Shteti bëhet gati për provokime të reja nga Serbia

Dështimi për të zbatuar marrëveshjet e arritura dhe provokimet e fundit nga pala serbe kanë vënë seriozisht në pikëpyetje besueshmërinë tek dialogu mes Kosovës e Serbisë. Por, marrëdhënia mes dy shteteve mund të komplikohet edhe më shumë në disa muajt e ardhshëm.

Zhvillimet e disa javëve të fundit që kanë ngritur tensionet mes Kosovës e Serbisë mund të sjellin situatë edhe më të rënduar në një të afërme të afërt. Alarmi lidhur me një gjë të tillë është duke u dhënë në vazhdimësi nga liderët kosovarë, të cilët ftojnë Bashkimin Evropian që të ashpërsojnë qasjen ndaj Serbisë.

Pak ditë pasi autoritetet kosovare intervenuan në veri të vendit për të ndaluar trenin ilegal nga Serbia, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka thënë se Kosova duhet të përgatitet që të përballet me një periudhë delikate.

“Duhet të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm në këtë periudhë se janë 3-4 muaj para nesh, unë besoj shumë të ndjeshëm, shumë delikat që mund të prodhojnë situata të ndryshme”, ka thënë Hyseni teksa raportonte para komisionit parlamentar për siguri.

“Dikush e ka për fushatën zgjedhore në Serbi, tjetër ka motive tjera, federata Ruse ka motive tjera”, ka shtuar ministri Hyseni.

Në fakt, situatë mjaft delikate ishte krijuar më 14 janar të këtij muaji, kur një tren në të cilin shkruhej në mbi 20 gjuhë “Kosova është Serbi” kishte tentuar të futej në Kosovë pa lejen e autoriteteve përgjegjëse të Prishtinës. Institucionet e Kosovës kishin urdhëruar Policinë e Kosovës të shtojë praninë në veri të vendit për të ndaluar trenin të hyjë këndej kufirit, ndërsa presidenti serb Tomislav Nikolic kishte kërcënuar me dërgimin e ushtrisë, gjoja për të mbrojtur serbët që jetojnë në Kosovë.

Por, se gjërat mund të komplikohen edhe më shumë ka paralajmëruar edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili sonte pritet që të takohet me homologun e tij serb, Nikolic, në Bruksel, në një takim të thirrur nga Federia Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE-së pas zhvillimeve të fundit.

Në një intervistë për Deutsche Welle-n, Thaçi ka thënë se Serbia ka një plan të detajuar për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor.

Dhe, sipas tij, plani ushtarak e politik fillon me aneksimin e pjesës veriore të Kosovës.

“Serbia ka plan të detajuar për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, pjesë qendrore e këtij plani politik dhe ushtarak të Serbisë është aneksimi i pjesës veriore të Kosovës dhe bashkëngjitja e kësaj pjese shtetit të Serbisë. Besoj se NATO, Bashkimi Evropian dhe SHBA duhet të jenë shumë të qarta lidhur me këto pretendime për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe aneksimin e Kosovës në raport me Serbinë”, ka thënë Thaçi.

“Me Serbinë na presin ditë më të vështira në të ardhmen e afërt”, ka paralajmëruar ai.

Treni ilegal, arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë bazuar në një urdhëarrest nga Serbia si dhe ndërtimi i murit afër lumit Ibër në Mitrovicë kanë shtuar presionin ndaj Qeverisë së Kosovës për të ndërprerë dialogun me Serbinë.

Por, ekzekutivi i vendit ka thënë se bisedimet do të vazhdojnë, porse kanë pranuar nevojën për të “ridizejnuar” këto bisedime.

“Ne jemi shumë konstruktiv deri më tash. Duam që Bashkimi Evropian ta kuptojë se me çfarë Serbie të re, delikuente, po ballafaqohemi dhe të na ndihmojë edhe Brukseli që ta ridefinojmë këtë dialog”, u ka thënë medieve Faton Abdullahu, zyrtar për informim në Qeverinë e Kosovës.

Kosova e Serbia kanë filluar bisedimet politike në vitin 2011 ndërsa që nga ajo kohë janë arritur një numër marrëveshjesh.

Por, pala kosovare është ankuar në vazhdimësi se Serbia refuzon të zbatojë marrëveshjet.

Një nga këto marrëveshje është ajo e për lëvizjen e lirë mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë. Ura planifikohej të lirohej për qarkullim të papenguar më 20 janar të këtij viti, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Komuna e Mitrovicës Veriore ka ndërtuar një mur dhjetëra metra afër urës, që sipas Qeverisë së Kosovës është ilegal dhe duhet të rrënohet.

Në këto kushte, Presidenti Thaçi ka thënë se nuk pret hapjen e temave të reja, përveç fazës që do të përmbyllë dialogun.

Ai po ashtu ka thënë se përballë “politikës së re” të Beogradit me presione e shantazhe, Kosova do të jetë e bashkuar.

“Kosova do të tregojë unitet politik e qytetar dhe këtij pretendimi aneksues të Serbisë do t’i përgjigjemi me forcën kushtetuese dhe ligjore”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu