Nesër Donald Trump merr në dorë kodet bërthamore, ja çfarë mund të bëjë ai

Trumpit nesër do t’i dorëzohet edhe fuqia për të nisur ndonjë sulm bërthamor, pasi të inaugurohet.

Në një shkrim të Independent është përshkruar se çfarë ndodh në momentin kur i dorëzohen Donald Trump kodet bërthamore dhe çfarë e ndalon atë nga përdorimi i tyre.

Kur i merr kodet bërthamore?

Një ushtar i panjohur do ta shoqërojë Presidentin Barak Obama gjatë ceremonisë së dorëzimit nesër. Ata do të mbajnë me vete edhe çantën në të cilën ndodhet një copë pajisje digjitale, e njohur si “biskota”, e cila do t’i kalohet Trumpit.

Një takim privat më pas do të ndodh menjëherë me presidentin e ri, për t’i treguar se si aktivizohen ata. Cristina Varriale, një analiste e politikës bërthamore në Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore (RUSI), tha për Independent: “Që nga momenti kur ai inaugurohet dhe bëhet zyrtarisht president i SHBA-së, Trump do të ketë qasje në kodet bërthamore”, transmeton Gazeta Express.

Çfarë e ndalon atë nga përdorimi i tyre?

“Në teori presidenti ka lirinë e plotë për autorizimin e përdorimit bërthamor, megjithatë në praktikë, lansimi varet nga disa faktorë të tjerë, duke përfshirë edhe një element njerëzor”, shtoi Varriale.

Trump do ta merrte vendimin e parë, por ai do t’i jepte leje Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, dhe Gjeneralit në pension të Marinës, James Mattis, për të autorizuar nisjen.

Mattis mund të kundërshtojë urdhrin por kjo do të përbënte kryengritje dhe presidenti mund ta pushojë atë dhe t’i kthehet zëvendës sekretarit të tij të mbrojtjes e kështu me radhë.

Gjithashtu, në bazë të Amandamentit 25 të Kushtetutës Amerikane, një zëvendës president mund ta deklarojë presidentin të paaftë mendërisht, por duhet të ketë shumicën e kabinetit.

Eksperti Mark Fitzpatrick, nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Uashington, tha gjithashtu për BBC News: “Nuk ka kontrolle dhe balanca në autoritetin e presidentit për të nisur një sulm bërthamor”.

Si dërgohet mesazhi?

Brenda çantës është një libër i zezë me një meny të opsioneve për sulm. Ai pastaj vërteton identitetin e tij si komandanti i përgjithshëm duke përdorur një kartë plastike.

Pasi të bëhet kjo, urdhri kalohet përmes kryetarit të Shtabit të Shefave të Përbashkët, në dhomën e luftës së Pentagonit, dhe pastaj, duke përdorur kodet autentike të vulosura, për në selinë e Komandës Strategjike në Bazën Ajrore në Nebraska.

Urdhri për të nisur sulmin transmetohet tek ekipet që e nisin sulmin duke përdorur kodet e transkriptuara që përshtaten me kodet e mbyllura në kasafortat e tyre.

Sa shpejt?

Për më pak se një orë, siç duket. Koha që raketave me bazë në tokë iu duhet për të fluturuar mes SHBA-së dhe Rusisë, ose SHBA-së dhe Kinës, është rreth 30 minuta.

Sa dëme mund të shkaktojë?

“Shtetet e Bashkuara mbesin ende një prej superfuqive bërthamore në botë – tjetri duke qenë Rusia – me një arsenal që ka potencialin të jetë tepër shkatërrues dhe të ndryshojë botën siç e njohim”, tha Varriale.

Që nga shtatori 2016, sipas BBC, Amerika ka pasur 1,367 mbushje bërthamore, Rusia kishte 1,769 dhe Britania kishte 120.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu