Thatësira që kaploi mbretërinë dhe urdhëri i çuditshëm i mbretit

Për shkak të thatësirës së madhe dhe zisë që po afronte, si pasojë e thatësirës, mbreti nxori një dekret të çuditshëm. Ai urdhëroi që në qendër të qytetit, të vendosej një kazan i madh, shumë i madh. Të gjithë qytetarët duhet të hidhnin në këtë kazan nga një poç me qumësht. Kushti ishte i tillë që secili duhej ta hidhte poçin me qumësht në një kohë kur nuk e shihte njeri.

Sigurisht që të gjithë njerëzit filluan ta zbatojnë këtë porosi të mbretit, aq më tepër kur bëhej fjalë për interesin publik, pasi me qumështin e grumbulluar do të ushqeheshin fëmijët e tyre, që të mos vdisnin nga uria. Secili nga njerëzit, shkoi në kohë të ndryshme të natës dhe hodhi brenda kazanit pocin e qumështit përkatës.

Të nesërmen në mëngjes, mbreti urdhëroi që të hapej rubineti i kazanit dhe të mbusheshin enët me qumësht i cili do u shpërndahej familjeve që kishin foshnja.
Por, çfarë kishte ndodhur sipas jush?
Nga rubineti nuk rridhte qumësht, por rridhte ujë. Po, po, ujë safi.
Po ku është qumështi? Mos e kishte vjedhur ndokush?

Jo, aspak. Ajo që kishte ngjarë se të gjithë njerëzit kishin hedhur nga një poc ujë. Secili kishte thënë me vete: ”Nëse unë hedh një poc ujë në vend të qumështit, askush nuk do e kuptojë. E çfarë do i bëjë një poc ujë, gjithë atij kazani me qumësht? Secili prej tyre kishte pritur që qytetarët e tjerë të hedhin qumësht. Në fund, ajo që ndodhi, ishte se vdiqën shumë foshnja dhe të rritur në qytet, pasi nuk iu gjet askush pranë që ti ndihmojë në këtë kohë krize.

ETIKA E TREGIMIT:

Na ndodh shpesh herë që ti mbushim poçat tane me ujë, ndërkohë që jemi në krizë për ti mbushur me qumësht.
Ne e mbushim poçin me ujë në vend të qumështit, atëherë kur nuk e kryejmë punën që na ngarkohet, duke menduar se të tjerët do ta kryejnë atë. Ne e mbushim pocin me ujë në vend të qumështit, kur e çojmë kohën dëm dhe nuk e mbushim me ndonjë vepër të mirë, lexim dhe adhurim.

Nga: Elmaz Fida


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu