e shfrytëzuara në zgjedhje nacionale.

“Sipas nenit 5, alineja 1, do të votojë votuesi i cili do të japë dokument për identifikim personal në të cilin personi në fotografi është i njëjtë me personin në fotografi në certifikatën e veçantë në Listën Zgjedhore, përderisa në nenin 6, alineja 3, do të votojë ai që jep dokument për identifikim personal në të cilin personi në fotografi nuk është i njëjtë me personin në fotografi në Listën Zgjedhore”,- theksoi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.

Anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi, në diskutim theksoi se dallimi mes numrit të fletëvotimeve të pavlefshme në dy ciklet e fundit zgjedhore ka qenë e vogël.

Në zgjedhjet e vitit 2016 ka pasur 37.870 fletëvotime të pavlefshme, ndërsa në vitin 2014, 37.654. Në zgjedhjet lokale të vitit 2013 numri i fletëvotimeve të pavlefshme ka qenë 49.954.

Nga KShZ informuan se nuk u janë paguar mjetet për kompensim të shpenzimeve gjatë zgjedhjeve të fundit Lëvizjes “Besa”, pasi xhirollogaria e këtij subjekti është joaktive. Kryetari i KShZ-së, Çiçakovski, u bëri thirrje partive politike të cilat i kanë marrë kompensimet t’i dorëzojnë raportet përfundimtare financiare për zgjedhjet në dhjetor në KShZ dhe në Entin për Revizion.

Siç është paralajmëruar kryeparlamentari, Talat Xhaferi, zgjedhjet lokale pritet zyrtarisht t’i shpallë më 6 gusht. (Ersan Pajaziti, TVM2)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu