Organizohet në Kosovë “Gay Pride” të pranishëm Haradinaj dhe Thaçi, mesazhe mbështetëse për komunitetin LGBT

Në Prishtinë, për herë të parë është mbajtur “Parada e Krenarisë, e cila, sipas organizatorëve, kishte si qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët “për të treguar që komuniteti LGBTI, ashtu si edhe gjithë shoqëria mund të duan dhe të dashurojnë, si dhe largimin e paragjykimeve që shoqëria kosovare i ka për komunitetin”.

Kjo paradë, u mbajt pas tri marsheve të organizuara vitet e kaluara, në të cilat patën marrë pjesë edhe krerët shtetëror të Kosovës në mbështetje të komuniteti LGBTI. Aktivitetet në mbështetje të këtij komuniteti kanë filluar që nga 6 tetori.

“Motoja e Javës së Krenarisë për këtë vit është, ‘Në emër të Dashnisë’”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga organizatat që kanë marrë përsipër organizimin e paradës. Lendi Mustafa, njëri nga pjesëtarët e këtij komuniteti tha se secili ka të drejtën e lirë për të jetuar në paqe.

“Nuk duam të jetojmë pranë urrejtjes së njëri-tjetrit, në këtë botë ka hapësirë për të gjithë por nuk ka hapësirë për urrejtje dhe negativitet. Më shumë se gjithçka na duhet dashuria, më shumë se gjithçka na duhet humanizmi. Ne jemi mbledhur këtu për të rrezatuar dashuri për të gjithë ata që na kanë mbështetur për të pasur të drejta të barabarta. Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë të rrezatojmë dashni sepse jemi krenar”, u shpreh Mustafa.

Në nisje të kësaj parade, ka marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Presidenti Thaçi ka shprehur përkrahjen institucionale për të drejtat e këtij komuniteti dhe ka konfirmuar edhe njëherë se në Kosovë të gjitha komunitet janë të barabarta.

“Shteti dhe shoqëria kosovare janë të ndërtuara mbi parimet e barazisë e lirisë për të gjitha komunitetet. Nuk do të lejojmë që kushdo në Kosovë të ushtrojë frikë dhe kërcënime kundër ndonjë individi apo kundër ndonjë grupi.

Institucioneve të shtetit të Kosovës u përket të përkrahin dhe të mbrojnë çdo qytetar në realizimin e të drejtave të tyre të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka përfunduar Presidenti Thaçi.

Po ashtu, në paradë janë parë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë.
Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delaëie ka përshëndetur pjesëmarrësit në paradën e parë të komunitetit LGBTI në Kosovë. Ai tha para të pranishmëve të tubuar në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë se ambasada e ShBA-së i mbështet ata dhe do të qëndrojë përherë pranë tyre.

“Ditë tepër e mrekullueshme për ta pasur tamam Paradën e Krenarisë. Jam shumë i lumtur që po i shoh gjithë këta përkrahës këtu. Dëshiroj t’ju bëj të ditur të gjithëve që Ambasadës e SHBA-së në Kosovë ju mbështet të gjithëve dhe qëndron krah jush”, tha ambasadori Delawie.

Parada ka nisur nga Sheshi “Skënderbeu” dhe ka vazhduar nëpër qendër të Prishtinës deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”, ku është përmbyllur me një concert, shkruan Radio Europa e Lirë. Në ketë manifestim kanë marrë pjesë përfaqësuese të këtyre komuniteve nga Serbia, Maqedonia, Bosnjë Hercegovina dhe vende të tjera.

Në studimin e kryer nga National Democratic Institute- NDI “Hulumtimi i mendimit publik për komunitetin LGBTI në Ballkanin Perëndimor”, Kosova del të jetë vendi më homofobik në rajon, ku personat e këtij komuniteti janë të diskriminuar në të gjitha fushat e jetës. Gjatë organizimit, rrugëve të kryeqytetit të Kosovës janë parë edhe forca policore në shërbim të mbarëvajtjes dhe ecurisë së qetë të kësaj parade.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu