Qeveria e re, pa garanci për zgjedhje korrekte

Fotografitë e Oliver Spasovskit dhe Frosina Remenskit u kthyen në faqet e internetit të ministrisë së brendshme dhe asaj për punë dhe politikë sociale. Ndryshimi është vetëm një shenjë, se brenda 1 viti, Maqedonia për herë të dytë ka qeveri teknike pasi që e para dështoi në detyrën për të zbatuar një proces që do të rezultojë me zgjedhje të besueshme. Por, çfarë në fakt është e ndryshme këtë herë? Politikologu Borjan Gjuzelov shprehet se për dallim prej para disa muajve, dallimi më i madh është në qëndrimin e KSHZ-së se lista e votuesve është e pastruar. Por, ai nuk është optimist i madh për ndikimin që mund ta kenë redaktori i ri i TVM-së dhe trupi ad- hok për monitorimin e mediave.

“Këtë herë ka më shumë kohë meqë Komisioni Shtetëror Zgjedhor doli me qëndrimin se lista e votuesve është e pastruar, por në raport me pikat tjera të Marrëveshjes së Përzhinës, e këto janë ndarja e partisë nga shteti dhe reformat në media, konsideroj se koha është shumë e shkurtër për reforma tjera elementare”, tha Borjan Gjuzelov. Megjithatë, Gjuzelov shton se këto mekanizma do të kenë ndonjë ndikim në afat të shkurtër gjegjësisht se do të arrijnë së paku t’i ulin presionet dhe abuzimet në periudhën parazgjedhore. Qëndrim të tillë nuk ka analisti politik Vladimir Bozhinovski. Sipas tij, në esencë asgjë nuk ka ndryshuar sepse problemin ai nuk e shikon në mosdëshirën e pushtetit për zbatimin e reformave, por në mosdëshirën e opozitës për dalje në zgjedhje.

“Me të vërtetë nuk shikoj ndonjë dallim cilësor. Ndoshta ka njëfarë makijazhi, diçka plotësuese, por kjo nuk është diç që në esencë do ta dallonte procesin që duhet të jetë tani dhe atë që duhej të ishte para 4 gjegjësisht 6 muajve”, u shpreh Vladimir Bozhinovski- analist politik. Duke marrë parasysh disponimin momental, Bozhinovski konsideron se zgjedhje më 11 dhjetor gjithsesi do të ketë. Gjuzelov tani për tani është i përmbajtur për një vlerësim të këtillë për shkak të prolongimeve që ndodhën dy herë me radhë, edhe atë nga fillimi i këtij viti./infoshqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu