Sulmi me makinë ndaj muslimanëve në Londër, një i vdekur

Të paktën një person ka humbur jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën në incidentin e mbrëmshëm, i cili ka ndodhur në afërsi të një xhamie në veri të Londrës, kur një sulmues me makinë përplasi një turmë të këmbësorëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët e policisë thanë se hetimet është duke i kryer departamenti për luftën kundër terrorizmit, dhe se shoferi dyshuari do t’i nënshtrohet testit të shëndetit mendor.

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka deklaruar se sulmi i djeshëm ishte “incident i tmerrshëm” dhe se bëhet fjalë për akt të mundshëm terrorist. Maj njoftoi se sot do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme të qeverisë.

Në deklaratën e policisë londineze theksohet se një person ka vdekur në vend, dhe se tetë nga të lënduarit janë shtruar në spital. Ekipi i shërbimeve emergjente në terren u ka dhënë ndihme edhe dy personave me lëndime të lehta.

Po ashtu edhe sulmuesi 48-vjeçar, i cili u arrestua është shtruar në spital, ndërsa policia njoftoi se do të marrë në pyetje pasi të dalë nga spitali.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Musliman të Britanisë, Harun Khan, ka thënë se shënjestër e sulmeve të mbrëmshme ishin muslimanët që po ktheheshin nga namazi i teravisë nga xhamia.

Ende pritet raport më i detajuar nga policia për incidentin e mbrëmshëm, ndërsa dëshmitarët okularë në rrjetet sociale kanë bërë të ditur se njeriu me makinë qëllimisht përplasi turmën e këmbësorëve pranë xhamisë Finsbury Park.

Imami i xhamisë Muhammad Kozba për AA ka thënë se është e qartë se shënjestër e sulmit ishin besimtarët që po ktheheshin në shtëpitë e tyre nga xhamia.

Dëshmitar okular Abdulrahman Aidroos tha se kishte parë “një britanik të bardhë” duke bërtitur “do të vras muslimanët”, dhe më pas me makinë u fut në mes të këmbësorëve. Ai shtoi se një person u vra në vend dhe se të paktën dhjetë persona u plagosën.

Aidroos gjithashtu tha se këmbësorët pastaj e kanë kapur sulmuesin dhe ia dorëzuan policisë. Sulmi i mbrëmshëm në veri të Londrës ka ndodhur pas dy sulmeve të fundit terroriste në të cilat kanë humbur jetën 22 persona në Mançester dhe tetë të tjerë në Londër.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu