Majko i mban leksion Daçiqit, i përgjigjet me rrëfimin për tregtarët serbë të mishit të derrit

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se diaspora shqiptare planifikon të marrë nën kontroll një nga objektet diplomatike të Serbisë.

Ministri serb për këtë ka këshilluar politikanët shqiptarë që të mos luajnë me zjarrin. Kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur Majko, i cili ka ironizuar me një thënie për tregtarët e Beogradit.

“Ministri i Jashtëm i Serbisë, Dacic ka deklaruar se diaspora shqiptare planifikon të marrë nën kontroll një nga objektet e misioneve diplomatike apo konsullore të Serbisë. Ai ka paralajmëruar që politikanët shqiptarë “të mos luajnë me zjarrin”…”, ka shkruar Majko në Facebook.

“Dikur një Gjeneral i ushtrisë Austro – Hungareze për tregtarët e Beogradit të mishit të derrit thoshte se: ‘Përpiqen të të mbushin mendjen sikur derrin e kanë rritur në guzhinë dhe jo në mes të baltës…’”, ka shtuar ish-kryeministri shqiptar.

“Historisë nuk i ka munguar sensi humorit kur tentoi të zëvendësojë Vjenën me Beogradin. Diplomacia nuk është paturpësi. Serbia meriton më shumë”.