Paditet ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” nga SPB në Gostivar (VIDEO)

Sektori për Punë të Brendshme në Gostivar ka ngritur padi për kundërvajtje ndaj drejtorit të ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, seksioni i Gostivarit, për mospastrim e rrugëve rajonale, njofton Alsat-M. Padia është ngritur konkretisht për mos pastrim të rrugëve në aksin rrugor mes fshatrave Gradec, Negotinë Vrutok, si dhe në aksin rrugore drejt fshatit Çegran.

“Pas reshjeve të fundit të borës, ndërmarrja në fjalë nuk ka krijuar kushte për lëvizje të sigurt të makinave dhe njerëzve në akset e lartë përmendura rrugore, edhe pse në vendparkimin e ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, seksioni i Gostivarit, kanë qëndruar të parkuara gjashtë makina për pastrim të rrugëve”, -shkruan mes tjerash në dokumentin që arriti të siguroj televizioni Alsat-M.

Padinë e ngritur kundër ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë” e ka konfirmuar edhe drejtori i përgjithshëm i saj Gajur Kadriu. Por, sipas tij padia nuk ka bazë ligjore.

“Padia për kundërvajtje nuk është ngritur sepse rrugët nuk kanë qenë të pastruara si duhet, por sepse punëtorët e seksionit të Gostivarit, nuk e kanë dëgjuar inspektorin që ka ngritur kundërvajtjen, për t`ia pastruar rrugën private deri tek vikend-shtëpiza e tij”, deklaroi Gajur Kadriu.

Ndërkohë, banorët arsyetojnë padinë ndaj ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë” pasi sipas tyre kjo ndërmarrje nuk ka pastruar borën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu