Kur luksi dhe varfëria shfaq tragjikomiken në të përditshmen tonë

Ilir Çumani

Kjo është njëra prej shumë godinave shtetërore ku qeveria e rilindjes ka investuar plot 1.8 milionë dollarë për restaurimin e saj. Janë me dhjetra godina të tilla, përfshi dhe selinë e Kryeministrisë, që i janë nënshtruar rikonstruksionit dhe modernizimit në një superluks të tepruar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. 30 % e buxhetit të shtetit vitin që shkoi, iu dedikua projektit për modernizimin dhe luksin e administratës së qeverisjes qendrore, duke përfshirë edhe mobilimin dhe rehatimin tepër komod të qeverisë luksokrate. Bërja publike e këtij fakti, u justifikua nga qeveria se kjo ka të bëjë me ringritjen e institucioneve dhe me dinjitetin e shtetit. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe nëse kjo, vërtetë synon prezantimin e mirë të imazhit të shtetit faqe botës. Mirëpo e gjitha kjo, ka një kontrast të madh me realitetin që kalon vendi ynë.

Është tepri dhe luks i madh të shpenzohen kaq shumë para për komoditetin dhe ngrohjen e të ndenjurave të zyrtarëve tanë të superpaguar, kur aktualisht, të gjitha shkollat dhe kopshtet e fëmijëve tanë, qendrat rezidenciale, shtëpitë e fëmijëve dhe shtëpitë e të moshuarve, sot po vuajnë mungesën e ngrohjes në këtë dimër të acartë, ndërsa qeveria, në prag të kësaj epidemie është vënë në dilemë që të mbyllë të gjitha shkollat edhe për ca ditë, ngaqë nuk ka qenë e aftë të zgjidhte këtë problem kaq social dhe human njëkohësisht. Ashtu si në çdo familje, kur vëmendja parësore përqendrohet tek mirëqenia e fëmijëve, duke u siguruar atyre kushtet elementare të domosdoshme të jetës normale, ashtu edhe një qeveri e përgjegjshme, duhej që vëmendjen e këtyre investimeve ta kishte përqendruar tek problemi i ngrohjes së këtyre institucioneve të dijes, pikërisht, aty ku përgatitet dhe edukohet gjenerata e një brezi të ri. Është e papranueshme dhe papërgjegjësi totale, kur në të gjithë vendin është ulur këmbëkryq varfëria, kur e gjithë Shqipëria është përfshirë nga rrjeti i prodhimit dhe i shitjes së kanabisit, kur 110.000 familje të varfëra figurojnë sot jashtë skemës së ndihmës ekonomike, kur qindra fëmijë e pleq të braktisur dhe endacak, gdhihen dhe ngrysen të zbathur, të zhveshur dhe të paushqyer poshtë urave dhe të kërcënuar orë e çast nga kthetrat e vdekjes, kur 31.000 fëmijë jetim sot janë jashtë vëmendjes së shtetit dhe në luftë me mbijetesën me një lëmoshë prej vetëm 20 dollarë në muaj të dhënë nga e ashtuquajtura ndihma ekonomike, kur ende shteti shqiptar nuk ka kurajon të deklarojë zyrtarisht shkallën e minimumit jetik të varfërisë, kur politikat sociale dhe mbrojtëse të shtetit ndaj grupeve të dizavantazhuara të shoqërisë janë ironikisht qesharake dhe tallëse, kur papunësia dhe varfëria është ulur këmbëkryq, edhe pse kryeministri ynë deklaron se punë ka, por nuk ka profesionistë, kur në spitalet tona edhe kur je i siguruar mjeku nuk të prek me dorë nëse nuk paguan nën dorë, kur avokatë – sekserë e gjobëvënës në bashkëpunim me prokuror dhe gjykatës të korruptuar, të mohojnë të drejtën që ke se nuk ke paguar para, kur të rinjve tanë iu janë vrarë shpresat dhe ëndrrat për të ardhmen duke menduar si ta braktisin një orë e më parë vendin e tyre, etj, etj; si mundet që qeveria dhe kryeministri ynë luksokrat 30 % të buxhetit të shtetit, nga paratë e qytetarëve shqiptarë, t’ia dedikoj superluksit të zyrave dhe modernizimit të ambjenteve ku punojnë aparatçikët militantë fanatikë të cilët nuk jetojnë me realitetin, por janë të shkëputur në mënyrë të çuditshme nga ky realitet…!?

Çfarë është kjo arrogancë e pushtetit që e kalon caqet e mungesës së theksuar të dhembshurisë dhe humanizmit ndaj më të dobtëve, të pamundurve…!? Një lider apo udhëheqës, një qeveri, një ligjvënës ose një pushtetar, është i përgjegjshëm dhe e meriton pushtetin e votës së lirë vetëm atëherë kur ata e përdorin pushtetin dhe mandatin e tyre maksimalisht për të ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e jetës së qytetarëve të zakonshëm, larg interesave të tyre personale e meskine. Ky është i vetmi test që tregon suksesin ose mossuksesin që ata kanë. Tjetër tregues nuk ka. Kur luksi dhe varfëria masive shfaqin tragjikomiken në të përditshme tonë, sot, me të drejtë secilit prej nesh, natyrshëm i lind pyetja: a e ka justifikuar kryeministri ynë dhe qeveria e tij e “rilindjes” besimin e votuesve shqiptarë…!?