Thaçi: Dikush është duke provokuar trazira të reja në Kosovë

Menaxheri i institutit ATOMI, Jusuf Thaçi ka reaguar me anë të një shkrimi për ngjarjet e fundit që kanë përcjell vendin duke i cilësuar si të rrezikshme për sigurinë.

Ish-derejtori i arsimit në Komunën e Prishtinës Jusuf Thaçi në profilin e tij në facebook, ka shkruar se arrestimi i sotëm i Albin Kurtit dhe deputetëve tjerë është bërë pa pikë nevoje, duke e konsideruar si vepër e kryer publikisht dhe që nuk ka kurrfarë urgjence të gjykohet kur ende jemi në atmosferë zgjedhore.

Thaçi ka përmendur edhe varg gjykimesh dhe ngjarje të tjera duke thënë se dikush është duke provuar të bëjë trazira në Kosovë.

Postimi i tij i plotë në facebook:

Dikush është duke provokuar trazira në Kosovë.

Sot u arrestuan dhe u paraburgosën për një muaj tre deputetë të opozitës, pa pikë nevoje, për një vepër që është kryer publikisht dhe që nuk ka kurrfarë urgjence të gjykohet kur ende jemi në atmosferë zgjedhore.

Para ca ditësh u dënua një deputet dhe tre aktivistë të opozitës, me mbi 20 vite burg, me një vendim gjykate tërësisht të pabazuar.
Dje u përmbys rezultati i zgjedhjeve në komunën e Istogut, në disfavor të një partie opozitare, me vota shumë të dyshimta dhe aty po i vjen era hajni e dallavere. Rezultati me të drejtë po kontestohet.

Dje u vendos që të rinumërohen votat në dy komunat më të mëdha, që sipas rezultateve preliminare i ka fituar partia më e madhe opozitare, megjithëse nuk kishte kurrfarë baze për ta bërë këtë, përveç qëllimit që rezultatet në këto dy komuna të kontestohen nga palët, pavarësisht se cili do të jetë rezultati final.

Dje “u protestua” kundër EULEX-it nga partia që vet e ka sjellë EULEX-in në Kosovë dhe i ka thurë lavde.
Dje në Kosovë ishte për vizitë “Shefja” e Gjykatës Speciale për të përcjellë porosinë se kjo gjykatë tashmë është gati për të filluar arrestimet në Kosovë.

Duket qartë se të gjitha këto zhvillime janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe janë në funksion të shkaktimit të trazirave në Kosovë.

Kosova as nuk ka nevojë e as nuk mund t’i mbijetojë një krize të brendshme e trazirave të brendshme, të cilat mund t’i ndihmojnë vetëm atyre që për hir të interesave personale e klanore, si dhe për hir të shpëtimit të prapanicës së vet janë në gjendje ta destabilizojnë e ta kallin Kosovën.

Prandaj, do të ishte mirë që të gjithë të provokuarit të tregohen të menqur e të matur, në mënyrë që mos t’ia plotësojnë dëshirën atyre që duan të shkaktojnë trazira në Kosovë.

Drejtësia mund të ketë kohë për t’u rivendosur, ndërsa pasojat e trazirave nuk mund të riparohen kurrë!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu