Mesazhi i imamit shqiptar në Wil: Mos i harroni të mirat e popullit zviceran

Më shumë se tre mijë shqiptarë po kërkonin vendin për të shtruar sixhaden para se të fillonte falja e Bajramit, në Bronschhofen, Wil. Imami i xhamisë së re në Wil, Bekim Alimi ka apeluar për mirënjohje ndaj vendit mikpritës

Respekti për fqinjin e për bashkëjetesën më të, është njëri nga standardet e pashkruara të popullit tonë. Kështu e me gjuhën e mirënjohjes dhe respektit, ka folur hoxha i njohur i xhamisë re të Wilit, Bekim Alimi.

Ai ka ftuar xhematin e tij për reflektim, përshtatje e logjikë të shëndoshë ndaj kulturës e vendit ku jetojnë.

„Unë jam mysliman i cili është bashkëkohor, i takon kohës ku jeton, di të logjikojë, di të përshtatet dhe di të reflektojë në vendin ku jeton dhe në jetën si jeton“, ka thënë hoxha pragmatik, para më shumë se tre mijë besimtarëve.

Nëse dikush na ka dhënë një copë bukë, haxhi baba na ka mësuar që kurrë këtë copë buke mos ta harrojmë. E si mendoni në këtë vend ku jetojmë edhe ne, me djersën tonë por, me mundësinë e tyre, na kanë ndarë shumë copë buke. Mendoni se a do të ishte reale dhe e drejtë nëse këtë mirë ne e harrojmë?“, pyet hoxha karizmatik duke kërkuar nga besimtarët që përmes sjelljeve në rrugë, me fqinjët, në shkollë dhe në vendin ku jetojnë, të ndërtojnë ura bashkëjetese e paqeje me popullin mikpritës zviceran.

„Unë jam ai i cili reflekton yrnek dhe një shembull të mirë në shoqëri. Unë nuk jam pasiv në shoqëri, unë jam aktiv në të dhe u përgjigjem të gjitha nevojave të cilat shoqëria dhe vendi im i ka për mua “ ishin fjalët e Bekimit duke ngritur lartë gishtin në kërkim të reflektimit ndaj të mirave që kemi nga populli e shtetit zviceran.

Populli zviceran ka investuar më së shumti në tokën tonë në Kosovë, ata na kanë dhanë bukë, thotë hoxha

„A e dini cili prej popujve ka investuar dhe vazhdon të investojë në tokën tonë në Kosovë -është populli zviceran“, ka thënë ai. „Në shumë drejtime, prandaj ne nuk jemi mësuar kurrë që t’ia harrojmë të mirën atij që na ofron një copë bukë“.

Alimi ka bërë thirrje për solidaritet, për mëshirë me të varfrit, për më tepër mirëkuptim e bashkëjetesë mes komuniteteve.

„Nuk pranoj kurrë, në qoftë se kjo xhami dhe xhamitë tjera lejojnë që në to të bëhet politikë, të thirret për vrasje, të thirret për urrejtje ndaj njerëzve apo të thirret edhe për vëllavrasje. Këtë e besoj që as ju nuk do ta lejoni,“ është shprehur Alimi.

Ai ka vlerësuar lartë kontributin e besimtarëve të tij në ngritjen e xhamisë së re, duke mohuar zërat se donacionet për ngritjen e xhamisë kanë prejardhje të dyshimtë.

„Ne nuk kemi pasur nevojë për ndonjë donacion apo për ndonjë investim të huaj, ngase zemra jonë dhe zemra e popullit tonë ka qenë gjithmonë e hapur për shtëpitë e zotit. Populli ynë dinjitoz e trim, me shekuj me radhë jetoi dhe bashkëjetoi mes vete në më shumë fe në harmoni e paqe vëllazërore e ndërfetare“.

„Jetojnë me qindra vite me radhë pranë njëri tjetrit, urojmë për bajram e për festa të njëri tjetrin dhe kurrë nuk ka ngurruar ta ndajnë me njëri tjetrin ushqimin që e kanë gatuar për vete“.

Albinfo.ch ka përcjellë faljen e Bajramit të madh me xhematin e xhamisë së re shqiptare në Wil dhe ju sjell atmosferën, përmes lutjeve të imamit Bekim Alimi.

Varg i gjatë besimtarësh që kërkonin vend për të shtruar sixhaden

„Në këtë ditë të mëngjesit, në këtë ditë të bajramit, në këtë ditë të festës së madhe anembanë botës, ngrihet zëri i tekbirit -Allahuekber. Zoti është më i madh, zoti im është më i madh mbi gjithçka, ai i cili krijoi dhe nuk e harroi krijesën e tij dhe gjithë me mëshirë e mbuloi, me ushqim e furnizoi dhe pranë i qëndroi“, ishin lutjet e para të faljes së Bajramit në palestrën sportive në Bronschhofen.

Më shumë se tre mijë shqiptarë po kërkonin me nguti vendin për të shtruar sixhaden para se të fillojë falja e bajramit. Shumë besimtarë mezi kishin krijuar një vend për të falë Bajramin në korridorin e palestrës, të tjerë kishin mbetur jashtë saj.

“Allahu i do të pastrit dhe i do ata të cilët kërkojnë falje dhe ata të cilët pendohen. Në këtë ditë të madhe të Bajramit lus dhe thërras që të gjithë ne të pendohemi nga veprat tona të liga, se Zoti i falë të gjithë”, ka thënë mes tjerash imami Alimi.

Imami lut Zotin t’ia falë mëkatet secilit besimtar që sot është përkulur për lutjet e Bajramit, pas muajit të agjërimit.

„Ne e falënderojmë Zotin për këtë xhemat të mirë e që ju ka falë juve në mesin tonë dhe e lusim zotin në këtë ditë të Bajramit për hir të veprës tuaj të madhe dhe për hir të kontributit tuaj të madh për shtëpinë e zotit, në këtë ditë të Bajramit, Allahu mos lejoftë askënd prej jush të dalë prej sallës përpara se me u marrë të gjitha gjynahet“/albinfo.ch


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu