Rexhep Qosja: Ibrahim Rugova tradhtar dhe njeri i Millosheviqit

Sot janë bërë 11 vite nga vdekja e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Qytetarë e përfaqësues të partisë që udhëhiqte ai, bënë homazhe e morën pjesë në akademinë përkujtimore për të.Por ka edhe njerëz të sferave të ndryshme që kan kritikuar dhe nuk janë pajtuar me politikat e ish-Presidentit Rugova.Akademiku kosovar, Rexhep Qosja, në një intervistë të mëhershme për GSH, kishte lëshuar një seri akuzash për figurën e Ibrahim Rugovës.“Ata deri sot kur po i shkruaj këto fjalë do të bëjnë çmos, me gojë e me shkrime, me gënjeshtra e me mashtrime, që të harrohen përbërësit politikë jetëshkrimor të “simbolit” të asaj politike, Ibrahim Rugovës, që atë e komprometojnë rëndë politikisht. Ata bëjnë çmos që të harrohet se ai ishte anëtar, që në rini, i Lidhjes Komuniste; ai ishte zëvendëssekretar dhe sekretar i organizatës themelore të Lidhjes Komuniste në Institutin Albanologjik; ai ishte veprimtar i Komitetit komunal të Lidhjes së Komunistëve të Prishtinës, që shfrytëzohej për tryeza, tribuna, sesione, në të cilat trajtoheshin tema politike mbi nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar pas demonstratave të rinisë sonë studentore e shkollore në vitin 1981; ai do ta trajtojë diferencimin politik pas demonstratave të vitit 1981 proces të gjatë për stabilizim politik e shoqëror të Kosovës; ai do të bëhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – detyrë që nuk e pranojnë disa të tjerë, i rekomanduar prej organeve partiake të Prishtinës; ai do ta regjistrojë LDK-në në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë; ai do të miratojë programin e LDK-së në të cilin Kosovës i caktohej një status më i varfër autonomie se në Kushtetutën e vitit 1974, të cilin program LDK-ja nuk do ta botojë në përmbledhjet e dokumenteve partiake sado është i botuar në gazetën shqipe Republika, që dilte në Slloveni; ai do të kundërshtojë demonstratat e studentëve në vitin 1997-1998; ai do ta kundërshtojë armiqësisht UÇK-në duke e quajtur dorë e zgjatur e Serbisë, kurse anëtarët e saj duke i quajtur njerëz të frustruar; ai do të jetë protagonist i zgjedhjeve të organizuara e të quajtura prej Lidhjes Demokratike, zgjedhje “të lira dhe demokratike”, natyrisht, nën dhunën dhe terrorin e Serbisë; ai do të zgjidhet kryetar i Kosovës, i Kosovës së pushtuar prej Serbisë së Millosheviçit, natyrisht pa kundërshtimin e Millosheviçit dhe të trabantëve të tij politikë në Prishtinë; ai në prag të fillimit të bombardimeve, në pyetjen se çka t’i thuhet popullit që të bëjë tani, në kushtet e bombardimeve, do të përgjigjet: le të bëjë sekush çka ia merr mendja atij; ai do të shkojë në Beograd, te Millosheviçi, gjatë bombardimeve, me ç’rast do t’i çojë dhurata të stolisura me kordele; ai në bisedë me Millosheviçin, me atë rast, në Beograd, do të pajtohet për formimin e qeverisë (kuislinge) në Kosovë; ai përpos të tjerësh, për funksionarë të lartë të kësaj qeverie kuislinge do të propozojë nënkryetarin e LDK-së, Fehmi Aganin dhe Iljaz Kurteshin, kurse për të gjetur kandidatë të tjerë për këtë qeveri do ta çojë në Maqedoni, ku ishin mbledhur shumë shqiptarë të zhvendosur me dhunë prej Kosovës, adjutantin e tij kryesor; ai do të takohet në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës, gjatë bombardimeve, edhe me kryetarin e Serbisë, Millan Millutinoviçin, të cilit, siç do të thotë vetë Millutinoviçi, në Televizionin e Beogradit, duke e quajtur nikoqir i mirë, po ashtu do t’i çojë dhurata; ai do të kërkojë, në atë kohë, prej SHBA-ve dhe prej Bashkimit Evropian që të ndërpriten bombardimet kundër Serbisë; ai, me dëshirën e Millosheviçit dhe me aeroplan të Serbisë do të çohet në Itali për t’u angazhuar për ndërprerjen e bombardimeve; ai do të deklarojë në atë kohë në një televizion zviceran se Millosheviçi e jo opozitarët e tij është e vetmja figurë politike serbe me të cilin mund të bisedohet për paqe. E të tjera e të tjera”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu