Nxënësit në Shqipëri, që s’dinë të lexojnë: Kryeqytet i vendit është Homezhi! (VIDEO)

Në vitin 2017, në Shqipëri ka ende fëmijë që nuk dinë të lexojnë apo të shkruajnë. Të tillë janë fëmijët e klasës së nëntë në shkollën e fshatit Homezh të Pogradecit.


“Fiks Fare” solli këtë të premte me fakte paditurinë e tyre në leximin dhe shkrimin e gjuhës mëmë. Në redaksinë e emisionit mbërritën disa ankesa nga prindërit, të cilët thanë se në shkollën e fshatit fëmijët bëjnë mësim në klasa të përbashkëta dhe janë pothuajse analfabetë.

Gazetarë të “Fiksit” udhëtuan në fshatin në fjalë. Një vajzë, e cila kishte mbaruar klasën e IX-të të kësaj shkolle, nuk dinte se kush ishte kryeqyteti i Shqipërisë dhe u përgjigj me emrin e fshatit te vetë, Homezhi.

Vajza nuk arrinte të lexonte dhe të njihte shkronjat dhe me vështirësi shkroi emrin e saj në letër. Çudia më e madhe ishte kur kjo vajzë nuk arrinte të lexonte as gërmat e mëdha të shtypit, të shkruara në murin e shkollës.

E njëjta gjendje ishte në shumicën e nxënësve. Kur iu kërkua nga gazetarët e “Fiks Fare” të lexonin një fjali të vetme pa gabime nga librat që kishin mësimin e ditës, vetëm njëri lexoi rrjedhshëm, ndërsa 15 fëmijët e tjerë nuk e përfunduan dot fjalinë pa gabime.

Edhe prindërit, të cilët e pritën grupin e xhirimit në mes të fshatit, pohuan njëzëri se fëmijët e tyre që nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë nuk dinë as të lexojnë dhe as të shkruajnë. /Top Channel


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu