Në kërkim të natës së Kadrit!

Nga transmetimet e sakta të disa haditheve thuhet se myslimani duhet ta kërkojë natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit. Nata që më së shumti supozohet të jetë nata e Kadrit është nata e njëzet e shtatë.

Megjithatë, jo në të gjitha vitet, nata e Kadrit është në një natë të caktuar.

Kjo do të thotë se në një vit ajo mund të jetë natën e 27-të, ndërsa në vitin tjetër, për shembull, ajo mund të jetë natën e 25-të. Kjo ndodh kështu me vullnetin dhe urtësinë e Allahut të Lartësuar.

Një gjë të tillë e dëshmojnë hadithet e profetit (a.s.) të transmetuara që flasin për këtë temë.

Ubej ibnu Kalabeh ka thënë: “Nata e Kadrit i bie që të lëvizë në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.”[3]

Ashtu si nuk dihet me saktësi ora e lutjes në ditën e Xhuma, po ashtu nuk dihet me saktësi se kur është nata e Kadrit.

Urtësinë e fshehjes së saj e di Allahu, por ajo që duhet të bëjë myslimani është që të jetë sa më kërkues sepse nëse do ta dinim me siguri se kur është, atëherë myslimani do të plogështohej në adhurim përgjatë gjithë muajit dhe do t’i mjaftonte fakti që të përkushtohej me adhurim vetëm atë natë.

Pra fshehja e saj e fton myslimanin që të përkushtohet me adhurim përgjatë gjithë muajit, veçanërisht në dhjetëditëshin e fundit të muajit.

Po ashtu, sekret i fshehjes së saj është se ajo është edhe një sprovë për myslimanët.

Fshehja e saj konsiderohet një mirësi e madhe.

Shenjat e natës së kadrit:

E para: Nata mos të jetë as e nxehtë e as e ftohtë.
E dyta: Të jetë natë e shndritshme.
E treta: Në këtë natë zbresin shumë engjuj.
E katërta: Dielli në agimin e saj lind pa rreze.

Argumentet për këto shenja:

I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nata e Kadrit është natë e shndritshme, as e ftohtë e as e nxehtë, dielli në agim lind i kuq e i dobët”. Transmeton Iben Huzejme dhe e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!).

I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mua m’u tregua nata e Kadrit, e më pas m’u harrua. Ajo gjendet në dhjetë netët e fundit. Ajo natë është e shndritshme, nuk është as e ftohtë e as e nxehtë, sikur të kishte në të një hënë që shndriste yjet e saj. Nuk del shejtani i saj deri sa të dali agimi i saj”, transmeton Iben Hibani e hadithi është i saktë me rrugët e tij.

I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shenja e saj (natës së Kadrit) është që të lind dielli në agimin e saj i bardhë, pa rreze”, transmeton Muslimi (Allahu e mëshiroftë!).

Janë përmendur edhe disa shenja të tjera që nuk kanë argumente si:

1.Mos të lehin qentë.
2. Mos të bien yje prej qiellit.
3. Të bjerë shi në atë natë.