Shqipëria e madhe, SHBA-të kritika Ramës dhe Thaçit: Deklarata të pakujdesshme

Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu dhe ai në Kosovë, Greg Delawie kanë qenë në një mendje teksa kanë kritikuar njëzëri deklaratat e një dite më parë të kryeministrit shqiptare, Edi Rama dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për mundësinë e bashkimit Shqipëri-Kosovë nëse shpresat për në BE zbehen.

“Qeveria Amerikane mbështet sovranitetin e Kosovës dhe Shqipërisë. Jemi kundër çdo diskutimi të pakujdesshëm për bashkim. Ai pengon stabilitetin e rajonit dhe rrugën europiane për të dyja vendet”, tha ambasadori amerikan në Tiranë Lu për BIRN.

Ndërkohë Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delaëie, në një reagim për Radio Evropa e Lirë i ka cilësuar deklaratat për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, si të “pakujdesshme” nga ana e të dy liderëve shqiptarë.

“Qeveria amerikane e mbështet sovranitetin edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë. Ne jemi kundër bisedave të pakujdesshme për bashkim dhe të reagimeve të tepruara ndaj deklaratave të tilla, të cilat minojnë qëndrueshmërinë në rajon”, tha Delawie në një deklaratë për REL.

Reagimi u bë pas një interviste të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për portalin Politico, në të cilën tha se rruga e hapur drejt integrimeve evropiane dhe perspektiva e qartë janë mënyra e vetme që Ballkani të jetë i qetë “por nëse kjo shpresë, perspektivë, mungon atëherë unionet e vogla mund të ndodhin”.

Pas kësaj Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, “atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u ka bërë thirrje, siç i ka cilësuar, përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, që të mos dalin në opinion me deklarata për nevojën që të gjithë shqiptarët e rajonit të krijojnë shtetin e përbashkët, nëse ndalet procesi i integrimeve evropiane.

“Ne i lusim, po e përsëris, i lusim që me deklarata të tilla të mos dalin në publik, sepse ato nuk u kontribuojnë marrëdhënieve të mira në rajon dhe as krijimit të atmosferës së bashkëpunimit dhe punës së përbashkët në projekte të rëndësishme”, tha Vuçiç në konferencën për gazetarë në Qeverinë e Serbisë./shqip


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu