PSG tmerron Barcelonën, shumë afër kualifikimit (VIDEO)

Paris Saint Germain ka arritur një fitore të madhe në përballje me Barcelonën.

Ekipi francez ka triumfuar në ndeshjen e parë në 1/16 e finales me rezultat të thellë 4-0 duke bërë një hap të madh drejt kalimit tutje.

Parisienët e nisën në mënyrë të mrekullueshme përballjen e tyre ndaj Barcelonës.

Kampionët e Francës rrezikonin vazhdimisht perms sulmuesit të tyre Edinson Cavani dhe anësorëve, Julian Draxler dhe Angel Di Maria.

Ishte pikërisht argjentinasi që arriti ta zhbllokoi rezultatin me një gol të mrekullueshëm nga gjuajtja e lirë në minutën e 18-të.

Edhe pas golit të parë, PSG vazhdoi sulmet në drejtim të portës së Barcelonës.

Në minutën e 40-të, italiani Marco Verratti asistoi bukur tek mesfushori gjerman, Julian Draxler i cili me një goditje të fuqishme mposhti bashkëkombasin e tij Marc Andre Ter Stegen për 2-0.

Me epërsinë prej dy golave të PSG-së përfundoi edhe pjesa e parë në ‘Parc De Princes’.

Se vendasit ishin në një formë të mrekullueshme e treguan këtë gjë edhe në pjesën e dytë.

Pas 10 minutash lojë në pjesën e dytë, përsëri kampionët e Francës shënuan gol.

Argjentinasi Angel Di Maria realizoi një tjetër gol të bukur për ta trefishuar epërsinë e parisienëve 3-0.

Sulmet e Parisit nuk u ndalën në asnjë moment, derisa lojtarët e Barcelonës dukeshin të humbur në fushë.

Për 4-0, u përkujdes uruguaiani Edinson Cavani me një goditje të fortë në minutën e 72-të, pas asistimit nga belgu Thomas Meunier.
Barcelona kishte një rast të mirë shënimi në minutën e 83-të, por mbrojtësi Samuel Umtiti goditi vetëm shtyllën pas tentimit me kokë.

Pas kësaj fitore, PSG ka bërë një hap të madh drejt kalimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Ndërkohë Barcelonës i duhet shumë punë për ta rikthyer rezultatin në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet më 8 mars.

Sa i përket ndeshjes tjetër të zhvilluar natën e sontme, Benfica ka triumfuar me rezultat minimal 1-0 ndaj Borussia Dortmund. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu