“Në Shqipëri do ndërtohen dy aeroporte të rinj, ja në cilat qytete.

Ministri i Energjitikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka qenë prezent ditën e sotme në Komisionin e Ekonomisë, ku ka folur për buxhetin e 2018-s dhe projektet e qeverisë.

“Rruga e re Tiranë-Elbasan përfundon vitin tjetër dhe do të ketë më pak trafik për qytetarët që kanë hasur probleme gjatë kësaj kohe, sepse do të lidhet edhe me segmentin Tiranë-Durrës.

Do të hapim dhe kompletojmë projektin e ri që ka të bëjë me by-pass-in e Tepelenës, që kompleton gjithë aksin nga Levani deri në Kakavijë dhe pjesën tjetër që shkon në Sarandë”, tha Gjiknuri.

“Do të vijojmë me plotësimin me të gjitha standardet të aksit Kashar-Rrogozhinë, si dhe përmirësimin e senetit nga Plepat në Fier, që nuk përfundoi asnjëherë, pasi ka shumë mbikalime dhe rreth-rrotullime të papërfunduara”, tha ministri.

“Do të bëjmë By-pass-et shumë të rëndësishme të Fierit dhe të Vlorës, që janë kthyer në gangrenë, dhe nyje problematike gjatë verës.

Ky buxhet i garanton. Ndërkohë, bashkë edhe me Fondin e Zhvillimit, kanë nisur rrugë si ajo e Lumit të Vlorës, si dhe do përfundojmë Kardhiq-Delvinë.

Ky buxhet do të garantojë nisjen e Rrugës së Arbrit, pasi të lidhet kontrata do të nisë puna dhe ajo do të kthehet në një nyje ndërkombëtare që do të lidhet me Maqedoninë, që do të jetë dhe nyje e rëndësishme e shkëmbimit ekonomik mes dy vendeve.

Është një buxhet i konsiderueshëm për infrastrukturën rrugore, nuk është i mjaftueshëm për gjithçka, por për infrastrukturën për këto 4 vjetë, dhe sidomos buxheti i këtij viti, bëjnë që të përfundojmë segmentet e nisura dhe hapja e të tjerave që i shërbejnë Shqipërisë për t’u kthyer në një nyje rajonale të tregtisë, duke eliminuar shumë probleme që kanë hasur qytetarët”, vijoi më tej ai.

Gjiknuri njoftoi gjithashtu edhe kryerjen e një auditi sa i takon investimit në rrugën Tiranë-Elbasan.

“Projekti ka probleme serioze dhe shembull tipik i rrugomanisë. Duam që rruga të përfundojë sa më parë, por edhe të dalin përgjegjësitë”, u shpreh ai.

Gjiknuri tha se buxheti parashikon investime të tjera, siç është korridori veri-jug, që është pjesë e korridorit Ionian-Adriatik dhe që do të ndihmojë që Shqipëria të lidhet më mirë me vendet fqinje.

Ministri njoftoi edhe planet e qeverisë për ndërtimin e aeroporteve të reja në vend, konkretisht në Sarandë dhe Vlorë.

“Kemi plane për ndërtimin e aeroporteve të reja.

Një konsorcium turk ka shprehur interes për aeroportin e Vlorës dhe po bën fizibilitetin, ndërsa synim mbetet edhe një aeroport turistik në Sarandë.

Me kapacitetet turistike që ka Saranda, ka mundësi që ta justifikojë ngritjen e një aeroporti”, tha Gjiknuri.(TemA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu