Rrëfimi i dhimbshëm: “Fjalët e fundit të nënës para se të mbytej anija në Otranto”

15 vjet më parë Ermal Rrapushi, sapo kishte mbaruar liceun artistik. Vlora, qyteti i tij, iu shkatërrua para syve. Dhe bashkë me të edhe ëndrra për tu bërë piktor. Rruga më e zakonte për vlonjatët e ’97-ës, ishte rruga për në varreza. Ndaj djali zgjodhi detin. Për të ikur njëherë e përgjithmonë. Iu lut shumë të ëmës të mos e shoqëronte në atë udhëtim. Nuk e donte me vete. Por ajo nuk e dëgjoi. Nënë e bir hipën bashkë në Katerin e Radës, atë pasdite të 28 marsit ’97. Ermali 18 vjeç dhe nëna e tij Teferi Saliu.  Kjo është intervista që Ermal Rrapushi, dha për Rudina Xhungën në 28 mars, 2011.

Çfarë dije për Katerin e Radës, para dt 28 mars të ’97?

Ermal Rrapushi: Me erdhi një informacion nga një komshiu im. Një informacion për një anije, që ishte anija e fundit, e cila po shkëputej nga brigjet e Vlorës për të shkruar drejt Italisë.

Kush e kishte?

E kishin vëllezërit e Zanit, që familja ime i njihte. Sepse i kemi pasur afër shtëpitë tona në Çole, me familjen e Zanit dhe të mitë kanë pasur hyrje-dalje. Ndaj unë dhe nëna ime, ishim nga njerëzit që nuk paguam për të hipur në atë anije. Shumica e atyre që ikën paguan lekë për të shkuar në Itali.

Sa kushtonte për të hipur në atë anije?

Sa lekë të kishte mundësi secili. Kishin vënë një tarifë prej 1 milionë lekë në mos gaboj, se tani nuk i mbaj mend shumë mirë. Kanë kaluar shumë vite.

Po ti mund të ikje vetëm, ti i njihje njerëzit që kishin anijen?

Po sigurisht. Por ishte këmbëngulja e sime mëje që nuk më linte të ikja vetëm nga meraku. Kemi jetuar vetëm me mamanë dhe motrën, kemi qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin.

Iu lute që të të mos shoqëronte në Itali, se do ikje vetëm dhe do ia dilje?

Kjo ishte kërkesa ime e parë, gjë që nuk u mor për bazë dhe parasysh. Dhe e dija që në det mund të ndodhte gjithçka.

Pse, çfarë dije?

Po sepse ishte një periudhë e acaruar. Dëgjohej që gomonet me refugjatë, mbyteshin nga italianët. Po flas për gomone me njerëz, jo me drogë apo diçka tjetër. Po flas për trafikun e njerëzve, klandestinësh, italianët i mbysnin, i qëllonin. Dhe nuk ishte rasti i parë që mund të ndodhte. Vetëm se këtë herë e bënë me anije me mbi 100 persona.

Pra parandjenjën e kishe?

Po, parandjenjën e kisha. Nuk isha i vogël, isha 18 vjeç, isha në lice, në gjimnaz.

Të kujtohet ai momenti i fundit kur u ike dhe the me vete sa mirë që u largova nga këtu, pate një lehtësim që anija po shkëputej, që po e lije këtë vend?

E ndjeva lehtësimin, normal. Si çdo njeri që shkëputet nga diçka e keqe për të shkuar drejt diçkaje më të mirë, për të gjetur atë rehatinë shpirtërore në radhë të parë.

Pate kohë të flisje me mamin apo ishte shumë rrëmujë në anije dhe nuk kishte vend për biseda?

Patëm kohë, patëm kohë. Por unë nuk i mbaj mend bisedat që kam bërë me të.

Çfarë të ndodh me kujtesën e asaj kohe, të është bllokuar, e ke bllokuar me dëshirë Ermal?

E kam bllokuar me dëshirë Rudina, i kam fshirë nga kujtesa. Ia kam stimuluar vetes ti fshij nga kujtesa sepse nuk më kanë lënë të eci përpara dhe unë dua të eci përpara. Nuk dua ta mbyll jetën time me kaq, në këtë moshë që jam.

Çfarë të kujtohet më shpesh?

Çdo gjë më kujtohet, gjithë ngjarja më kujtohet.

Mendon që ishte nëna jote ajo që të shpëtoi atë natë?

Ishte ajo që më shpëtoi, zëri i saj, unë zërin i dëgjova sepse ishte natë dhe nuk arrija dot ta shikoja në ato momente kur më tha “ngjitu lart”. Që të arrija ta shikoja duhej të isha poshtë dhe në momentin e goditjes unë nuk do kisha pasur mundësi të dilja, do kisha ngecur poshtë. Prandaj në momentin e goditjes unë isha në kuvertë.

Ndërsa mamaja ishte poshtë!

Mamaja ishte poshtë si të gjitha gratë e tjera dhe fëmijët sepse ishim në det të hapur dhe bënte ftohtë. Ata filluan të bënin manovra pikërisht kur ishim në det të hapur.

Anija ju ndiqte prej kohësh apo vetëm aty?

Na ndoqën sa dolëm nga Sazani. Ishte Zeffiro fillimisht që na ndoqi.

Nuk flitej në anijen ku ishe, që të ktheheshit kur e patë që po ju ndiqnin?

Flitej që të ktheheshim por flitej edhe që të ecnim përpara sepse nuk i shkonte mendja njeriut që ata mund të na godisnin për vet faktin se Fregata e parë na rrinte në largësi, na ndiqte në largësi. Ajo fregatë, thjesht pa lëvizjet tona, manovrat tona dhe u largua pastaj. Me urdhër të dikujt nga lart, ka ardhur një anije tjetër nga Taranto, “Sibilla”, e cila bëri disa manovra për gati 1 orë, na fliste që të ktheheshim, na drejtonin prozhektorët, edhe pse sapo kishte filluar të errësohej sepse ne u nisëm nga Vlora rreth orës 15:00 dhe në mars fillonte të errësohej nga ora 18:00. Por pavarësisht, ajo anije erdhi me qëllim.

Pse u ktheve poshtë ti pasi ti ishe në kuvertë?

Zbrita poshtë për të parë si ishte time më sepse kisha ndejtur për një kohë të gjatë lart ndërsa mamaja ishte poshtë me nusen e një komshiut tim, pra nuk ishte vetëm.

E pe?

Nuk e pashë se ishte errësirë vetëm i dëgjova zërin që më foli. Ishte një moment i vështirë se kishte njerëz që i kishte zënë deti dhe situata po bëhej e vështirë poshtë. Ajo dëgjoi zërin. “Ik lart” më tha, “se nuk ndjehem mirë”. Vetëm kaq mbaj mend.

Dhe ti u ngjite menjëherë lart.

E dëgjova dhe dola. Në momentin që dola, pashë Fregatën italiane që na erdhi përsipër.

Punë sekondash ka qenë dhe pastaj e ke parë veten në det apo jo?

Pastaj e kam gjetur veten time në det, u ktheva bashkë me anijen, duke mbajtur frymën kam dal jashtë. Më mori anija poshtë kur u kthye.

Kishte ndonjë shans që ti të ktheheshe në anije përsëri?

Nuk kishte asnjë shans sepse në radhë të parë nuk do gjeja asnjë të gjallë pasi kur je i izoluar dhe në panik, shpirti të del në sekondë, nuk ka kohë për t’u menduar, aq më tepër që ato ishin femra.

Ti ke notuar atë natë? Çfarë të bëri ty atë natë që të shpëtosh?

Këtë as vetë nuk arrita ta kuptoja, por ndoshta ajo dëshira e nënës time që unë të jetoja, besoj se kjo ka qenë. Sepse fare mirë mund të mbytesha edhe unë, edhe pse dola nga pjesa e poshtme e anijes, edhe pse dija të notoja. Mund të vdisja nga zemra sepse mbaj mend që isha bërë akull në atë 28 Mars.

Ka ndonjë peng që të ka mbetur nga ajo natë?

Pengu i vetëm është që pse pranova që të merrja time më me vete.

Por ajo për ty jetonte, ti e dije këtë!

Kjo gjë më ka bërë të vuaj gjithë këto vite dhe unë prandaj nuk i kujtoj më këto gjëra, nuk dua t’i kujtoj.

Sepse ndihesh në faj ndaj saj?

Ndihem shumë në faj ndaj saj. Ndihem shumë në faj.

Që nga ajo ditë ke ikur në Itali?

Që nga ajo ditë u shkëputa. Qëndrimi im në Itali, pas kthimit të trupave, ka qenë pjesërisht, shkoja-vija, derisa u shkëputa përfundimisht. Dhe që nga viti 2000 jam transferuar në Greqi.

Tani jeton në Vlorë.

Po, prej një viti e gjysmë jam kthyer në Vlorë.

Por je në pritje për të ikur diku, serish?

Jo, nuk jam në pritje për të ikur. Jam thjesht në pritje të diçkaje që të më ktheje qetësinë shpirtërore dhe të vazhdoj të jetoj. Por nuk jam në kërkim për të ikur diku, sepse kam jetuar jashtë shtetit për 14 vjet dhe jeta nuk është shumë e lehtë jashtë shtetit, për këdo, është e vështirë. Thjesht kam jetuar në normalitet, atë jetë që këtu në Shqipëri shumë persona nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë dhe ndoshta nuk kanë ende mundësi ta bëjnë. U ktheva duke menduar se kam nevojë të jetoj në shtëpinë time.

Jeton vetëm?

Momentalisht vetëm.

Shkon shpesh në varreza, e takon nënën tënde?

Shkoja shpesh, pothuajse javë për javë por tani i kam prerë vizitat, nuk shkoj më shpesh sepse kam arritur të mendoj që nuk është e nevojshme të shkoj shpesh sepse sido që të jetë, unë nuk kthej dot gjë.

Është një marrëdhënie e mbyllur kjo e jotja me 28 marsin e ’97-ës apo ka diçka që do ta vazhdosh, ka diçka që do ta çosh deri në fund qoftë edhe gjykimi i kësaj ngjarjeje?

Kam dashur në fakt ta mbyll pasi nuk kam pritur të marr asgjë. Ajo që pres unë nuk ma kthen njeri, nuk pres mrekullira pasi deri më sot nuk më ka ndodhur që të pres të më ndodhë tani. Kam dashur gjithmonë ta mbyll këtë histori si me veten time ashtu edhe me njerëzit që më rrethojnë. Por gjithmonë ka dal dikush që më ka stimuluar dhe ngacmuar duke ma hapur prapë atë plagë për ta ndjekur këtë ngjarje dhe për ta çuar përpara.

Ermal, kush e vrau nënën tënde?

Kush e vrau time më? Jo vetëm nënën time por të gjithë ata që vdiqën, unë fajin ia vë shtetit në radhë të parë. Për mua, dorën e krimit e ka shteti jonë pastaj e ka shteti fqinj. Këtë mendim nuk e ndërroj me asgjë në botë dhe nuk ma ndryshon dot njeri se kjo është e vërteta. Vlorën e shkatërroi shteti nuk e shkatërruam ne vlonjatët dhe vlonjatët i bëri shteti në këtë gjendje duke ushtruar trysni, siç e ushtroi deri në atë pikë. Politika e keqe e shtetit e bëri atë gjë dhe kjo politikë vazhdon akoma të mbizotërojë në Shqipëri. Kjo gjë ka për t’i lënë gjithë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët shumë vite mbrapa me një politikë të kalbur. Unë politikës ia kam hedhur fajin gjithmonë edhe pse nuk merrem me politikë se unë jam marrë gjithmonë me artin. Por ja që ndodhi që kjo politikë mua më la jetim. Mua dhe shumë familje të tjera në Vlorë. Atëherë isha 18-19 ndërsa tani jam 34 vjeç. Më vjen shumë keq për këto gjëra që ndodhin në Shqipëri por nuk i ndryshoj dot, jam një i vetëm, edhe pse dua shume, por nuk i ndryshoj dot vetëm unë./dritare.net


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu