Limaj: Ma ofruan postin e ambasadorit në SHBA që të ikja nga Ministria dhe nga Kosova (VIDEO)

Zëvendëskryeministri i Kosovës që është shpallur i pafajshëm nga gjykata për “Rastin MTPT” sa ishte ministër i Transportit dhe Post-telekomunikacionit, ka shpalosur në Zona e Debatit në Klan Kosova se si atij i ishte ofruar posti i ambasadorit në SHBA, vetëm e vetëm të largohet nga Ministria dhe të ikën nga Kosova.

“Por, ikjen dhe fshehjen e bëjnë njerëzit e ligë. Unë nuk iki nga vendi im dhe nga punët e mia”, ka thënë Fatmir Limaj “Ndërkombëtarët kanë pasur oferta për mua. Kam pasur ofertë të jem ambasador në SHBA për të hequr dorë nga Ministria”.

Limaj ka treguar se si ndërkombëtarët i thoshin se nuk bën të bëhet autostrada, pasi Serbia po ndjehet e kërcënuar nga bashkimi kombëtar.

“Unë e kam thënë se autostrada do të fillojë dhe do të përfundojë”, ka thënë ai. “Pastaj, për aeroportin një herë donin ta privatizonin, por kam thënë jo se s’mund ta privatizojmë një ndërmarrje rentabile. Më pas kanë shkuar të bëjnë projekt publiko-privat. Donin ta lëshonin për 35 vjet koncesion, por unë refuzova. Thash jo: vetëm për 20 vjet do ta lëshojmë. Tani është i vetmi aeroport në rajon që është i lëshuar për vetëm 20 vjet. Edhe pak vjet dhe i kthehet Kosovës”.

Sipas tij, po të mos kthehej në Partinë Demokratike të Kosovës, pas daljes i pafajshëm në akuzat e Tribunalit të Hagës, Hashim Thaçi nuk do të mund të bëhej kurrë kryeministër i vendit. /Klan Kosova/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu