Trump bëhet presidenti i parë amerikan që e viziton Murin Perëndimor në Jerusalem (VIDEO)

Presidenti Donald Trump u bë sot presidenti i parë në zyre i Shteteve të Bashkuara që e viziton Murin Perëndimor në Jerusalem, vendin më të shenjtë ku hebrenjtë lejohen t’i bëjnë lutjet.

Trump iu afrua murit, e vendosi dorën në të në një moment reflektimi në heshtje dhe më pas e vendosi një letër brenda tij – siç edhe e do praktika tradicionale për besimtarët. Presidenti Trump e vuri kippanh-n në kokë, kësulën e kokës që e vendosin besimtarët hebrenj, transmeton Express.

Vizitës së Trumpit te muri i ka paraprirë një debat i madh, i nisur kur një zyrtar amerikan u tha autoriteteve izraelite gjatë planifikimit të vizitës se vendi i shenjtë është pjesë e Bregut Perëndimor dhe nuk ndodhet në territorin izraelit.

Ky koment, si dhe refuzimi i Administratës së Trumpit për të thënë se muri është pjesë e Izraelit, i ka zemëruar zyrtarët izraelitë.

“Muri është pjesë e Jerusalemit,” ka thënë Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Rex Tillerson, kur u pyet të hënën rreth kësaj çështje.

Ky koment e ka rihapur një debat të vjetër rreth statusit të Jerusalemit, një çështje e mprehtë në procesin e zvarritur gjatë të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.

Muri ndodhet në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, i cili u pushtua nga Izraeli gjatë luftës gjashtë ditore të vitit 1976.

Izraelitët e shohin Jerusalemin si kryeqytetin e përjetshëm dhe pandarë. Por palestinezët pohojnë se Jerusalemi Lindor, përfshirë edhe vendi ku ndodhet muri, duhet të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm.

SHBA-ja dhe vendet tjera botërore nuk e njohin sovranitetin e Izraelit në Qytetin e Vjetër dhe Temple Mount, ku muri dhe xhamia “Al-Aqsa”, vendi i tretë më i shenjtë në islam, ndodhen./Express/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu