Tregimi mbi mbretin që ishte në hall

Një nga mbretërit e lashtë, ishte shumë i shëndoshë. Për shkak të mbipeshës, mezi lëvizte vendit. I dëshpëruar, një ditë ai mblodhi të gjithë këshilltarët e tij dhe u kërkoi ti bëjnë derman. Duhej patjetër ti gjenin një mjek apo një ilaç i cili do ia ulte peshën dhe do ia shkrinte ato dhjamëra. Të gjithë këshilltarët u menduan por mesa dukej, nuk gjetën asnjë zgjidhje për problemin e mbretit. Njëri prej tyre, ia qau hallin një mikut të tij, i cili shquhej për mençuri dhe urtësi. Ai i tha:”Ia zgjidh unë hallin mbretit. Vetëm më ço tek ai.”

Me të vajtur tek mbreti, ky i fundit i tha:”Më bëj derman, se do të jap para sa të duash ti, do të bëj të pasur dhe do të jetosh gjithë jetën në luks.”
Njeriu i mençur, uli sytë dhe pasi u mendua pak i tha:”Larmadhëria juaj! Në fakt, unë nuk jam mjek, por astrolog, parashikoj të ardhmen. Më jep kohë që sonte të shoh se ç’të rezervon e ardhmja.” Mbreti pranoi.
Të nesërmen në mëngjes, njeriu i mençur vajti tek mbreti dhe pasi e përshëndeti, i tha:”Do të flas, por dua të më japësh besën se nuk do më bësh gjë të keqe.”

Mbreti, u ndje i kërcënuar, megjithatë i tha:”Fol, se je në besën time.”
I mençuri i tha:”Studiova lëvizjen e yjeve dhe pashë se sipas yllit tënd, nuk të ka mbetur shumë kohë për të jetuar. Të them të drejtën, vetëm një muaj jetë keni. Prandaj, nëse dëshiron, i përvishem punës dhe merrem me trajtimin e peshës tënde të tepërt, edhe pse keni vetëm një muaj jetë. Nëse dëshiron që ta vërtetosh parashikimin tënd, më mbaj në pallatin tënd gjatë këtij muaj. Po qe se parashikimi im është i vërtetë, më ler të lartohem, në të kundërt, hakmerru si të duash.”

Mbreti e mbajti në pallatin e tij njeriun e mençur. Mandej, ai vetë u mbyll në dhomë dhe nuk dilte fare të takohej me njerëzit. Gjithë ditën ishte në ankth dhe i mërzitur. Çdo ditë që kalonte, ankthi dhe frika nga vdekja veç i shtohej. Ai filloi të ligështohej dhe të humbasë peshë ditë pas dite. Ditën e njëzet e tetë, mbreti urdhëroi që ti sillnin njeriun e mirë. Me tu takuar, mbreti e pyeti:”Hë? Si mendon tani?”

Njeriu i mirë iu përgjigj:”Zoti të lartësoftë lartmadhëri! Paçi ymër të gjatë! Në fakt, unë nuk ia kam fare haberin nga parashikimi i të ardhmes. Unë nuk di sa do të jetoj për vete, jo më të di sa do të jetojë mbreti ynë. Por, për sëmundjen dhe vuajtjet tuaja, nuk gjeta ilaç tjetër më të mirë sesa ankthin dhe frikën nga vdekja. Ankthin dhe frikën nga vdekja, nuk mund të ta bëja prezente, veçse në këtë mënyrë. Siç e shikoni dhe vetë, dhjamërat dhe mishrat tuaj të tepërt i përkasin të shkuarës tashmë.”
Sigurisht, mbreti u tregua zemërgjerë dhe e shpërbleu njeriun e mirë me gjithë të mirat, siç i pati premtuar./InfoShqip.com

Nga: Elmaz Fida


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu