Protestat antishqiptare po e zbrazin arkën e Maqedonisë (VIDEO)

Ministria e Punëve të Brendshme nuk pranon të tregojë se sa janë shpenzimet për policinë gjatë protestave të përditshme të nismës “Për Maqedoni të përbashkët”. Nga ky dikaster për Alsat M thonë se ekipet kujdestare s’mund të mbajnë llogari gjatë fundjavës, kështu që për përgjigje kanë thënë se duhet pritur deri të hënën.
Deri tani janë mbajtur 54 ditë protesta të kësaj nisme vetëm në Shkup ndërsa në mënyrë paralele protesta kishte edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë. Protestuesit së fundmi kërkojnë zgjedhje të reja parlamentare ndërsa njoftuan se prej javës së ardhshme do t’i shpalosin metoda demokratike për realizimin e kërkesave të tyre.

“Prej sot e tutje zgjedhjet janë kërkesë elementare e nismës civile “Për Maqedoni të përbashkët” tha Boris Dimovski, nisma “Për Maqedoni të përbashkët”.

Jozyrtarisht mësohet se javën e ardhshme, protestuesit kanë planifikuar që të vendosin tenda para Kuvendit. Të pyetur nga mediat, organizatorët thonë se opsioni i këtillë ka qenë i hapur që nga fillimi i protestave, por ende nuk kanë një vendim konkret nëse do ta zbatojnë sepse siç thonë, vendimet i marrin aty për aty. Protestuesit fillimisht ishin kundër platformës së partive politike shqiptare, kundër binacionalitetit dhe dygjuhësisë, kurse së fundmi, kërkojnë zgjedhje të reja parlamentare. Sipas aktivistit Xhelal Hoxhiq retorika e protestuesve është identike me kërkesat e VMRO DPMNE-së. Ai konsideron se një pjesë e qytetarëve janë manipuluar dhe janë vënë në funksion të propagandës së kësaj partie.

“Kultura nuk më lejon të them se të gjithë që janë atje janë pjesë e VMRO DPMNE-së, por për fat të keq hapat që i marrin tregojnë këtë, në fakt kanë kërkesë të njëjtë të përbashkët si edhe VMRO DPMNE-ja për zgjedhje të reja. Zgjedhje të reja nuk duhet të ketë sepse kriza nuk qëndron aty. Zgjedhje kishim tani, kriza është në atë se janë bllokuar institucionet e sistemit, që nuk lejojnë të formohet Qeveria e re”, deklaroi Xhelal Hoxhiq.

Hoxhiq konsideron se kërcënimi i vetëm për Maqedoninë për momentin janë vetëm ata që nuk duan ta dorëzojnë pushtetin në mënyrë të qetë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme për pjesëmarrjen në protesta, numri i protestuesve nga dita në ditë shënon rënie kurse në disa qytete, ajo është ndërprerë krejtësisht./Alsat-M


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu