Mali i Zi voton protokollin për anëtarësim në NATO

Deputetët e Parlamentit malazez kanë mbështetur sot në seancën në Cetinje Projektligjin për ratifikimin e Traktatit të Atlantikut të Veriut, me të cilën plotësohen kushtet për hyrjen e Malit të Zi në NATO. Vendimi është mbështetur nga 46 deputetë, raporton Anadolu Agency (AA).

Vendimi u mbështet nga votat e mazhorancës dhe Partisë Social Demokratike të opozitës. Pjesa tjetër e opozitës bojkotoi seancën e sotme.

Projekt-ligjin për ratifikimin e Traktatit të Atlantikut Verior e arsyetoi kryeministri Dushko Markoviç, i cili i ftoi deputetët që të marrin vendimin historik që do të mbajnë mend deri sa të ekzistojë Mali i Zi dhe malazezët, si dhe të gjitha kombësitë tjera.

“Kam nderin e madh sot, në Cetinje, e cila për shekuj është simbol i lirisë së Malit të Zi dhe vlerave të trashëgimisë së vendit tonë, që Parlamentit t’i paraqes ratifikimin e Traktatit të Atlantikut të Veriut me Protokollin e Traktatit të Atlantikut të Veriut për hyrjen e Greqisë dhe Turqisë. E gjithë historia, traditat dhe qenia shpirtërore e vendit tonë na tregonë se një vendim i tillë askund, përveç në Cetinjë, nuk mund të sillej”, tha Markoviç.

Sot, sipas Markoviç “shkruhet faqja më e ndritur në historinë e Malit të Zi”.

“Krah për krah që nga 1 korriku i vitit 1878, kur në Kongresin e Berlinit u diskutua për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Malit të Zi si shteti 27-të i asaj kohe, deri në 13 korrikun e vitit 1941, kur Mali i Zi renditet në koalicionin e madh antifashist për të mbrojtur qytetërimin botëror, deri në 21 majin e vitit 2006 kur populli i Malit të Zi vendosi të ripërtërijë shtetësinë e atdheut të tyre, të rrëmbyer me padrejtësi të madhe dhe mashtrim pothuajse pas një shekulli të plotë. Sot të gjitha këto dhe shumë data të tjera të ndritshme të historisë tonë, ia bashkangjesim vendimit për anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën Veri Atlantike – shoqërinë e 28 vendeve që përfaqësojnë forcën kryesore dhe vlerat e botës moderne”, tha Markoviç.

“Republika më e vogël dhe më e prapambetur e ish-Jugosllavisë, u shkatërruara nga jehona e luftërave të përgjakshme ballkanike të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, e tërhequr jasht vullnetit të saj në luftën e çmendur të Serbisë me forcat e NATO-s në Kosovë. Mali i Zi ka pasur të gjitha gjasat të mbetet në fund të historisë së Ballkanit në rrugën e saj të gabuar”, tha Markoviç.

Në seancën e sotme në Cetinje morën pjesë edhe Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviç, dhe ish-kryetarët e Parlamentit Radivoje Brajoviç, Velisav Vuksanoviç dhe Darko Pajoviç.

Në seancën ishin edhe lideri i PDS Milo Gjukanoviç, kryetarja e Gjykatës së Lartë Vesna Medenica, Prokurori special Milivoje Katniç, Kryeprokurori Ivica Stankoviç, guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi Radoje Zhugiç si dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

Nga ana tjetër, Fronti Demokratik ka organizuar protestë, duke shprehur pakënaqësinë që vendimi për anëtarësimin në NATO merret pa organizimin e referendumit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu