Llixhat e bekuara të Benjës

Lumi i Langaricës, degë e Vjosës që për vendasit është “Lumi i bekuar”, rrjedh potershëm përmes një kanioni spektakolar shkëmbor, të fshehur mes pyjeve dhe maleve të Dangëllisë dhe “urtësohet” vetëm një kilometër para pikëtakimit të tij me Aosin e lashtë apo Vjosën e kohës sonë. Peizazhi natyror i këtij lumi, deri tani të harruar, është nga më piktoreskët në të gjithë Shqipërinë.

Në dimër, Langarica “tërbohet”, por nuk del dot nga shtrati, sepse nuk e lejojnë “muret” shkëmbore të kanionit. Shtrati i këtij damari ujor malor, fillimin e ka diku në lartësitë e Shqerisë e Dangëllisë pranë zonave tashmë krejt të braktisura nga banorët.

Gjatë rrugëtimit të tij drejt Vjosës, rrjedha e Langaricës përfshin prurjet e dhjetëra përrenjve të tjerë, që gjatë dimrit i ndryshojnë konfiguracionin e territorit përreth Urës së Katiut, një monument i rrallë kulture.

Çdo vit brigjet e lumit gërryhen, ndërsa në shpellat e shumta në të dyja anët e kanionit, vizitorët e verës gjejnë dru e shkurre të sjella e të mbetura aty nga ujërat e fryra të dimrit, që ndonjëherë në pikat më të ngushta të kanionit, arrijnë deri në pesë metra lartësi. Rrjedha ndryshon gjithçka, me përjashtim të atyre gjashtë a shtatë burimeve natyrore me ujëra sulfurore subtermale që konsiderohen kurative, të cilat rrjedhin vazhdimisht në të njëjtat guva e që kurrë nuk e ndryshojnë prurjen.benja2

Peisazh

Peisazhi është vërtet mahnitës: shpella, kanione, gjelbërim, pemë dhe shkurre aromatike, ndërsa ujërat termale që burojnë rrëzë shpellave të kaltra dhe me një aromë të lehtë sulfuri, pasi dalin nga rrëzat e shtratit të lumit, derdhen në rrjedhën e rrëmbyeshme të lumit të Langaricës.
Ujërat termalë:

Çdo fillim sezoni, përreth burimeve termalë, vendasit ngrenë mure me gurë dhe baltë “çudibërëse” për të krijuar pellgje ku gjatë stinës së verës zhyten mijëra njerëz që kërkojnë të gjejnë shërim e derman për sëmundjet e lëkurës, eshtrave, stomakut dhe reumatizmës. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë njerëz të thjeshtë nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena dhe Gjirokastra, por gjen mes tyre edhe të ardhur nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit. Njerëz të thjeshtë, por edhe të varfër, që nuk u mban xhepi të shkojnë në plazhet brenda dhe jashtë vendit. Një pjesë e frekuentuesve qëndrojnë në ngrehina të improvizuara, çadra, autokabina dhe ngrehina të tjera më të thjeshta, të ndërtuara me mjete rrethanore.Për shkak të ngrehinave provizore, vendi ngjan shpeshherë me një kamping.

Benja

Të dyja brigjet e kanionit dhe pellgjet e formuar nga ujërat sulfurore janë të mbipopulluar nga pushuesit, por pjesa më e madhe qëndron në burimet që ndodhen pranë Urës së Katiut, një monument i ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, që vazhdon t’i rezistojë kohës pa kurrfarë problemi.

Pas përfundimit të infrastrukturës rrugore është rritur edhe interesimi i të huajve, kryesisht turistëve çekë dhe austriakë të cilët vlerësojnë bukurinë e peizazhit dhe cilësitë kurative të këtyre ujërave. Legjendat urbane se këtu janë kuruar dhe kanë gjetur shërim pacientë që nuk kanë gjetur zgjidhje nga përdorimi i ilaçeve, për turistët e huaj nuk janë sajesa. “Para viteve ‘90, këtu ka funksionuar një llixhë me 40 shtretër, ku nën kontrollin e mjekëve merrnin shërbim pacientë të ndryshëm.Rreth zonës janë ngritur disa hotele e restorante që bëjnë të mundur akomodimin e pushuesëve që frekuentojnë këto llixha.

Burimet termale

Burimet termale të Bënjës janë një fenomen vërtetë i rrallë natyror. Të gjitha burimet kryesore me ujëra termominerale sulfurore ndodhen shumë afër me njëri-tjetrin, në një gjatësi që nuk shkon më shumë se një kilometër dhe të gjitha këto rrethana krijojnë kushte për investime me interes. Ujërat termominerale të Bënjës janë të studiuara nga pikëpamja analitiko-shkencore dhe përmbajtja e tyre kimike. Studiuesit i vlerësojnë ato si burime sulfate, me përmbajtje të lartë sode bikarbonate. Sipas tyre këto burime janë të veçanta, jo vetëm se janë ujëra të nxehta, por ato kanë në përmbajtje substanca minerale të tretura, që u japin atyre ngjyrë, shije dhe veti terapeutike.

Legjenda “Burimi i Priftit”:-

Të gjithë frekuentuesit e Bënjës njihen me legjendën e Burimit të Priftit. Një zinxhirin e be4burimeve termale, Burimi i Priftit është më i largëti dhe ndodhet thellë brenda kanionit. Sipas vendasve ai është burim me vlera universale, pasi sipas legjendës: “njëherë e një kohë sollën këtu një prift të sëmurë, të mbështjellë kokë e këmbë me batanije, të paralizuar krejtësisht dhe gati duke vdekur nga një dhembje e fortë në stomak. Pa shumë shpresa për të jetuar, priftin e zhytën në ujin e burimit dhe i dhanë të pijë ujë nga burimi. Pas disa ditësh qëndrimi në ujë, prifti u ngrit në këmbë dhe iku në shtëpi me këmbët e tij, krejt i shëruar”.

Pellgu i luginës së Vjosës është zona më e pasur me burime ujërash kuruese në rajonin jugor. Përveç Bënjës, kurative janë edhe burimet me gazrat sulfurore të Postenanit, burimet e ujërave termominerale të Vronomerit, afër Leskovikut në kufi me rajonin e Konicës në Greqi. Këto thesare të rralla të natyrës,duhen mirëmbajtu e duhen shfrytëzuar. Me pak investime, mund t’i kthejmë këto pasuri natyrore në të ardhura për banorët vendas. /Nikolla Lena/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu